LAJMI I FUNDIT:

Peter Handke thotë se do të shmangë shtypin përgjithmonë

Peter Handke thotë se do të shmangë shtypin përgjithmonë

Laureati austriak i Çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke, tha se nuk do t’iu përgjigjet më kurrë pyetjeve të gazetarëve, pasi u përball me një valë kritikash për mbështetjen e ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq.

Pasi fitoi javën e kaluar Nobelin, Handke anuloi një konferencë për media në vendlindjen e tij Grifen. Shkrimtari i cili jeton pranë Parisit, duket se e humbi durimin të martën mbrëma, kur gazetarët e pritën në një takim me politikanët lokalë dhe e pyetën në lidhje me akuzat se ai i ka injoruar krimet e Serbisë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.


“Secili bën pyetje si ju dhe secili që më drejtohet duket se nuk ka lexuar apo nuk di asgjë për çfarë kam shkruar”, tha Handke, raporton DPA. “Unë jam shkrimtar, unë jam i lidhur me Tolstoyn, me Homerin, me Cervantesin. Më lini të qetë dhe mos më bëni pyetje të tilla”, shtoi Handke, duke përjashtuar mundësinë e ndonjë interviste tjetër.

Vendimi i Akademisë suedeze të Shkencave për t’i dhënë Nobelin për Letërsi Handkes shkaktoi kritika në gjithë Ballkanin. /REL/