LAJMI I FUNDIT:

Po i transportonte nga dyqani në Prishtinë, hajnat ia marrin paratë – policia arreston tre të dyshuarit

Po i transportonte nga dyqani në Prishtinë, hajnat ia marrin paratë – policia arreston tre të dyshuarit
Fotografia: ILUSTRIM

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, respektivisht njësiti për Hetime të Përgjithshme, ka realizuar një operacion që ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar për grabitje të armatosur.

Sipas një njoftimi të Policisë, rasti ka ndodhur më datën 10.02.2020 në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë, ku persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët me forcë (duke i shkaktuar lëndime viktimës), kanë arritur të marrin një sasi të konsiderueshme parash nga viktima i cili po transportonte paratë e një dyqani në rrugën e sipërshënuar.


“Që nga dita e raportimit hetuesit policor të rajonit të Prishtinës kanë ndërmarrë të gjitha veprimet operative, ato të kërkimit si dhe të hetimit, me qëllim të lokalizimit dhe kapjes së personave të dyshuar”, ka bërë të ditur Policia, përcjell Telegrafi.

Po sipas njoftimit të policisë, aksioni i realizuar sot nga njësiti i Hetimeve të Përgjithshme, ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar: Sh. Sh, mashkull, 34 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës , E. Sh, mashkull, 34 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe H.O , mashkull, 36 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.

“Hetuesit rajonalë, të mbështetur nga Njësiti për Reagim të Shpejtë, kanë kryer katër bastisje në lokacione të ndryshme, ku kanë sekuestruar *Tri automjete, *Dy pushke gjuetie (pa leje) *Telefona celularë *Një sasi të parave, si dhe gjësende të ndryshme të cilat mund t’i shërbejnë ndriçimit të plotë të këtij rasti, ndërkohë që të njëjtat mund të shërbejnë edhe si dëshmi në procedurë. Pas intervistimit, personat e dyshuar me aktvendim të prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh”, përfundohet në njoftimin e Policisë së Kosovës. /Telegrafi/