LAJMI I FUNDIT:

Policia e Maqedonisë pjesëmarrëse në shërbimet e sigurisë për Kampionatin Evropian “EURO 2020”

Policia e Maqedonisë pjesëmarrëse në shërbimet e sigurisë për Kampionatin Evropian “EURO 2020”

Me rastin e Kampionatit Evropian EURO 2020 në futboll, në të cilin për herë të parë merr pjesë edhe përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut, Ministria për Punë të Brendshme do të dërgojë pesë policë në Bukuresht të Rumanisë, të cilët do të kujdesen për sigurinë e kësaj ngjarje të madhe sportive.

Ministria për Punë të Brendshme informon se dërgimi i policëve për të qenë pjesë e shërbimeve të sigurimit të EURO 2020, është pjesë e bashkëpunimit me UEFA-n dhe Policinë e Rumanisë.


“Detyra e policëve tanë është që bashkërisht me ekipet policore të Rumanisë, Austrisë dhe Ukrainës të krijojnë kushte të sigurta për këtë ngjarje të rëndësishme sportive dhe e njëjta të kalojë në standardet më të larta të sigurisë, gjithashtu edhe t’u dalin në ndihmë qytetarëve tanë të cilët do të jenë në Bukuresht gjatë kampionatit”.

“Në këtë mënyrë, Ministria për Punë të Brendshme e Maqedonisë së Veriut konfirmon kapacitetet profesionale të policëve të saj, si dhe angazhimin e saj evropian, ndërsa përmbush standardet më të larta ndërkombëtare të sigurisë në ofrimin e ngjarjeve të rëndësishme sportive me rrezik të lartë”, thonë nga MPB.

Ndryshe, Kampionati Evropian EURO 2020 fillon sonte (e premte) me ndeshjen hapëse Turqi – Itali.

Kurse Maqedonia e Veriut ndodhet në Grupin C, së bashku me Holandën, Austrinë dhe Ukrainën. Tek përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut luajnë edhe gjashtë futbollistë shqiptarë./Telegrafi/