Kusari-Lila prezanton masat anti-dumping ndaj Serbisë: Kanë për qëllim mbrojtjen e bizneseve vendore

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, sot në një konferencë për media tha se kanë marr dy vendime të rëndësishme që kanë për qëllim mbrojtjen e bizneseve vendore nga praktikat e padrejta tregtare nga Serbia.
Ajo theksoi se të enjten ka marr vendim për fillimin e hetimit lidhur me importin e farës së grurit me origjinë nga Serbia.
“Më datën 4 qershor 2026, pra dje kam marrë vendimin për fillimin e hetimit zyrtar lidhur me importin e farës së grurit me origjinë nga Serbia. Ky vendim është rezultat i një ankese të paraqitur nga një kompani prodhuese vendore e farës së grurit, e cila ka ngritur dyshime se fara e grurit e importuar nga Serbia po shitet me çmime damping, duke dëmtuar prodhimin vendor. Për këtë arsye, në përputhje me legjislacionin në fuqi, është vendosur inicimi i hetimit zyrtar për të vlerësuar ekzistencën e praktikave të dampingut dhe ndikimin e tyre në industrinë vendore”, tha ajo.
Ministrja në detyrë tha më tej se analiza preliminare bazohet në zhvillimet e sektorit të prodhimit të farës së grurit në Kosovë, duke u mbështetur në të dhënat e siguruara gjatë hulumtimit te prodhuesit vendorë, pikat e shitjes me pakicë, të dhënat e importit nga Dogana e Kosovës, të dhënat mbi kapacitetet prodhuese dhe nevojat e tregut të siguruara nga MBPZHR, si dhe çmimet e shitjes në tregun e Serbisë.
Kusari-Lila tutje bëri të ditur se është marrë edhe vendim për kufizim sasior të importeve të aluminit nga Serbia.
“Kam marrë sot vendim për të përcjellë në qeveri, i cili ka të bëjë me vendosjen e kuotës sasiore ndaj Serbisë për importin e aluminit dhe artikujve prej alumini, me qëllim mbrojtjen e prodhimit vendor dhe sigurimin e kushteve të barabarta të konkurrencës në tregun e Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Sipas saj, masa parasheh kufizim të importeve dhe tarifa shtesë për sasitë që tejkalojnë kuotën e përcaktuar.
Ministrja në detyrë thekoi më tej se vendimi që do të dërgohet në Qeveri parasheh këto pika:
Vendoset kuota sasiore ndaj Serbisë në importin e aluminit dhe artikujve prej alumini, me qëllim mbrojtjen e prodhimit vendor dhe sigurimin e kushteve të barabarta të konkurrencës në tregun e Republikës së Kosovës.
Masa e kuotës zbatohet për produktet e importit me origjinë nga Serbia, të klasifikuara në Kapitullin 76 - Alumini dhe artikujt prej tij, sipas Nomenklaturës së Mallrave në Republikën e Kosovës.
Kuota e importit caktohet në nivelin prej 30% të vëllimit total të importeve të produkteve të klasifikuara në Kapitullin 76 - Alumini dhe artikujt prej tij, me origjinë nga Serbia, të realizuara gjatë vitit 2025. Për periudhën nga hyrja në fuqi e këtij vendimi deri më 31 dhjetor 2026, sasia maksimale e lejuar për import në kuadër të kuotës është 637.26 tonë. Importet që tejkalojnë këtë kuotë do t’i nënshtrohen tarifës doganore prej 50%.
Kusari- Lila më tej se këto dy vendime që kanë të bëjnë me vendosjen e masave anti-dumping janë të bazuara në analiza statistikore dhe në përputhje të plotë me legjislacionin e plotë në fuqi. /Telegrafi/


































