LAJMI I FUNDIT:

“Pesëdhjetë hijet” e YouTube-it

“Pesëdhjetë hijet” e YouTube-it

Nga: Monika Stafa

Ndryshimet klimaterike janë thjesht një mashtrim; Bibla paska parashikuar atë që s’mund ta kish parë ndonjëherë historia, pikërisht zgjedhjet presidenciale në SHBA me një sipërmarrës kontrover si presidenti Trump, ndërsa Elon Musk, një biznesmen multimiliarder nuk është gjë tjetër veçse një adhurues i djallit që përpiqet të pushtojë botën.


Të gjitha këto trillime e çfarëdo tjetër, të ngjan se i kemi parë në YouTube, në faqen më të madhe të videos në botë, edhe për një arsye sepse këto rekomandime vetë YouTube i ka drejtuar njerëzit drejt këtij trendi. Kanali që po bëhet gjithmonë e më popullor ka qenë dhe vazhdon të jetë një megafon tepër efektiv për teoricienët e komplotit.

Duke abuzuar në shumë raste me të, kjo është dhe arsyeja se përse në janar të vitit 2019, YouTube doli me një deklaratë duke thënë se do të kufizojë përhapjet e videove që kishin përmbajtje keqinformimi në dëm të interesave të përdoruesit.

Por, edhe pas kësaj, YouTube vazhdon të rekomandojë teori konspirative. Shumë më pak se më parë. Ekspertët e një studimi për YouTube-in nga Universiteti i Kalifornisë, e pohojnë këtë fakt teksa shtojnë se faqja më e madhe e videos sjell tashmë zhanre të caktuara triler. Përpjekjet e YouTube-it për të frenuar teoritë e komplotit, përbëjnë një provë të madhe të aftësisë së Luginës së Silikonit (rajon në Kaliforninë Veriore që shërben si qendër globale e IT-së) për të luftuar dezinformimin, veçanërisht përpara zgjedhjeve të këtij viti. Studimi i cili ekzaminoi tetë milionë rekomandime në 15 muaj, ofroi një nga përfundimet më të qarta duke treguar se sa sfiduese mbetet çështja për kompanitë e teknologjisë si Google, Facebook dhe Twitter.

Gjetjet zbuluan se YouTube zhduku disa nga shumë teori konspirative në rekomandimet e tij, përfshirë edhe pretendimet se toka është e sheshtë dhe se qeveria e ShBA-së ishte ajo që kreu sulmet terroriste të 11 shtatorit, dy gënjeshtra që kompania i identifikoi si objektiva vitin e kaluar. Prej këtyre masave që u morën, pati mjaft ndryshime edhe në audiencën e popullore të këtyre çështjeve. Qershorin e vitit të kaluar, YouTube tregoi që sasia e kohës që njerëzit kalonin duke parë video me përmbajtje të tillë prej rekomandimeve të saj kishte rënë me 50 për qind.

Sot ka ende video që tregojnë se gënjeshtra të tjera, sipas studiuesve, vazhdojnë të klikohen në rekomandimet e YouTube-it, si p.sh., pohime se alienët krijuan piramidat, se qeveria po fsheh teknologji sekrete dhe se ndryshimi i klimës është një gënjeshtër. Studiuesit argumentojnë se është YouTube ai i cili vendos se cilat lloje të dezinformatave duhet të çrrënjosë dhe cilat lloje ai është i gatshëm të lejojë. “Është një problem teknologjik, por është gjithashtu dhe një problem politik”, flasin ekspertët e Universitetit. Rekomandimet që japin specialistët e YouTube-it sigurisht janë rekomandime brenda një protokolli të lejuar sipas bordit të këtij institucioni por dihet qartë që përfundimi është të lërë tek shikuesi shijen e mirë për t’u rikthyer sërish.

Ky lloj i ambicies së YouTube-it, që shtyn dy miliardë përdoruesit e tij mujor drejt klikimit të një videoje për të cilën ai mendon se do ta shikojë, ka nxitur suksesin e platformës për t’u bërë televizioni më i ri për shumë njerëz në të gjithë botën. Kompania deklaron se rekomandimet e saj drejtojnë mbi 70 për qind të më shumë se një miliard orësh që njerëzit harxhojnë të shohin video çdo ditë, duke e bërë softuerin që zgjedh si një ndër rekomandimet më me ndikim në botë.

Por, suksesi i YouTube-it ka dhe anën e vet të errët. Hulumtimet kanë treguar që rekomandimet e faqes shpesh e kanë amplifikuar realitetin, duke e bërë atë më sensacionale dhe qartësisht të rreme. Algoritme të tjerë synojnë të tërheqin vëmendjen e njerëzve për t’u treguar atyre më shumë reklama, si Facebook etj., kanë vepruar njëlloj. Rreziqet që vijnë prej kësaj janë të larta. Çdo ditë YouTube përballet me një sulm dezinformatash dhe përmbajtjesh jo të këndshme. FBI kohët e fundit ka treguar se ka mundur të identifikojë përhapjen e teorive të komplotit si një kërcënim terrori në familje. Vetëm një muaj më parë një gjerman doli në një ekran në YouTube duke thënë se “shoqëri sekrete të padukshme” përdorin kontrollin e mendjes për të abuzuar me fëmijët në bunkerë nëntokësorë. Më vonë ishte ai që qëlloi dhe vrau nëntë vetë në një periferi të Frankfurtit.

Shpesh, ndërmjet videove shfaqen reklama, që ndihmon në financimin e prodhimit të ardhshëm të krijuesve. YouTube gjithashtu merr pjesën e vet. Reklamat sjellin para dhe paraja e madhe dhe jo e vogël sot është pushtet. Por, gjithmonë ka një protokoll edhe pse klikimet e një videoje janë të larta kur ajo është një sensacion. Një protokoll që duhet respektuar, edhe pse paraja është në mes. Shumë video me teori komploti rekomandohen gjithnjë e më pak në këto vitet e fundit, duke përfshirë edhe videot me profecitë e fundit të botës. Po të vëresh rastësisht në YouTube p.sh. një video ka arritur të kapë në një ditë mbi 600 mijë klikime dhe e dini si është titulli saj?

“A është Emmanuel Macron Antikrishti”? Në video jepej informacion se presidenti francez kishte shenja që ishte vetë djalli dhe se fundi i botës ishte afër. YouTube ka thënë se është përpjekur t’i orientojë njerëzit drejt informacionit më të saktë dhe të vërtetë, duke u mbështetur më shumë në kanalet kryesore, sesa te ato periferike. Por, ajo që vëmë re vazhdimisht, duket qartë që kjo botë është para dhe se për hir të parasë thyhen mjaft protokolle, në shumë raste edhe ato që sapo i nënshkruajmë. Sot në YouTube gjen shumë video të cilat burimin e parë të furnizimit e kanë nga kanale periferike. Video që thonë se Rasputini ishte ai që shkatërroi Perandorinë Ruse dhe Romanovët me orgjitë okulte të tij. Cila është vërteta pas kësaj…? Dhe, më pas videot që lidhin këtë histori me përralla të tjera vazhdon në pafundësi ashtu si libri i “Një mijë e një netëve” apo “Hijet e së hirtës”.