LAJMI I FUNDIT:

Pollozhani: Arsimi parashkollor ndikon në sukseset e nxënësve (Video)

Pollozhani: Arsimi parashkollor ndikon në sukseset e nxënësve (Video)

2 çerdhet e Komunës së Çairit me 5 objekte nuk mund t’i përfshijnë të gjithë fëmijët që vinë nga rrethina e Shkupit thotë Nuhi Dardhishta nga Lidhja e Arsimtarëve të Maqedonisë. Ai si përgjegjës i arsimit në Komunën e Çairit thotë se kopshtet janë të stërmbushura me fëmijë.

“Unë kam qenë në një debat për arsimin parashkollor, dhe nxënësit shqiptarë vetëm 5 % janë të përfshirë. Nuk kemi çerdhe, nuk ka as Haraçina, as komuna e Studeniçanit që është nën qytetin e Shkupit. Ata duhet t’i sjellin në Çair dhe për atë nuk mundemi ti përfshijmë të gjithë”, tha Nuhi Dardhishta, Lidhja e Arsimtarëve të Maqedonisë.


Ndërsa rektori i Universitetit Nënë Tereza, Aziz Pollozhani vlerëson se arsimi parashkollor ndikon në zhvillimin e mëtutjeshëm tek fëmijët dhe kjo medoemos duhet të zgjidhet. Sipas tij arsimimi parashkollor duhet të bëhet i obligueshëm por se për këtë lypset vullnet politik.

“Fëmijët në atë moshë janë me nevojë më specifike se fëmijët që nisin të shkojnë në shkollë pas moshës 6 vjeçare. Duhet të bëhet një politikë në nivel qendror e cila i ndihmon dhe komunave që ta përmirësojnë gjendjen. Ata fëmijë që fillojnë me mësimin parashkollor cilësia dhe rezultatin i tyre në shkollimet tjera e sidomos në atë fillor është më i suksesshëm”, tha Aziz Pollozhani, Rektor i UNT.

Sipas Dardhishtes problem është edhe çështja e financave ku as Ministria e sociales dhe ajo e Arsimit nuk bëjnë ngritje të pagës së edukatorëve meqë numri i nxënësve vazhdimisht është në rritje.

TV21 bëri një përllogaritje të thjeshtë duke matur distancën nga Haraçina e deri te çerdhja Fidani në Shkup, e që është në largësi prej 11 kilometrash, apo rreth 25 minuta me makinë.

Nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale nuk përgjigjen pyetjeve të televizionit tonë në lidhje me atë se mbi çfarë premisash hapen çerdhet në vendbanime të populluara, dhe se kur është paraparë që të hapen ato në vendbanimet që nuk kanë kopshte. Gjithashtu parashtruam pyetje se sa ka kapacitet Maqedonia të mundësojë ndjekje të arsimit parashkollor, nëse arsimi parashkollor bëhet i obligueshëm, por deri më tani nuk ka përgjigje. /Telegrafi/