Komuna e Podujevës është bërë partnerja më e re e Kosova Education Center (KEC) në fushën e zhvillimit profesional të mësimdhënësve.

Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua sot mes Qendrës për Arsim të Kosovës dhe Drejtorisë Komunale të Arsimit në Podujevë, duke konkretizuar ofrimin e programeve të trajnimit për mësimdhënësit e kësaj komune.


Shërbimet do të realizohen përmes Qendrës së Trajnimeve në KEC, në koordinim të ngushtë me Drejtorinë e Arsimit në Podujevë.

Në fazën e parë, palët do të përcaktojnë programet prioritare të zhvillimit profesional, ndërsa procesi do të vazhdojë në mënyrë të qëndrueshme edhe në periudha të tjera.

Ky bashkëpunim synon rritjen e kapaciteteve profesionale të mësimdhënësve dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit në komunën e Podujevës. /Telegrafi/