LAJMI I FUNDIT:

Pikërisht në mesnatë

Pikërisht në mesnatë

Titulli i sotëm, parazgjedhor, shumëkujt mund t’i duket dramatik. Sidomos gjeneratave të mesme dhe të vjetra do t’u kujtohet filmi i famshëm, “Pikërisht në mesditë”, me aktorin e famshëm Gary Cooper, ku krimineli i rrezikshëm të cilin ky (sherifi lokal) e kishte futur në burg më herët, kthehet për t’u hakmarrë ndaj tij. Këtë e bën pikërisht ditën kur po e linte detyrën dhe po martohej. Kjo është thurja dramatike e filmit të vjetër dhe, falë Zotit, përpos titullit të ngjashëm, nuk ka asgjë të përbashkët me realitetin tonë, me politikën tonë, ku nuk ka kauboj, nuk ka kriminelë, nuk ka as hakmarrje, as nuk ka një sherif lokal i cili të gjitha i zgjidh me një revolver, nga ata të famshmit me “mulli”. Pastaj, nuk ka as kriminelë, në burg. Sistemi i drejtësisë ka detyra të tjera. Ka ikur koha e sherifëve dhe kriminelëve.

Dikush edhe mund të mos pajtohet me mua, duke thënë se edhe në filmin tonë ngjarja jonë dramatike, politike, është e mbushur me kriminelë, përballje, hakmarrje, por sidoqoftë asgjë nuk mund të dëshmohet. Në fund të fundit, askujt nuk i intereson. Mjafton që ka dramë. Adrenalina i jep kuptim jetës!


Falë Zotit, në zgjedhjet tona, gjithnjë dramatike, edhe pse e dimë qysh përpara përfundimin, nuk ka revolverë, e as kauboj, nëse nuk e llogarisim si kauboj versionin lokal të tyre, që këtu njihen si komandant, por këta tashmë janë përshtatur dhe revolveri nuk është arma e tyre vrasëse. Është televizioni dhe portalet. Nuk është me rëndësi cilat, sepse pak a shumë të gjitha janë armë politike dhe të financuara nga politika. Pra, kur duan me e likuidua dikë politikisht, e thërrasin në emisionet e famshme, me emër dramatik, ku “i dënuari” përballet me gladiatorët e përzgjedhur, të cilët… le tash, të cilët… mos më ngrehni për gjuhe qysh në fillim të rrëfimit, me ju fol se si gladiatorët e rrënojnë mysafirin derisa “Neroni” të mos e vendosë përfundimisht se çfarë do të bëhet me të, duke e ngritur apo kthyer poshtë gishtin e tij. Kur e ngre lartë, rron! Kur e kthen poshtë, ia nxjerrin ndonjë aferë, ia formulojnë ndonjë akuzë dhe e zvarritin gjykatave me vite dhe në fund e lirojnë si të pafajshëm, të vrarë politikisht e moralisht. Masa kërkon fajtorë, aq i bënë për emrat.

Pse pra, pikërisht në mesnatë?

Sepse vetëm atëherë do të dihet se kush me kë….! Po e dini për çka është fjala. Koalicioni i fundit PAN u pat “PAN-osë” disa minuta para mesnate duke i lënë me gisht në gojë gjithë të tjerët, edhe pse veç e veç partitë që e krijuan këtë koalicion nuk dolën as të parët, as të dytët. Nejse, fitores nuk i shikohen votat, qysh ka thënë i moçmi dhe në fund të fundit kujt i duhen votat? Të gjithëve u duhet emri i fituesve.

Pra, pikërisht në mesnatë vendoset për koalicionet. Kush arrin me formulu kombinimin fitues, e merr mandatin për qeverinë e re të cilën pastaj nuk ka gjasë të e formojë askush tjetër, edhe nëse individualisht del partia e parë, e dytë apo e tretë, as nëse i mbledh dy të tretat e votave. Nuk lejon norma kushtetuese që qeverinë me e formu shumica e thjeshtë, e cila mbledhë 50 për qind të votave. Norma kushtetuese thotë, se koalicioni ose partia fituese e formon qeverinë, ndërkohë që interpretimi është se fitues mund të jesh nëse ke vetëm 10 për qind të votave, mjafton të kesh një votë më shumë se i dyti.

Garë e madhe zhvillohet sidomos kush do ta ketë në radhët e veta deputetin më të vjetër. Çmimi i të moshuarve që Zoti u ka dhënë ymër dhe kanë arritur të kapin decenien e nëntë, ka hipur shumë në tregun politik gjatë procesit zgjedhor. Është shumë me rëndësi që deputeti më i vjetër, kur të ulet fillimisht në karrigen e kryesuesit të Parlamentit, nuk guxon të ngritët as për të urinuar, derisa të… Por, qytetarët e Kosovës e dinë këtë rrëfim.

Dy gjëra kanë mbetur të paqarta dhe debati rreth tyre, në arenat ku gladiatorët vriten e vrasin politikisht e moralisht në media, do të mund të jepte idenë se cila do të jetë formula fituese. Çështja e parë ka të bëjë me arsyen përse bartësi i listës së koalicionit PAN nuk e shfrytëzoi të drejtën e tij për të propozuar mandatarin e ri të qeverisë dhe kështu të formulojë qeverinë e re, madje edhe teknike (me “teknikët” e vet) deri në zgjedhjet e rregullta? Ka vetëm një arsye, logjikisht të pranueshme, përpos nëse refuzojmë ta shohim si një kamikaz që bënë vetëvrasje politike, vetëm për të dëmtuar “Vetëvendosjen”, e kjo është se ai tashmë ka garanci për formulën fituese. Përndryshe, si mund të shpjegohet entuziazmi i tij për shpërndarjen e Parlamentit kur të gjitha sondazhet, (jo)publike e nxjerrin partinë e tij dhe atë vet edhe më ultë se në zgjedhjet e kaluara.

Pikëpyetja e dytë lind nga vendimi i LDK-së për të emëruar kandidate për kryeministër, Vjosa Osmanin, e cila nuk paraqet asnjërën nga vijat e interesit që e dominojnë këtë parti, ende të paartikuluar dhe parimëkëmbur pas vdekjes së presidentit Rugova, që ishte jo vetëm udhëheqësi i saj historik, por ishte edhe fryma e saj. Emërimi i një kandidateje, me simpati publike po me ndikim të vogël në parti, dërgon mesazhin se posti i kryeministrit mund të diskutohet, çka e bën LDK-në partinë e cila do të vendosë fatin e zgjedhjeve. Në zgjedhjet e kaluara, koalicioni PAN u ngrit pikërisht me këtë formulë.

A është ky vendim i cili paragjykon koalicionin, e rrjedhimisht edhe qeverinë e ardhshme?

Kjo do të të dihet, pikërisht në mesnatë…!

Në trend

Më shumë
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

Liga e Kampionëve
Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Azia
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Evropa
Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Siguri
Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori