Napoli është në prag të një ndeshjeje historike kundër Cagliarit, ku mund të vendoset fati i titullit kampion në Serie A – dhe më shumë se 400 mijë tifozë janë në radhë për të siguruar një biletë për këtë sfidë vendimtare.

Përballja do të zhvillohet të premten mbrëma në stadiumin “Diego Armando Maradona”, paralelisht me takimin Como – Inter, duke bërë që titulli të shkojë ose në Napoli, ose në Milano. Kjo ka shkaktuar një valë të jashtëzakonshme kërkese për bileta, pasi tifozët napolitanë dëshirojnë të jenë dëshmitarë të mundshëm të një momenti historik.


Në këtë sfidë të madhe, pjesë e rëndësishme e formacionit të Napolit është edhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, i cili synon të fitojë titullin e dytë kampion me fanellën e kaltër.

Sipas shefit të kompanisë për shitje të biletave, Amedeo Bardelli, aktualisht sektori mysafir në stadiumin “Maradona” i takon tifozëve të Cagliarit, por mund të rishikohet.

"Duke pasur parasysh rrethanat dhe sigurinë, mund të anulohet udhëtimi i tifozëve mysafirë dhe t'u hapet vendi tifozëve të Napolit", deklaroi ai.

Rrahmani, që ka qenë një nga shtyllat e mbrojtjes së Napolit, pritet të ketë një rol vendimtar edhe në këtë ndeshje, teksa ekipi i tij kërkon të shkruajë një tjetër faqe të artë në historinë e klubit.

Ndeshjet Napoli – Cagliari dhe Como – Inter do të luhen njëkohësisht të premten, me fillim nga ora 20:45. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app