LAJMI I FUNDIT:

Politika, gënjeshtrat dhe mitet

Politika, gënjeshtrat dhe mitet
Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

Shpesh na bie të dëgjojmë se politikanët janë gënjeshtarë dhe mashtrues. Por, jo të gjithë janë të tillë. Ka prej tyre që, për shkak të përvojës intelektuale, politikën e shohin si mjet për ndryshim të jetës së njeriut. Hyjnë në politikë, ndonëse e dinë se është sakrificë e madhe të heqësh dorë nga ‘habitati i lirisë’ e të futesh në botën e maskarenjve. Kështu kanë vepruar disa intelektualë, si p.sh. Vaclav Havel në Çekosllovaki, apo elita intelektuale në Kosovën në fundin e shekullit të kaluar.

Gënjeshtrën – si mjet politik – e kanë këshilluar mendje të mëdha filozofike, madje qysh në Greqinë antike. Në librin e tij “Republika”, Platoni ka thënë se gënjeshtra dhe mashtrimi janë privilegje të rezervuara veç për sovranin (lexo: politikanin). Madje, sovrani duhet të edukohet se si ta ushtrojë këtë zeje “në marrëdhëniet me armiqtë, por edhe me qytetarët e tij”. Sipas tij, sundimtarët e shtetit mund të gënjejnë, sepse këtë e bëjnë për të mirën e popullit (por, kur një qytetar i thjeshtë kapet duke gënjyer, atëherë ky veprim është akt kriminal!). Për Platonin, sa më shumë që sundimtari i bën qytetarët të besojnë në gënjeshtrat e tij, aq më i zoti ai është.

Për filozofin e madh grek, gënjeshtra është ilaç i ngjashëm me ato që përshkruhen nga mjeku për të sëmurin. Ai edhe shoqërinë e shihte si trup të sëmurë, ndërkaq sundimtarin si mjek që duhet të përcaktojë terapinë dhe ilaçet për shërimin. Terapia më e mirë politike, sipas tij, është propaganda; ilaçet më të mira janë gënjeshtrat dhe mashtrimet. Kur ilaçet e rëndomta (lexo: gënjeshtrat dhe mashtrimet) nuk kryejnë punë, atëherë duhen përdorur ilaçe më të forta. E, ilaçi më i fortë në politikë, sipas Platonit, është miti. Veç mitizimi i ngjarjeve dhe i personaliteteve mundëson paralizimin e aftësive intelektuale për të parë esëll e për të menduar në mënyrë kritike. Miti si ilaç politik mund të krahasohet me morfinën që përdoret në mjekësi.

Politikanët shqiptarë ndoshta nuk e kanë lexuar Platonin, por doktrinën e tij e kanë zbatuar me besnikëri në këto 20 vjetët e fundit. Gënjeshtrën e kanë shndërruar në ‘virtyt’, si dhe kanë krijuar mite për të paralizuar vetëdijen kritike të qytetarit. Për shembull, garda e politikanëve që bënë emër gjatë luftës e që me mjeshtëri e kanë përdorur mitin e ‘Komandantit legjendar’, e në mënyrë të veçantë atë të ‘Çlirimtarit’ – edhe pse ky i fundit nuk përkon me të vërtetën (jo pse ‘çlirimtarët’ s’kanë dashur ta çlirojnë Kosovën, por sepse s’kanë mundur ta bëjnë këtë). Asgjë mangët nuk lënë as garda e ‘pacifistëve’ dhe ata që e vlerësojnë veten si ‘shëlbyes të kombit’. Në mungesë të kreativitetit politik, të parët propagandën politike e ambalazhojnë mirë me aureolën e intelektualizmit dhe me mitin e “Presidentit historik”. Ndërkaq ‘shëlbyesit’ – meqë e kanë iluzionin se janë të gjithëdijshëm e të pagabueshëm – e shohin veten si misionarë të kombit e të Zotit.

Sido që të jetë, po vazhdojmë të përkundemi me mite të ndryshme, që na servohen nga gënjeshtarët e politikës. Por, faji nuk është veç i tyre. Filozofi anglez Bertrand Russell thoshte se njeriu parapëlqen të gënjehet, sepse gënjeshtra e ngushëllon. Por, a nuk është përçmuese dhe shenjë dobësie të mendosh se ne nuk mund të përballemi me problemet e jetës, pa gënjeshtra dhe pa mite? Nuk është e pamundur të bësh diçka për ta përmirësuar dhe ndryshuar këtë situatë. Por, ndryshimi kërkon një vetëdije ndryshe që rrit përgjegjësinë personale. Kërkon vetëdije që na bën të kuptojmë qartë se as natyra e as Zoti, as politika e as historia nuk mund të na tregojnë çfarë të bëjmë. Askush prej politikanëve nuk mund t’i marrë vendimet që ne duhet t’i marrim, sepse individi është i destinuar të mbajë vetë peshën e kryqit të tij të jetës.