Policia në Rajonin e Ferizajt shqiptoi 240 gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes në muajin qershor


Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se gjatë muajit qershor 2026 ka shqiptuar gjithsej 240 gjoba ndaj drejtuesve të automjeteve që janë kapur duke përdorur telefonin gjatë ngasjes.
Sipas Policisë, përdorimi i telefonit gjatë vozitjes vazhdon të mbetet një nga faktorët kryesorë që kontribuojnë në shkaktimin e aksidenteve rrugore dhe rrezikimin e sigurisë në komunikacion.
"Gjatë muajit qershor 2026, Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar gjithsej 240 gjoba ndaj shoferëve që kanë shkelur këtë rregull, duke rrezikuar sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion", thuhet në njoftimin e Policisë.
Autoritetet policore kanë apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të shmangin përdorimin e telefonit dhe çdo lloj tjetër shpërqendrimi gjatë drejtimit të automjetit.
"Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të përqendrohen plotësisht në drejtimin e automjetit dhe të shmangin çdo lloj shpërqendrimi, pasi edhe një sekondë pakujdesie të përdorimit të telefonit mund të ketë pasoja serioze për jetën e njerëzve", theksohet në njoftim.
Policia ka ftuar qytetarët që të raportojnë shkeljet e rregullave të trafikut, qoftë duke u paraqitur në stacionet policore, përmes aplikacionit "Lajmëro Policinë" apo në numrat kujdestarë të Policisë së Kosovës.
Po ashtu, është bërë e ditur se konfidencialiteti i të dhënave të qytetarëve që raportojnë raste të tilla do të ruhet plotësisht. /Telegrafi/









































