LAJMI I FUNDIT:

Petrovska për Ditën e Komandës për Operacione: Ata janë themeli i Armatës sonë

Petrovska për Ditën e Komandës për Operacione: Ata janë themeli i Armatës sonë

Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, sot në kazermën “Boro Menkov” në Kumanovë, mbajti fjalim në ceremoninë me rastin e 17 tetorit, ditës së Komandës për Operacione, komanda më e madhe në Armatë, e cila përfshin të gjitha llojet e gjinive dhe shërbimeve të ushtrisë.

Ministrja Petrovska e quajti këtë komandë “shtylla e Armatës”, e cila shumë herë i ka demonstruar cilësitë e saj.


“Komanda për Operacione ka demonstruar cilësitë e saj gjatë viteve. Në strukturën tuaj është Grupi i Batalionit të Lehtë të Këmbësorisë, përbërja jonë e NATO-s që është e trajnuar intensivisht dhe e pajisur me pajisjet më të fundit dhe më të sofistikuara. Pjesëtarët e Armatës, të cilët me pjesëmarrjen e tyre në forcat shumëkombëshe të NATO-s në Letoni, Rumani dhe Bullgari, japin një kontribut thelbësor në sigurinë kolektive të NATO-s, në pjesën më të madhe vijnë pikërisht nga kjo Komandë. Pjesëtarët tuaj u dërguan edhe në Slloveni, për të ndihmuar dhe mbështetur aleatët tanë në përballjen me përmbytjet e mëdha”, tha ministrja.

Petrovska po ashtu theksoi se ushtarët të cilët janë gjithmonë dhe kudo të gatshëm për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në rast të fatkeqësive natyrore, vijnë pikërisht nga njësitet që janë në kuadër të Komandës për Operacione, gjë që tregon vendin e saj të rëndësishëm në mbrojtje. Ajo shtoi se Ministria vazhdon të investojë në mënyrë aktive në kushte më të mira dhe motivim më të madh për çdo pjesëtar të Armatës.

Në ceremoni foli edhe komandanti i Komandës Operative, gjeneral brigade Besnik Emini, i cili tha se KO, si një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes, po punon në vazhdimësi për aftësitë dhe shkathtësitë e njësive.

“Zhvillimi i potencialit njerëzor si dhe përmirësimi i kushteve të punës janë të një rëndësie të veçantë dhe paraqesin parakushtin kryesor për zhvillimin adekuat të forcave të armatosura dhe fokusin kryesor të drejtuesve në Armatë”, tha Emini duke shtuar se ambicia e Armatës është për t’u përshtatur vazhdimisht për të kapur dhe përballuar me sukses sfidat dhe kërcënimet e reja.

Gjeneral Emini u tha ushtarëve që të vazhdojnë të kryejnë obligimet dhe detyrat e tyre me sukses dhe me entuziazëm sepse vetëm me përkushtim, integritet dhe guxim do të kontribuojnë në ngritjen e mëtejshme të imazhit të Armatës./Telegrafi/