LAJMI I FUNDIT:

Podujeva mobilizohet për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret

Podujeva mobilizohet për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret

Bashkërendimi i aktiviteteve për parandalimin zjarrvënieve të qëllimshme në pyje, ishte çështja për të cilën u diskutua në takimin e sotëm të Kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe institucionet përgjegjëse komunale me përfaqësuesin e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës dhe Policisë së Kosovës.

Djegia e pyjeve në territorin e Komunës së Podujevës dhe koordinimi i aktiviteteve në parandalimin e kësaj dukurie, ka bërë që kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, të thërras një takim me përfaqësuesin e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, Hakif Hyseni –drejtor i Drejtorisë Rajonale, komandantin e Stacionit Policor në Podujevë, kapitenin Bekim Bislimi si dhe përfaqësuesin e Policisë Kufitare.


Në takim ishin prezentë edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Avni Fetahu, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi dhe shefi i Shërbimit të Zjarrfikësve Milaim Ajvazi.
Duke folur për dukurinë e djegies së pyjeve kryetari Veliu tha se është shqetësuese që edhe pse jemi në fillim të pranverës, ditëve të fundit janë paraqitur disa raste të zjarrvënies.

“Zjarrvëniet e ditëve të fundit në pyje janë alarmuese dhe një sinjal se duhet të ndërmarrim masa preventive. Për parandalimin e kësaj dukurie nevojitet angazhim dhe mobilizim i të gjitha institucioneve përgjegjëse”, tha kryetari Veliu.

Kryetari Veliu gjithashtu kërkoi ndërmarrjen e masave nga organet e sigurisë, në këtë rast Policisë së Kosovës, në identifikimin e zjarrvënësve, meqë në këtë sezonë kemi të bëjmë kryesisht me zjarrvënie të qëllimshme.

Përfaqësuesi i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, Hakif Hyseni, tha se është indikative që nga tri zjarret e shkaktuara në pyje, dy prej tyre janë shkaktuar në parcelat ku është duke u bërë pastrimi i pyjeve nga drunjtë e tharë dhe të dëmtuar.

Ai tha se në shumë raste për shkaktimin zjarrin në pyje rasti paraqitet tek pasi zjarri të ketë përfshirë sipërfaqe të mëdha, dhe për këtë përgjegjësia bie mbi rojet e pyjeve, të cilët duhet të lajmërojnë menjëherë zjarrfikësit, sepse lokalizimi i zjarrit bëhet më lehtë.

Në takim u kërkua angazhim dhe përgjegjësi më e madhe e rojeve të pyllit dhe policisë.

Komandanti i Stacionit Policor, kapiteni Bekim Bislimi dhe përfaqësuesi i Policisë Kufitare, premtuan një angazhim dhe koordinim më të madh të policisë me rojet e pyllit, por edhe me banorët, me qëllim të parandalimit të zjarreve, por edhe identifikimit të zjarrvënësve dhe nxjerrjes së tyre para gjyqit.

“Policia do të shtojë patrullimet me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie, por edhe do të hetojë çdo rast të zjarrvënies”, tha kapiteni Bislimi.
Në takim u tha se nevojitet të bëhet sensibilizim më i madh i qytetarëve për parandalimin e kësaj dukurie dhe njëkohësisht t’u bëhet me dije se çdo zjarrvënie është vepër penale dhe sanksionohet me ligj.

Me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie dhe ndërmarrjes së masave preventive drejtuesit komunalë sot kanë mbajtur edhe një takim me pylltarët e Komunës së Podujevës /Telegrafi/