LAJMI I FUNDIT:

Potenciali turistik i Lezhës promovohet në Prishtinë

Potenciali turistik i Lezhës promovohet në Prishtinë

Potenciali turistik, artistik dhe kulinar i Lezhës u prezantua në kryeqytetin e Kosovës. Në një mbrëmje të veçantë me organizim të Bashkisë Lezë dhe Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë e quajtur “N’Prishtinë nga Lezha” u prezantuan punimet artizanale, hotelet, verërat, pikturat e librat të autorëve lezhjanë. Ndërsa mbrëmja u pasurua nga performanca artistike të ansamblit të valleve e këngëtarëve të këtij qyteti dhe ushqimit të përgatitur nga shefat e kuzhinës lezhjanë.

Në prag të sezonit veror, Lezha me vijën e saj bregdetare paraqet ofertën më të mirë për pushuesit nga Kosova.

Aurela Visha, përfaqësuese e “Tanushaj Beach Resort”, i cili gjendet në Shëngjin, tha se edhe këtë vit do të mirëpresin turistët nga Kosova.

“Ne përfaqësojmë ‘Tanushaj Beach Resort’, i cili ndodhet në qytetin e Lezhës, në punën në vijën e parë bregdetare, me një kapacitet shtretërish 700 shtretër dhe 320 dhoma. Resorti ynë hap dyert me datën 17 prill për sezonin 2022, kështu që presim të gjithë qytetarët e Kosovës dhe mbarë trevave shqiptarë të vizitojnë ‘Tanushaj Beach Resort’. Prioriteti ynë i turizmit është Kosova, qytetarët, trevat e Kosovës, Maqedonisë, Malit Zi, gjithë diaspora shqiptarë vizitojnë çdo vit, janë vizitor të rregullt të qytetit të Shëngjinit”, tha ajo.

Edhe “Hotel Syla” në Shëngjin do të jetë gati për pushuesit kosovarë. Menaxheri i këtij hoteli, Erges Deliga, tha se kanë kapacitete të pranojnë deri në 130 persona.

“Mendojmë që këtë vit sezonin turistik mund të hapet pak më herët, dhe e kemi me datë 1 maj sepse duke pas parasysh që janë heq edhe masat kufizuese për punën e COVID-it, d.m.th. për ambientet e jashtme siç është për pjesën e hotelerisë dhe plazheve. 5:27 Hoteli ynë përbëhet nga 32 dhoma, një kapacitet prej 130 personash që akomodohen”, tha ai.

Përpos detit, në Lezhë ka edhe shumë pika të tjera turistike që mund të vizitohen. Lugina e Vainit është zona e parë e mbrojtur në Shqipëri.

Specialistja e komunikimit pranë Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në Lezhë, Besiona Simoni, tha se janë 196 lloje shpendësh që gjenden në lagunë dhe vizita aty është një atraksion më vete.

“Laguna e Vainit është një ndër zonat e para të mbrojtura në Shqipëri që nga viti 1940, realisht ne jemi të famshëm sa i përket numrit të shpendëve. Kemi 196 lloje shpendësh që gjenden në lagunë, çdo vizitor i cili mund të vizitojë tashmë, mund të bëjë një shëtitje me varkë, me biçikletë, të vëzhgojë faunën e egër , por gjithashtu edhe të marrë informacion te qendra e vizitoreve, sepse tashmë është një pikë e rëndësishme për çdo vizitor që vjen aty”, tha ajo.

I veshur me kostume të zonës së Lezhës, David Gjergji, prezantoi punimet artizanale të prezantuara në panairin në Prishtinë.

“Ne për këtë ekspozitë kemi këtë shqiponjë që është e prodhuar nga balta. Kjo bëhet nga balta, bëhet në Zadrimën e Lezhës dhe Zadrima ka si traditë për të punuar me baltë, dhe kjo duhet për ta marrë baltën dhe duke filluar për ta bërë shqiponjën. Kjo mund të zgjasë disa javë për t’u lehtësuar, sepse është e gjitha me ngjyrë, formati dhe figura e kësaj”, shpjegoi ai.

Qendra e artizanatit “Zadrima” gjithashtu u prezantua në mbrëmjen lezhjanë në Prishtinë. Tereza Gega foli më shumë për punimet që bën kjo qendër e që rreth vetes mbledh shumë punëtorë.

“Është qendra e arti zanatit Zadrime, që bëjmë këtë prodhime. Gjitha prodhimet janë të punuara me tezgjah, që janë punësuar shumë punëtorë. Bëjmë mbulesa të tavolinës, gjana të qëndisura e kompletojmë shumë gjana, restorante, bëjmë veshje, çdo gjë me fije organike…3:25 Faktikisht në Shqipëri nuk ka shumë interes, por punojmë me Itali, me vendet ballkanike që ata i preferojnë, edhe në Shqipëri janë duke u preferuar, sepse kompletojmë restauronte, bëjmë veshje për vajza, të gjitha janë të punuara me dorë… Edhe në Kosovë kanë kompletuar, bile shumë restauronte edhe në Kosovë, Gjilanin e kam kompletuar unë edhe shumë restauronte në Kosovë, qe tani nuk di t’i them me emra, por janë të preferueshëm, bile më shumë kemi punuar me të Kosovës”, tha ajo.

“N’Prishtinë nga Lezha” nuk munguan as personalitetet politike të Kosovës. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi se Lezha rrezaton shumë histori, ndërsa kërkoi nga shqiptarët e Kosovës ta vizitojnë sa më shumë këtë qytet.

“Për Lezhën, kujtohet historia, jo vetëm që strehon por edhe rrezaton shumë histori për gjithë ne, e krenari kombëtare, ndërsa na vjen mirë kur i shohim edhe vlerat, punën dhe të arriturat e punës, kam pas nderin ta vizitoj edhe Lezhën, e Bashkinë e shumë miq. […] I kisha bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, ta vizitojnë Lezhën, veçanërisht të rinjve, pra shkollave, fëmijëve. Por shpresoj shumë që edhe fëmijët e Lezhës e gjithë Shqipërisë, sa më shumë të vizitojnë Kosovën”, tha ai.

E pranishme në këtë mbrëmje ishte edhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, për të cilin tha se është një event që mund të merret shembull edhe nga qytetet e tjera.

“Ky organizim është shembull për tu ndjekur edhe nga komunat tjera, unë u ngazëlleva me paraqitjen e gjithë këtyre, kuzhinës, hotelerisë dhe agro-turizmit, është një gjë që duhet për t’u vlerësuar dhe për t’u marrë shembull… 8:41 Ky shembull duhet të ndiqet, për këtë arsye, të mirat, këto përvoja duhet të shkëmbehen dhe pse jo të mos jetë edhe Presheva t’i promovojë vlerat e veta”, tha ajo.

Lezha është një zonë atraktive për mjedisin që e rrethon. Lumi, lagunat e Kune – Vaini, plazhet Shëngjin dhe Tale, bukuritë malore të Ungrejit e malit Vela si dhe fushat e Zadrimës, Bregut te Matit e Torovicës janë mjedisi ndërsa përshkon nga një cep në tjetrin këtë zonë. Karakterizohet nga një diversitet i larmishëm i relievit, klimave e mikroklimave dhe për pasojë të florës e faunës. /kp/Telegrafi/