LAJMI I FUNDIT:

Policia e Kosovës arreston të riun serb që kritikon Listën Serbe, u raportua nga Jevtiqi i Listës Serbe

Policia e Kosovës arreston të riun serb që kritikon Listën Serbe, u raportua nga Jevtiqi i Listës Serbe

Për t’u arrestuar për shkak të bindjeve politike në Kosovë duhet të ktheheni mbrapa në kohë, në vitet ’90 e teposhtë. Megjithatë duket se gjërat nuk janë bash bash kështu. Danijel Vasiljeviqi është një qytetar i Kosovës që u arrestua nga Policia e Kosovës pas raportimit që i bëri Dalibor Jevtiqi i Listës Serbe.

Rasti u lajmërua në redaksinë e Nacionales nga qytetarë serbë nga Kosova. Ata pretenduan se kishim të bënim me një arrestim që kishte prapavijë politike.


Danijel Vasiljeviq është një qytetar i ri që ka filluar të angazhohet politikisht për serbët e Kosovës. Por, ka një problem: ai nuk është përkrahës i Listës Serbe.

Gazeta ka kontaktuar avokatin e Vasiljeviqit, Mentor Nezirin për ta pyetur në lidhje me arsyet pse klienti i tij kishte përfunduar prapa grilave.

“(Danijeli) i ka kry kishe dy vepra penale të ngacmimit dhe kanosjes ndaj kryetarit të Shtërpces (Dalibor Jevtiqit) dhe vajzës së tij… Po në lidhje me atë që ky dyshohet, nuk ka të bëjë as me vepra penale, as për qato që është arrestuar, për shkak se ky as s’e kërcënu kërkon, as s’e ka ngacmu kërkon, as s’e ka kanos kërkon, as në mënyrë direkte e as në mënyrë indirekte”, tha Neziri.

Edhe babai i Danijelit, Gorani, po ashtu thotë se rasti ka prapavijë politike.

“E arrestuan sepse i ka hyrë politikës, nuk mendon si ata dhe është kundërshtar i Listës Serbe”, tha Goran Vasiljeviq.

Të njëjtin pretendim e ngre edhe avokati i tij në një deklaratë dhënë gazetës Nacionale.

“Normal, që ky si përfaqësues i një partie politike atje në Shtërpce i ka fitu 7-8 për qind të votave dhe natyrisht, ata kanë probleme politike… edhe kritika që ky i ka bërë në raport me punën e tij, ai po i merr si kërcënim dhe si kanosje”, vazhdoi tutje Neziri, duke u shprehur i bindur se “nuk ka të bëjë rasti me vepra penale por me presione politike”.

Ai ka informuar se Vasiljeviqit iu kanë caktuar 48 orë mbajtje dhe se Prokurori i rastit do të vendos nëse Danijeli do të shkojë ose jo në paraburgim.

Ndërkohë, babai i Danijelit, Gorani, informoi Nacionalen se familja e tij do të hynte në grevë urie nëse të birit të tyre do t’i zgjatej paraburgimi vetëm për shkak se “kundërshton Jevtiqin”.

Dalibor Jevtiq është kryetar i komunës së Shtërpces dhe konsiderohet si një ndër figurat më kyçe të Listës Serbe. Kjo parti politike ka fituar mbi 90% të votave të komunitetit serb në Kosovë, por është kritikuar vazhdimisht se një gjë të tillë e ka bërë përmes presioneve politike ndaj kundërshtarëve të saj.

Danijel Vasiljeviq është qytetar i Republikës së Kosovës dhe përkundër që i takon komunitetit serb do të duhej të gëzonte përkujdesjen institucinale të vendit, sidomos marrë parasysh presionet e vazhdueshme politike nga Lista Serbe ndaj qytetarëve serbë të Kosovës.

Duhet të kujtojmë se gjatë ditës së djeshme në vendin tonë ishte për vizitë kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq.

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Lajme

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

Drejtësi
Për herë të parë sot mbahet seanca në objektin e Komunës së Zubin Potokut

Për herë të parë sot mbahet seanca në objektin e Komunës së Zubin Potokut

Lajme
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kalo në kategori