LAJMI I FUNDIT:

Peticioni për tërheqjen e Trustit, Projektligji s’mund të hidhet në votim para shtatorit

Peticioni për tërheqjen e Trustit, Projektligji s’mund të hidhet në votim para shtatorit

Mbi 21 mijë qytetarë e kanë nënshkruar peticionin i cili kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të miratojnë Projektligjin që u mundëson tërheqjen e 30 për qind të kursimeve nga Trusti.

Organizatori i këtij peticioni, Adnan Jashari, në një prononcim për Telegrafin tha se tashmë janë duke e hartuar Projektligjin, e më pas të njëjtin bashkë me peticionin do ta dorëzojnë në Kuvend këtë të premte.


“Për tetë ditë sa ka zgjatur peticioni, janë mbledhur 21 mijë e 530 nënshkrime. Tash jemi duke e bërë hartimin e Projektligjit dhe së bashku me peticionin synojmë që t’i dorëzojmë në Kuvend deri të premten”, deklaroi Jashari.

Ai shtoi se të drejtën për t’u nënshkruar e kanë pasur vetëm personat mbi 18 vjeç që jetojnë në Kosovë.

Adnan Jashari nga iniciativa “Pro tërheqjes së 30 për qind të Trustit”

Në Kuvend mund të shkojë këtë javë, por Projektligji për Trustin nuk mund të hidhet në votim gjatë këtij sesioni.

Kjo pasi koha është shumë e shkurtër për t’u plotësuar afatet procedurale që i parasheh Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, thotë Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Sipas praktikave të mëhershme, sesioni pranveror i Kuvendit përfundon në fillim të muajit gusht dhe deputetët shkojnë në pushim deri në shtator.

Mblidhen 10 mijë nënshkrime për Trustin, peticioni pritet të dërgohet javën e ardhshme në Kuvend
Lexo po ashtu Mblidhen 10 mijë nënshkrime për Trustin, peticioni pritet të dërgohet javën e ardhshme në Kuvend

Në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, Haxhiu shpjegoi procedurat për propozimin e Projektligjeve nga qytetarët dhe pastaj miratimin e tyre nga deputetët.

“Në bazë të Ligjit për Nismat Legjislative, qytetari/ët kanë të drejtë të nismës për të propozuar ligje ose duke hartuar vet projektligjin ose duke i propozuar Kuvendit hartimin e projektligjit. Ekziston një afat kohor prej gjashtë (6) muajve nga data kur përfaqësuesi për nismën legjislative njofton Kuvendin e Kosovës për fillimin e nismës, duhet të përfundojë procesi i mbledhjes së nënshkrimeve dhe të dërgohet nisma legjislative në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi ajo.

Në bazë të këtij ligji, Haxhiu tha se i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që në afat prej 15 ditëve të bëj verifikimin e listës së nënshkrimeve.

“Më pastaj, projektligji apo propozimi i hartimit të projektligjit të caktuar së bashku me shkresën shpjeguese për objektivat që synojnë t’i realizojnë të nënshkruar nga të paktën dhjetëmijë (10.000) qytetarë i paraqitet Kuvendit nga përfaqësuesi i nismës”, shtoi ajo.

“Në rast se nisma legjislative e ndërmarrë nga qytetarët refuzohet nga njësia përkatëse e Kuvendit me arsyetimin që nisma legjislative nuk i përmban kushtet e përcaktuara me këtë ligj, qytetarët kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës kompetente për konteste administrative”.

Ndërsa, në rastin kur nisma legjislative nga qytetarët është në formë të Projektligjit, Haxhiu bëri të ditur se Kuvendi është përgjegjës për shqyrtimin e tij konform “Rregullores së Punës të Kuvendit për Shqyrtimin e Projektligjeve”.

“Por paraprakisht, Kuvendi, Projektligjin ia dërgon Qeverisë për marrjen e opinioneve dhe deklaratave përkatëse. Pas marrjes së opinioneve dhe deklaratave përkatëse nga Qeveria, fillon shqyrtimi i Projektligjit sipas procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Punës së Kuvendit”.

Agnesa Haxhiu nga KDI

Projektligji për Trustin është hedhur në votim në seancën e Kuvendit të 23 qershorit, por nuk kaloi pasi pozita votoi kundër.

Qeveria po e kundërshton tërheqjen e mjeteve nga Trusti, pasi sipas saj, ato janë për moshën e pleqërisë.

Në vitin 2020, pas krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia COVID-19, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, që u ka mundësuar qytetarëve tërheqjen e 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, gjatë kohës sa kanë punuar.

Procesi i tërheqjes së kësaj përqindjeje nga Trusti pati nisur nga fundi i dhjetorit të vitit 2020 dhe pati zgjatur deri në fillim të prillit të vitit 2021.

Nga të dhënat e Fondit për Kursime Pensionale, asokohe janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427 mijë e 371 kontribuues. /Telegrafi/