LAJMI I FUNDIT:

Policia: Janë arrestuar dy persona për mos-bindje të urdhrave, FFK-ja të krijojë sa më parë kushte adekuate për shitjen e biletave

Policia: Janë arrestuar dy persona për mos-bindje të urdhrave, FFK-ja të krijojë sa më parë kushte adekuate për shitjen e biletave

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borvoci ka folur për Telegrafin në lidhje me situatën e krijuar apo eskalimin e saj në lidhje me shitjen e biletave për ndeshjen e Përfaqësueses së Kosovës me Maltën.

Shitja e biletave për ndeshjen Kosovë-Maltë ka krijuar kaos të madh dhe për këtë është dashur të ndërhyj Policia e Kosovës, e cila ka treguar me anë të zëdhënësit të saj gjithë ngjarjen dhe situatën.


“Rreth orës 18:00 policia ka marrë informacionin se në tri pikat e shitjes së biletave situata ka dalë nga kontrolli për shkak të numrit të madh të kërkesave të blerësve dhe në të njëjtën kohë janë rrezikuar personeli si dhe pjesa tjetër qe po kërkonin biletat”, ka thënë fillimisht zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Borvoci për Telegrafin.

Eskalon situata në disa pika të shitjes së biletave për ndeshjen Kosovë-Maltë, policia përdor sprej për ta qetësuar situatën
Lexo po ashtu Eskalon situata në disa pika të shitjes së biletave për ndeshjen Kosovë-Maltë, policia përdor sprej për ta qetësuar situatën

“Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe duke parë situatën e krijuar, mungesën e përgatitjeve adekuate për të përballuar një fluks të tillë nga ana e pikave të shitjes si dhe rrethanat që përbenin një rrezik për sigurinë e personelit dhe personave në atë perimetër, ka kërkuar nga ta që të largohen menjëherë nga aty deri në një moment tjetër kur do të krijoheshin kushte optimale dhe rrethana të sigurta”.

“Disa nga personat që ishin duke pritur kanë refuzuar t’i binden Policisë dhe kanë filluar të shfaqin agresivitet dhe veprime të dhunshme duke dëmtuar dhe thyer xhamat në pikat e shitjes”.

“Me këtë rast, për shkak të mos-bindjes se urdhrave të Policisë dhe për të futur situatën nën kontrollë, dy persona janë arrestuar dhe të njëjtit janë proceduar me tej”.

“Situata është futur nën kontroll, ndërsa mbetet që organizatorët me kohë të krijojnë kushtet adekuate për shitjen e biletave në rrethana të sigurta”, përfundoi Borovci.

Telegrafi ka tentuar të komunikojë edhe me Diturie Hoxhën, drejtoreshën e marketingut te FFK-ja, për hapat e radhës që do t’i marr federata për të mos ketë rrëmujë dhe eskalim situate, por që kjo e fundi nuk është lajmëruar. /Telegrafi/