LAJMI I FUNDIT:

Politikanët dërguan mesazhe uniteti në festën e Ilindenit

Politikanët dërguan mesazhe uniteti në festën e Ilindenit

Mesazhe për vendosmëri dhe unitet u dërguan nga udhëheqësit politikë në fjalimet e tyre me rastin e festës shtetërore Ilinden, ndërsa segment i pashmangshëm në fjalimet e tyre ishte edhe e ardhmja evropiane e vendit. Presidenti Stevo Pendarovski nga Qendra Përkujtimore e KAÇKM-së në Pelincë theksoi se reformat evropiane na nevojiten tani menjëherë, për të parandaluar largimin e të rinjve. Ai pyeti nëse në të ardhmen duam ta shohim vendin tonë si një vend evropian apo vend emigrantësh.

“Janë pikërisht reformat evropiane që do na ndihmojnë të arrijmë interesin tonë jetik kombëtar, e ajo është që të motivojmë të rinjtë të qëndrojnë në vend dhe të marrin pjesë në ndërtimin e një Maqedonie evropiane. Prandaj, pa vonesë, t’i kapërcejmë dallimet tona, të bashkohemi rreth fillimit të menjëhershëm të negociatave, përndryshe do të humbasim pjesën jetike të shoqërisë”, tha Stevo Pendarovski – President.


Kryeministri Dimitar Kovaçevski nga Kalaja e Shkupit tha se Ilinden dhe KAÇKM bëjnë thirrje për vendosmëri, jo për heqje dorë dhe dorëzim. Sot, betejat nuk zhvillohen në fushën e betejës, por në fushën diplomatike, shtoi ai.

“Kjo qeveri veproi sipas amanetit të pjesëtarëve të Ilindenit dhe KAÇKM-së, se të drejtat mbrohen në teren të barabartë. Të ulur në të njëjtën tryezë me vendet e tjera evropiane dhe fuqitë botërore. Dhe të gjithë ata që do të marrin vendime të rëndësishme për qytetarët dhe shtetin në periudhën e ardhshme, duhet të veprojnë sipas të njëjtit amanet. Nëse ne do e ndjekim vizionin dhe guximin e pjesëtarëve të Ilindenit dhe KAÇKM-së dhe ndërtojmë shtet evropian të integruar në familjen e madhe evropiane, ose mbetemi vetëm dhe të izoluar, është vetëm vendimi ynë”, u shpreh Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Nga Meçkin Kamen në Krushevë, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha se është koha për veprime të arsyeshme dhe marrje të përgjegjësisë.

“Nëse do të ecim përpara drejt integrimit euroatlantik të vendit, për çka jemi përcaktuar nga si vend që nga pavarësia në 1991, apo do ngecim në udhën e verbër ballkanike që nuk na shpie askund, është një zgjedhje që duhet bërë duke kapërcyer dallimet”, theksoi Talat Xhaferi – Kryetar i Kuvendit.

Në Krushevë, delegacioni i OBRM-PDUKM-së kryesohej nga kryetari i partisë, Hristijan Mickoski. Ai theksoi se përfaqësuesit e qeverisë bëjnë lloj-lloj deklarata, por i akuzoi se “nën tavolinë shesin identitetin maqedonas në mënyrë që të qëndrojnë sa më gjatë në kolltukë”. Në mënyrë që të dështojnë në synimin e tyre, Mickoski bëri thirrje për unitet.

“Edhe sot, populli maqedonas dhe qytetarët e Maqedonisë tregojnë kundërshtim dhe e dinë se për çfarë po luftojnë, ndërsa luftojnë për identitetin e tyre, për vendin e tyre dhe për një të ardhme dinjitoze”, tha Hristijan Mickoski – kryetar i OBRM-PDUKM.

Festa u kremtua edhe në Manastirin “Prohor Pçinjski”, ku kreu i shtetit Pendarovski u mirëprit nga nikoqiri, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pas çka të dytë zhvilluan një takim dypalësh. Nga viti i kaluar, delegacioni maqedonas Ilindenin e feston në vendin ku u mbajt takimi i parë i KAÇKM-së./ Alsat.mk