LAJMI I FUNDIT:

Pesë milionë sirianë supozohet se kanë mbetur të pastrehë pas tërmetit

Pesë milionë sirianë supozohet se kanë mbetur të pastrehë pas tërmetit

Deri në 5.3 milionë sirianë mund të kenë mbetur të pastrehë shkaku i tërmetit shkatërrues që goditi veriperëndimin e vendit, ka thënë agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR.

Kjo vjen pasi Kombet e Bashkuara u kritikuan prej grupit të vullnetarëve, “Helmetat e Bardha” për mungesë të ndihmave në rajonet e kontrolluara nga rebelët, raporton skynews.


“Për Sirinë, kjo është një krizë brenda një krize”, njoftoi UNHCR. “Kemi pasur tronditje ekonomike, COVID-19 dhe tani tërmet gjatë dimrit. Një numër i stafit tonë po flenë jashtë shtëpive të tyre sepse janë të shqetësuar për dëmtime strukturore të shtëpive të tyre. Ky është vetëm një mikrokozmos i asaj që po ndodh në zonat e prekura”.

Agjencia shtoi se, në Sirinë veriperëndimore, qasja është “penguar shkaku i dëmtimeve”.

“Që tani, ne shpresojmë se një marrëveshje me qeverinë do të lejojë qasje të shpejtë dhe të rregullt në këto zona”, deklaroi organizata.

Ndryshe, numri i përgjithshëm i vdekjeve në Siri është 3,384 – përfshirë 2,037 në zonat e kontrolluara nga rebelët në veriperëndim, sipas “Helmetave të Bardha” – dhe 1,347 vdekje në pjesët e kontrolluara nga qeveria e Sirisë. /Telegrafi/