LAJMI I FUNDIT:

Pleqëria – e ardhmja jonë!

Pleqëria – e ardhmja jonë!

Mirela Oktrova

Më 1 tetor, Organizata e Kombeve të Bashkuara shënon Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve në shenjë respekt global për moshën e tretë. Por megjithëse dita shenjohet prej 27 vjetësh, si aktivitetet e fokusuara në mjedis, shëndetësi, arsim apo shërbime komunitare për moshën e tretë ashtu edhe strategjitë përkatëse vazhdojnë të vuajnë jo vetëm nga fushatizmi, por edhe nga koncepti shoqëror për “pleqërinë” apo moshën e tretë, i cili mbetet objekt i përhershëm refleksionesh. Ndonëse në kuptimin mjekësor ose fiziologjik, mosha e tretë përfshin personat mbi moshën 65 vjeç, që fillojnë e tërhiqen nga aktiviteti i tyre punësor, në kuptimin shoqëror koncepti ndryshon edhe nga një shoqëri në tjetrën, sipas legjislacionit përkatës, edhe nga një individ në tjetrin, sipas statusit shoqëror dhe gjendjes shëndetësore të gjithsecilit.


Veçanërisht në dhjetëvjeçarin e fundit është rritur ndjeshëm jo vetëm mosha mesatare, por dhe cilësia e jetesës si pasojë jo vetëm e gerontologjisë, shkencës që studion moshën e tretë, por edhe përparimit ekonomik, social- politik, mjekësor dhe kulturor. Njerëzit jetojnë gjithnjë e më gjatë dhe gjithnjë e më mirë. Rritja e moshës mesatare prek edhe 80, 90 dhe 100-vjeçarët. Nëse trendi vazhdon, fëmijët e sotëm i pret një jetëgjatësi prej afro 100 vjetësh, fakt ky, që e detyron shoqërinë të mendojë seriozisht lidhur me të ardhmen e saj. Rritja e jetëgjatësisë shoqërohet edhe me rritjen e cilësisë së jetesës së moshës së tretë. 70-vjeçarët e sotëm janë fizikisht dhe shpirtërisht në nivelin e 60-vjeçarëve të dy dekadave më parë, çka sjell dhe përmirësimin e statusit shoqëror të grupmoshës. Dikur uronim: “Pension dhe pleqëri të mbarë!”, po sot ky urim nuk do të kishte kuptim. Se shumëkush del në pension edhe pse nuk e ka mbushur moshën, çka bën që të mos vetëkonsiderohet në plakje; shumëkush ka kohë që e ka mbushur moshën, por vazhdon të punojë aktivisht, të tjerë e shohin pensionin si çlirim, e ndokush si veprim formal.

Ambivalenca e perceptimeve për moshën e tretë nuk ka të bëjë as vetëm me moshën, as vetëm me komunitetin përkatës dhr as vetëm me kohën, në të cilën jetojmë. Qëndrimi shoqëror ndaj moshës së tretë ka qenë historikisht i tillë. Ndërsa në bashkësinë primitive, të moshuarit i “grinte” lufta për ekzistencë, prania e pakët numerike u dha atyre prestigj dhe funksion këshillues gjatë Revolucionit neolitik. Statusi ndyshoi sërish pas konsolidimit të mbretërive të Antikitetit, ku sundimi i së drejtës publike dhe autoriteti i “heronjve të rinj” i zunë vendin autoritetit dhe pushtetit të gerontokracisë. Testamenti i Vjetër e vlerëson moshën e tretë në mënyrë kontradiktore, ndonëse profetët gëzojnë autoritet pavarësisht moshës, ndërsa për Testamentin e Ri mosha është irelevante.

Në Mesjetë, kur vetëm 5 – 10% e popullatës ishte mbi 60 vjeç, qëndrimi ndaj të moshuarve mori karakter klasor: në shtresat e ulëta ata thjesht prisnin vdekjen, ndërsa në të lartat shijonin të mirat e jetës. Me rritjen e moshës mesatare, në shtresat e pasura u shfaq brenga për rininë e humbur dhe shpotia për moshën, ndërsa të moshuarit e varfër e siguronin vetë jetesën deri ditën e fundit të jetës dhe izoloheshin për shkaqe ekonomike. Koha e Re (1400 – 1650) i risolli të moshuarit në fokus për shkak të shfarosjes së të rinjve nga kolera duke i bërë ata të urryer. Në një kohë, që luftrat fetare goditën fort tolerancën e mëshirën, kulti i bukurisë dhe rinisë i shihte ata si dëshmi të një të vërtete të hidhur, që gjithkush do ta harrojë, ndaj arti e letërsia e Rilindjes e stigmatizonte fort moshën e thyer, dobësinë dhe pleqërinë.

Kthesë të vërtetë në statusin e të moshuarve sjellin Kohët Moderne, kur mosha konceptohet si një fazë jete me të drejta specifike, lind koncepti i përgjegjësisë së shtetit për garantimin e jetës dhe pronës dhe marrëdhëniet shoqërore bëhen më racionale. Respekti ndaj traditës dhe zakoneve, i shndërruar në natyrë të dytë të njeriut, lind konceptin ekuilibrit midis moshave me detyra të ndara shoqërore: nga të vjetrit kërkohet këshillim – nga të rinjtë riprodhim dhe angazhim aktiv. Shtimi i popullsisë së qyteteve dhe zhvillimi industrial në shekullin XIX krijon bashkësitë e palidhura me familjen, ndërsa detyrimi shkollor shmang rolin edukativ të gjyshërve. Të moshuarit nuk trashëgojnë dot më pasuri për të fituar prestigj. Kodimi i marrëdhënieve sociale, me synim zbutjen e trazirave në gjirin e klasës punëtore sjell trajtimin e moshës si kategori sociale, lind konceptin e daljes në pension dhe shndërrimin e tij në rregull trajtimi të punësuarish. Shekulli i 20-të shënon grupimin e të moshuarve gjithnjë e më shumë në bazë moshe, si: të moshuar të rinj, të moshuar të vjetër, ose në bazë kriteresh, të lidhura me shëndetin, aktivitetin, kompetencën sociale, formimin, interesat etj. Rritja e mirëqenies si pasojë e zhvillimit sjell zgjatjen e jetës, por jo garantimin e cilësisë së saj. Duke qenë të përjashtuar nga procesi i punës dhe këshillimit, procesi i edukimit dhe transmetimit të traditës familjare të moshuarit – më shumë se trupi – i mundon vetëdija e të qenit „të padobishëm“.

Shkencëtarët janë ndërkohë të një mendjeje, se truri i moshës së tretë zotëron një potencial të konsiderueshëm. Prioriteti i moshës së thyer është inteligjenca emocionale, përvoja, dija e fituar si edhe teknika e manaxhimit të vetvetes, ku bën pjesë aftësia e njeriut për t’ia përshtatur realitetit pritshmëritë e veta. Pianisti i shquar Artur Rubinshtajn, i pyetur, se si ia dilte të jepte koncerte të shkëlqyera në moshën 80-vjeçare, numëroi tri arsye: së pari, se luante më pak pjesë – pra seleksiononte, së dyti, se ushtrohej shumë më tepër, pra optimonte dhe së treti, se përdorte shumë kontrastin, duke e bërë që loja e tij të perceptohej më e shpejtë nga ç’ishte, pra duke kompensuar aftësitë me teknikë. Cilido, që e manaxhon jetën me strategjinë e seleksionimit, optimimit dhe kompensimit, ndihet mirë dhe ka sukses edhe në kushtet e kufizimit të mundësive.

Njeriu do të plaket gjithsesi – ky është ligji i natyrës. Po forma konkrete e pleqërisë varet si nga vetë individi, mënyra e tij e jetesës, konstitucioni i tij fizik dhe shpirtëror, ashtu edhe nga mundësitë, që shoqëria i ofron apo i mohon. Plakja e shëndetshme, aktive dhe dinjitoze përbën një art – individual dhe shoqëror – me shumë sekrete: durimin dhe besimin, qetësinë dhe padurimin, rinjohjen e vetvetes dhe përllogaritjen e fuqive, konfidencën dhe përmbajtjen, depresionin dhe optimizmin, aftësinë për të mësuar prej së shkuarës dhe atë për të pranuar të ardhmen, kapërcimin dinjitoz të vështirësive dhe aftësinë për të kërkuar ndihmë, realizëm dhe vetëbesim, përshtatshmëri dhe këmbëngulje, kompromis dhe dinjitet. Plakja nuk është vetëm privilegj dhe objektiv shoqëror, por dhe një sfidë manaxhimi individual dhe shoqëror, një status, të cilin – nëse kemi fat të jetojmë – do ta veshë secili prej nesh… ! A janë pleqtë qenie njerëzore? – pyeste Simone de Beauvoir në esenë e saj “Mosha e tretë” dhe përgjigjej: “…gjykuar nga mënyra se si trajtohet nga shoqëria, pleqëria mbetet një sekret i turpshëm, një subjekt i ndaluar.”

Çdo shoqëri – dhe kjo e jona aq më shumë – ka nevojë të zhvillojë një koncept të ri për moshën e tretë, një koncept që të përfshijë njohjen dhe mirëkuptimin, të rregullojë shkëmbimin e përvojës dhe të ndihmës, të shmangë mospërfilljen e agresivitetin si edhe të ofrojë harmoni e humanizëm. Hipokrati në Greqinë Antike e krahasonte ekzistencën e qenies njerëzore me katër stinët e vitit, ku mosha e tretë përkonte me dimrin. Ndërkohë kanë kaluar mijëvjeçarë, klima është ngrohur dhe stinët kanë ndërruar – jo radhën, po karakteristikat. Njeriu është gjithashtu bir i natyrës. Ajo që ndodh në natyrë, nuk është e pamundur edhe për atë vetë…

Të gjithë duan të jetojnë gjatë, po askush nuk do të plaket!

Mosha e tretë nuk mund të jetë pritje në stacionin e fundit të jetës – është mundësi për të shijuar dhe jetuar pa stres; mundësi për të dhuruar dituri e përvojë, mundësi për të kontribuar.

Pleqëria është në fakt e ardhmja jonë – e të gjithëve ne!

Të ndryshojmë konceptin për të sot, që të mund ta shijojmë vetë nesër!

Që sot!

Nesër mund të jetë vonë!