Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka publikuar një përmbledhje të disa veprave penale më serioze gjatë muajit maj 2026, të krahasuara me periudhën e njëjtë të vitit 2025, duke theksuar se ka ndërmarrë masa për parandalimin dhe zbulimin e veprave penale në rajon.

Sipas të dhënave të paraqitura, në maj 2026 është shënuar rënie e rasteve të lëndimit të rëndë trupor, lëndimit të lehtë trupor, kanosjes, vjedhjes, vjedhjes së rëndë dhe posedimit ilegal të armëve, ndërsa është shënuar rritje te rastet e “shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm”.


Në tabelën krahasuese, lëndimi i rëndë trupor ka rënë nga 5 raste në maj 2025 në 1 rast në maj 2026, ose rënie prej 80 për qind. Lëndimi i lehtë trupor ka rënë nga 39 në 32 raste, ose 17.9 për qind më pak.

Po ashtu, kanosjet kanë rënë nga 29 në 22 raste, ose 24.1 për qind më pak, ndërsa vjedhjet nga 36 në 21 raste, që paraqet rënie prej 41.7 për qind. Vjedhjet e rënda kanë rënë nga 21 në 14 raste, ose 33.3 për qind.

Në maj 2026 nuk është raportuar asnjë rast grabitjeje, krahasuar me një rast në maj 2025, që sipas tabelës paraqet rënie prej 100 për qind.

Ndërkohë, “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” është rritur nga 1 rast në 2 raste, ose rritje prej 100 për qind.

Edhe rastet e posedimit ilegal të armëve kanë shënuar rënie, nga 15 raste në maj 2025 në 8 raste në maj 2026, ose 46.7 për qind më pak.

Në njoftim, Policia ka ftuar qytetarët të bashkëpunojnë për parandalimin dhe luftimin e veprave penale, duke theksuar se çdo rast mund të raportohet në stacionin më të afërt policor, përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat kujdestar 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.

Policia ka siguruar se konfidencialiteti i të dhënave të qytetarëve do të ruhet plotësisht. /Telegrafi/