LAJMI I FUNDIT:

A po rrëshqet kontrolli i Kimit në Korenë e Veriut?

A po rrëshqet kontrolli i Kimit në Korenë e Veriut?

Nga: Timothy Cho / The Guardian (titulli origjinal: Kim Jong-un’s new border wall could be a sign that his grip on North Korea is slipping)
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Si fëmijë, kisha një shok kontrabandist. “Nëse i flet dikujt për këtë – jeta jonë merr fund”, kërcënoi ai dhe papritmas buzëqeshi, duke zbuluar me kënaqësi çmimin e tij: filmin e fundit të 007-shit, Die Another Day.


Dy dekada më parë, shikimi i materialeve të huaja në Korenë e Veriut ishte punë shumë e rrezikshme – dhe është e njëjta gjë edhe sot. Lajmi se një vogëlush dyvjeçar është dënuar me burgim të përjetshëm – sepse prindërit e tij u zunë me Bibël në dorë – nuk e befason askënd që vëzhgon mizorinë e shtetit ndaj atyre që preferojnë të mos e adhurojnë familjen Kim.

E, megjithatë, ideja e “mbretërisë vetmitare” është me të vërtetë diçka si mit – gjetja e materialit të paligjshëm të kontrabanduar në Korenë e Veriut është punë çuditërisht e lehtë. Përmbajtjet e sotme “reaksionare” janë K-pop-i, telenovelat koreano-jugore, skedarët elektronikë të romaneve perëndimore ose, nëse jeni i krishterë si unë, Dhiata e Re. Një studim i fundit me të arratisurit zbuloi se 98 përqind e tyre kishin parë materiale të tilla “jashtëtokësore”.

Por, është e qartë se Kim Jong-uni po zmbrapset në heshtje. Imazhet e jashtëzakonshme satelitore të publikuara javën e kaluar nga Reuters-i, kanë zbuluar projektin e fshehtë pandemik të Kimit: një bllokadë e 489 kilometrave për përforcimin e sigurisë përgjatë kufirit verior të vendit me Kinën, e kompletuar me kulla vrojtimi, me mure betoni, gardhe të dyfishta dhe me telat me gjemba.

Shumë vjet më parë, e përdora rrjetën e ndërlikuar të kalimeve malore në këtë zonë, për të shpëtuar – e tani ajo është mbyllur. Për koreano-veriorët, këto janë linja jetike për mjekësinë dhe për farmaceutikën perëndimore, për lajmet nga jashtë dhe për “telefonat kinezë” që janë shumë të çmuar – që do të thotë çdo telefon i huaj me një kartë SIM të kontrabanduar nga jashtë.

Muri gjigant i Kimit është një hap drejt një projekti më të madh: krijimi i një mjedisi “të pastër” digjital. Në këtë projekt, është thelbësor kontrolli i teknologjisë së smartfonëve. Rreth tre milionë koreano-veriorë zotërojnë telefonat inteligjentë – markat Pyongyang dhe Arirang, që janë zhvilluar nga shteti. Nuk mund të bëjnë thirrje ndërkombëtare ose të lidhen me internet. Softueri i tyre me dinakëri çaktivizon skedarët e huaj: videot, audiot, tekstet ose aplikacionet që nuk janë krijuar brenda sistemit operativ Red Star [Ylli i Kuq] të Koresë së Veriut.

Është mjedis i “mbyllur”, në të cilin shikon dhe dëgjon vetëm atë që Kimi dëshiron. Dhe, telefonat kanë një veçori të zgjuar djallëzore: në mënyrë automatike merr historisë e aktivitetit të përdoruesit, me fotografime të vazhdueshme të rastësishme të mesazheve të cilat përdoruesi nuk mund t’i fshijë. Inspektimet zyrtare të telefonit janë të detyrueshëm dhe skuadra e policisë së Grupit 109 – një skuadër e specializuar që godet shikueshmërinë e mediave të huaja – kryen bastisje të rregullta në shtëpi private. Duke krijuar harduerin dhe softuerin e tij dhe sistemin operativ të Yllit të Kuq, Kimi ka shpikur një “shtet të mbyllur digjital”.

Por, “telefonat kinezë” janë një sfidë për Kimin – ndërsa për ndërmjetësin e mprehtë është një biznes i shkëlqyeshëm. Koreanët e Veriut kursejnë shuma mahnitëse për ta takuar një ndërmjetës dhe për ta bërë një telefonatë. Është mënyra e vetme për të ditur nëse familja jote – që ka ikur – ka vdekur apo është gjallë; ndoshta, shansi yt i vetëm për ta dëgjuar sërish zërin e fëmijës tënd. Familjet bëjnë përpjekje të mëdha për t’i bërë këto thirrje; qeveria bën përpjekje të mëdha për të vendosur bllokues të sinjaleve pranë kufijve. Pra, edhe nëse e mbyll kufirin verior, Kimi lufton në një kufi komunikimi.

Shumë njerëz sugjerojnë se shtrëngesa e kufirit nga Kimi, mund të jetë shenjë brishtësisë – nga alarmimi, ose nga një përpjekje për të balancuar blloqet e pushtetit, ose nga një nevojë për ta mbrojtur pozicionin e vet. Mbytja e tregut të zi është goditje e fortë për ata që fitojnë prej tij, dhe ata janë më të dukshëm dhe më të fuqishëm se sa mund të mendoni.

Ata që preken më shumë janë donju-të – “zotët e parave” ose “mjeshtrit e parave” – një klasë e vogël sipërmarrëse që u lejuan qëllimisht të lulëzojnë në fillim të mandatit të kryeministrit Kim. Ky grup familjesh – ndoshta 50 gjithsej – përfitoi nga lehtësimi i kufizimeve ekonomike pas zisë së bukës të viteve 1990 dhe themeloi biznese të cilat shpeshherë ishin të lidhura me furnizimin me mallra të tregut të zi ose me përmbajtje të huaj.

Këta donju sot janë të pasur; ushtrojnë ndikim në shumë sektorë të ekonomisë. Shumë prej tyre janë të përfshirë ngushtë me elitën – e njëjta elitë ku Kim kërkon mbështetje. Ndrydhja e tregut të zi do t’i ndrydhë ata. A është Kimi nervoz nga një elitë me sfond të fortë financiar? A është kjo përpjekje për t’i gjunjëzuar donju-të?

Kimi gjithashtu duket i pasigurt për shëndetin e vet. Në vitin 2020, u zhduk tërësisht nga publiku mes thashethemeve për një operacion në zemër. Në mars, gazeta shtetërore e Koresë së Veriut, Rodong Sinmun, këmbëngulte që Kimi po punon rregullisht deri në orën pesë të mëngjesit – shpjegim ky për fytyrën e tij të fryrë dhe për rrathët e zinj poshtë syve. Ndërkohë, motra e Kimit, Kim Yo-jong, që konsiderohej si pasardhësja e tij e zgjedhur, së fundmi është eklipsuar nga paraqitjet e profilit të lartë të vajzës së tij 10-vjeçare, Ju-ae. Në një mjedis paranojak, pamja e vajzës Ju-ae po shkakton një stuhi spekulimesh.

Ndryshimet janë të dukshme edhe në mënyrën se si partia i trajton pasuesit e vet. Vitet e fundit është parë një ristrukturim i vlerësimit të kredisë sociale – “Jeta partiake” – për anëtarët e Partisë së Punëtorëve. Për miliona anëtarë partie dhe punonjës të qeverisë, është një formë e pikave të besnikërisë, e drejtuar përmes llogarive digjitale në telefon. Anëtarët vlerësohen, ndërsa më besnikët dhe më të besuarit shpërblehen me shtesa ushqimore dhe me mallra të tjera të kërkuara. Gjatë dy viteve të fundit, sistemi ka kaluar në një shtrëngesë – ndërsa udhëheqja vlerëson se kush ka të drejtë dhe për çfarë.

Është gjithmonë e vështirë të përcaktosh se çfarë nënkuptojnë ndryshimet në Korenë e Veriut; por është e qartë se diçka po ndodh. Në këtë epokë të përparimit të shpejtë teknologjik, kontrolli i mendjeve të 25 milionë njerëzve kërkon shtrirje gjithnjë e më të mëdha dhe supozimi im është se sistemi operativ i Yllit të Kuq mund të mos jetë i mjaftueshëm. Humbja e rrugëve të vjetra ndërkufitare dhe e rrjetit të lidhjeve sekrete që lehtësuan aspektet më të vështira të jetës, do të shkaktojë valë të reja brenda Koresë së Veriut.

Do të presim përkeqësime të mëtejme të kequshqyerjes, intensifikimin e lojërave mendore me Perëndimin dhe shtimin e valëve të armëve bërthamore. Gjërat mund të ndërlikohen.

(Timothy Cho lindi në Korenë e Veriut, ku u nda nga prindërit dhe jetoi si fëmijë në rrugë. U burgos katër herë dhe u arratis dy herë, duke ia dalë mban me të dytën. Tashti bën fushatë për lirinë fetare në Korenë e Veriut përmes organizatës bamirëse Open Doors)