Komuna e Kaçanikut ka marrë vendim për kufizimin e qarkullimit të mjeteve me masë totale mbi 12 tonë në një segment të rrugës së fshatit Gajre.

Sipas njoftimit të komunës, kufizimi përfshin segmentin e parë të rrugës “Brigada 162 Agim Bajrami”, nga kyçja me magjistralen N2, në gjatësi prej 440 metrash.


Vendimi është marrë për rritjen e sigurisë në komunikacion dhe mbrojtjen e infrastrukturës rrugore, pas vlerësimit të gjendjes së rrugës, si dhe kërkesave dhe ankesave të banorëve të fshatrave Gajre, Ivajë, Strazhë dhe Bob.

Kufizimi i qarkullimit hyn në fuqi më 20 gusht 2026. /Telegrafi/