0Shares

Marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Polonisë po errësohen këto ditë nga pretendimet e paraqitura prej qeverisë aktuale të Polonisë për reparacione për kohën e Luftës së Dytë Botërore, kur Polonia ndodhej nën pushtimin gjerman. Në datën 7 shtator, kryeministrja polake, Beata Szydlo, deklaroi se ajo beson që vendi i saj ka të drejtë të kërkojë reparacione të mëtejshme nga Gjermania dhe se pozicioni i qeverisë polake për reparacionet e luftës do të shprehet zyrtarisht, kur të merret një vendim politik.

Para saj, më 4 shtator ministri i Jashtëm polak Witold Wasszczykowski deklaroi se ne duhet të ulemi për bisedime serioze me gjermanët dhe bashkë të mendojmë si ta zgjidhim çështjen e reparacioneve. Edhe ministri i Jashtëm deklaroi se Varshava po përgatit pozicionin e saj zyrtar për reparacionet e Luftës së Dytë Botërore.

Pretendimi po paraqitet publikisht në nivel zyrtar dhe qeveria polake ka shpallur se ajo po bën gati përçapjen e saj zyrtare për këtë qëllim. Në një situatë të tillë, të pretendimit zyrtar polak, Gjermania nëpërmjet zëdhënësit të qeverisë, Steffen Seibert, më 7 shtator hodhi poshtë pretendimet dhe kërcënimin e Polonisë për të kërkuar bisedime të reja për reparacionet.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, pasi bëri të ditur se Gjermania ka paguar reparacione të konsiderueshme për dëmet e përgjithshme të shkaktuara ndaj Polonisë, sqaroi se “Polonia mori vetë një vendim detyrues në gusht të vitit 1953 për të hequr dorë nga kërkesat për reparacione të tjera lufte. Nga pikëpamja jonë, kjo çështje është zgjidhur në mënyrë definitive edhe politikisht, edhe juridikisht”.

Me një fjalë, qeveria aktuale e Polonisë po hap një çështje, e cila është e mbyllur nga pikëpamja juridike, historike, diplomatike, politike dhe morale, sepse atë e ka mbyllur vetë Polonia në vitin 1953, pasi mori reparacionet në shumat që ajo i konsideroi të mjaftueshme. Me një fjalë, qeveria aktuale polake po tenton të rihapë një çështje që është mbyllur para 64 viteve nga qeveria polake.

Në vitin 2004, Polonia hyri në BE dhe qeveria polake deklaroi me këtë rast se për Poloninë marrëveshja e vitit 1953 për reparacionet është e vlefshme. Me seriozitetin që karakterizon institucionet gjermane, Bundestagu ngarkoi një ekip ekspertësh të pavarur juridikë për studimin e çështjes dhe në 31 gusht ekspertët dhanë përfundimet e tyre profesionale. Ekspertët vlerësuan se Traktati i shtatorit, i vitit 1990 për bashkimin e Gjermanisë, i nënshkruar nga Franca, Britania e Madhe, Rusia dhe SHBA, i ka zgjidhur të gjitha çështjet e lidhura me krimet naziste. Polonia e kishte të drejtën në atë kohë të paraqiste rivendikime për reparacionet dhe nuk e bëri.

Traktati i vitit 1990 bllokon çdo lloj kërkese për reparacione ndaj Gjermanisë, dhe katër fuqitë nënshkruese, ish-pushtuese të Gjermanisë, heqin dorë nga të gjitha të drejtat, duke lehtësuar kthimin e sovranitetit gjerman në një Gjermani të bashkuar. Traktati i bashkimit të Gjermanisë, i katër fuqive të mëdha bëri të qartë se nuk do të ketë më kërkesa për reparacione për Luftën e Dytë Botërore ndaj Gjermanisë.

Duke e parë çështjen nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare dhe e marrëdhënieve ndërkombëtare, qeveria e sotme polake nuk ka asnjë bazë dhe as të drejtë të mohojë apo të refuzojë një marrëveshje ndërkombëtare dypalëshe, të cilën e ka pranuar dhe firmosur me plotfuqishmëri të plotë qeveria polake në vitin 1953. Marrëveshjet dypalëshe ndërkombëtare nuk mund të rishikohen çdo herë që vjen në pushtet një qeveri e majtë apo e djathtë, që ka pikëpamje të ndryshme nga qeveria paraardhëse për historinë dhe për marrëdhëniet ndërkombëtare.

Marrëveshja dypalëshe ndërkombëtare polako-gjermane për reparacionet, nuk mund të rishikohet sot me pretekstin e këndvështrimit tjetër, që ka qeveria e sotme në Varshavë në krahasim me qeverinë e 64 vjetëve më parë. Polonia në vitin 1953 ka qenë shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht dhe anëtare e OKB-së. Përgjegjshmëria ndërkombëtare është atribut i shtetit dhe nuk ka lidhje me llojin e regjimit në njërin ose në tjetrin vend dhe shtetet kanë detyrimin të respektojnë marrëveshjet dypalëshe ose shumëpalëshe ndërkombëtare, që kanë nënshkruar qeveritë paraardhëse në emër të shtetit dhe të popullit të tyre.

Partia polake “Ligj dhe Drejtësi”, që është sot në fuqi në Varshavë, paraqet një interpretim absurd në lidhje me reparacionet. Ajo nuk e mohon që Polonia ka marrë reparacionet e luftës nga Gjermania, por del me tezën se ajo ka të drejtë të kërkojë prapë reparacione sepse, sipas saj, qeveria e Polonisë në vitin 1953 ka qenë nën diktatin e Bashkimit Sovjetik dhe ka qenë Moska e cila e ka influencuar Poloninë të pranojë marrëveshjen e vitit 1953 për të mos kërkuar reparacione të mëtejshme. Është një argumentim më tepër se naiv, sepse marrëveshjet dypalëshe ndërkombëtare dhe detyrimet ndërkombëtare të çdo shteti nuk zhvleftësohen nga supozime politike të mbi 60 vjetëve më vonë. Polonia nuk i rivendikoi reparacionet as në shtator të vitit 1990, kur nuk ndodhej më nën kontrollin e Moskës, dhe nuk i rivendikoi as në vitin 2004 kur hyri në BE, kur as mund të bëhej fjalë për ndonjë lloj ndikimi të Moskës.

Artifisi politik i “kartës ruse” në rishikimin e marrëveshjes së vitit 1953 për reparacionet duket qartë se është një përpjekje e qeverisë së sotme polake për të shfrytëzuar ndjenjën e përgjithshme jo miqësore të opinionit polak ndaj Rusisë dhe për të siguruar kështu mbështetjen e opinionit për kërkesat e reja për reparacione ndaj Gjermanisë.

Pretendimet e qeverisë së sotme polake për reparacione të reja nga Gjermania duket se edhe për popullin polak nuk janë bindëse dhe nuk kanë bazë juridike, historike, diplomatike dhe politike. Këtë e dëshmon ndër të tjera edhe përkrahja e ulët që ka në opinionin publik polak pretendimi i qeverisë ndaj Gjermanisë.

Sipas një ankete të zhvilluar muajin e kaluar nga kompania e pavarur polake “IBRIS” lidhur me kërkesën qeveritare për reparacione, rezulton se 51 për qind e polakëve kundërshtojnë pretendimet për reparacione të reja nga Gjermania, kurse vetëm 24 për qind mendojnë se duhen kërkuar. Nga ana tjetër, edhe Kisha e fuqishme katolike polake doli hapur me deklaratë në datën 8 shtator, kundër pretendimeve të qeverisë për reparacione të mëtejshme nga Gjermania. Deklarata e Konferencës Episkopale Katolike e Polonisë i referohej një letre të përbashkët të peshkopëve polakë dhe gjermanë në vitin 1965, ku bëhej thirrje për përpjekje për të kapërcyer plagët e thella të lëna nga lufta dhe thekson se “Ripajtimi është një fjalë që ka përcaktuar marrëdhëniet polako-gjermane dhe ne lehtë mund ta humbim atë nëpërmjet vendimeve të varfëra dhe fjalëve të nxituara”.

Edhe opinioni publik polak, edhe Kisha, janë shprehur qartë kundër pretendimeve qeveritare për reparacione të reja nga Gjermania. Ahere shtrohet pyetja, nëse e kupton qeveria polake pabazueshmërinë juridike dhe historike të pretendimeve të saj për reparacione të reja nga Gjermania dhe cilat janë arsyet e vërteta, që e nxisin qeverinë polake të bëjë këto kërkesa?

Përgjigjen e gjejmë në marrëdhëniet e acaruara midis Polonisë dhe Bashkimit Evropian për shkak të reformave të reja antidemokratike, që ka ndërmarrë qeveria aktuale polake, dhe të cilat cenojnë normat dhe standardet demokratike evropiane, si dhe rrezikojnë demokracinë në Poloni, si shtet anëtar i BE. Shkelja e legjislacionit dhe e ligjeve evropiane nga Varshava ka detyruar BE-në të prononcohet kundër kursit jodemokratik që po ndjek qeveria polake. Në muajin korrik BE ndërmori një proces juridik kundër qeverisë polake për reformat e saj, të cilat kufizojnë lirinë e shtypit dhe pavarësinë e gjyqësorit në Poloni. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi muajin e kaluar se Polonia po shkon kundër interesave evropiane. Kancelarja gjermane Angela Merkel e cilësoi Poloninë “një çështje serioze”.

Qeveria e djathtë nacionaliste polake ka refuzuar të dëgjojë sugjerimet dhe normat demokratike të Brukselit dhe të shteteve të BE-së dhe ka vazhduar kursin e reformave antidemokratike, duke ngjallur në disa qarqe diplomatike dhe politike evropiane dyshimin nëse qeveria e sotme polake po e çon vendin drejt rrugës së daljes nga BE.

Qeveria polake po përpiqet të rihap një kapitull të mbyllur dhe të dhimbshëm të marrëdhënieve midis Polonisë dhe Gjermanisë me qëllim që të ngrejë ndjenjat dhe frymën nacionaliste në vend dhe të rrisë përkrahjen popullore për politikën dhe reformat e saj jodemokratike. Gjithashtu, qeveria polake synon që duke e mbajtur opinionin me premtimin e një reparacioni virtual prej një trilion dollarësh, të bëjë që populli të harrojë vështirësitë e shumta ekonomike dhe të jetesës brenda vendit. Qeveria polake po imiton taktikën e dështuar të qeverisë greke, e cila në shkurtin e vitit 2010, në kulmin e krizës së saj financiare, në vend që të ndërmerrte masat urgjente të përballimit të krizës, nisi të bëjë zhurmë për reparacione të reja nga Gjermania për Luftën e Dytë Botërore, megjithëse Gjermania ia kishte shlyer me kohë reparacionet dhe çështja ishte e mbyllur.

Janë llogari afatshkutra, të cilat dëmtojnë jo vetëm imazhin e Polonisë si një aleat dhe partner i besueshëm ndërkombëtar, por edhe dëmtojnë marrëdhëniet e Polonisë me shtetet e fuqishme europiane dhe atlantike. Ndjekja paralel e një politike të brendshme jodemokratike dhe e një politike të jashtme kundër interesave europiane dhe të acarimit artificial të marrëdhënieve me aleatët europianë dhe atlantikë, nuk ndihmon as Poloninë dhe as të ardhmen e saj si shtet anëtar i BE dhe i NATO-s.

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)