Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka ftuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) që të propozojnë tre emra të përbashkët jopartiakë për president, duke u zotuar se do t’i mbështesë me nënshkrime dhe votë për të shmangur zgjedhjet e reja.

LVV ka bërë të ditur se pret propozimet deri të dielën në mbrëmje, vetëm dy ditë para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit më 28 prill.


PDK e ka refuzuar menjëherë ofertën, duke e cilësuar si manovër politike. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se çështja e presidentit është e mbyllur për PDK-në, duke theksuar se nuk ka pasur seriozitet nga LVV për një marrëveshje të tillë.

“Ne jemi parti të ndryshme. PDK-ja e LDK-ja janë subjekte në vete. AAK-ja është në vete. S’e ka ftuar fare. Me LDK-në ka tjera oferta, me PDK-në kemi diskutuar për presidentin. S’është çështje e rehatimit të individit, por çështje serioze që ka mundur të diskutohet në tavolinë kur ishim bashkë, por s’ka pasur seriozitet nga LVV-ja e s’ka as tash”, ka deklaruar Hamza.

Ndërkohë, LDK ka vendosur kushte për mbështetjen e saj. Kryetari Lumir Abdixhiku ka kërkuar garanci nga LVV për 66 vota në Kuvend në rast se LDK propozon Vjosa Osmanin për presidente.

“I nderuar Kryeministër Kurti, meqë po komunikojmë në distancë, ju lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë. Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot përgjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Deklaratat e tij janë kritikuar nga deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, e cila ka thënë se LDK po mban qëndrime kontradiktore dhe kërkesa të dyfishta në raport me shumicën parlamentare.

“I nderum deputet e kryetar i LDK-së Abdixhiku, nuk po e di se a do të përgjigjet Kryeministri jonë Kurti dhe kur. Periudhën për marrëveshje politike me LVV-në e keni shpallë ju të mbyllur të hënën me 20 prill. Bile deklaruat që nuk do të takoheni më! Sot para fillimit të seancës patët një bisedë me kryetarin e PDK-së Hamza. Tash me 15 vota që nuk i keni, kërkoni edhe marrëveshje politike edhe president partiak të LDK’-ë!”, ka thënë Kryeziu-Hyseni

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 28 prill, ndërsa në rast të mosarritjes së marrëveshjes politike, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja./Telegrafi/