Përurohet objekti qeveritar në Hajvali, u investuan rreth 1.8 milionë euro

U përurua objekti qeveritar në Hajvali në sipërfaqe 4,682 metra katrorë, në të cilin do të vendosen 150 zyrtarë.
Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu,I cili e përuroi këtë objekt, në komunikim me media, tha se ky është një objekt modern, i cili do të përdoret për të realizuar funksionet e administratës dhe institucioneve shtetërore. Sipas tij, ai përmban hapësira të ndryshme të hapura dhe të mbyllura, zyra, si dhe hapësira për arkiv dhe mbështetje teknike.
“Objekti ka pesë nivele, duke përfshirë bodrumin, përdhesën dhe tre kate, dhe ka gjithsej 4,682 metra katrorë, ndërsa do të akomodohen 150 zyrtarë qeveritarë. Ministria e Digitalizimit dhe Administratës Publike, në kuadër të përgjegjësive të saj, e ka edhe pjesën e reformës së administratës publike. Një prej hapave të reformës sonë është të sigurohemi se administrata publike është një punëdhënës atraktiv që i tërheq të rinjtë të vijnë dhe të punojnë, të angazhohen në shërbimin civil dhe të kontribuojnë në zhvillimin e shtetit. Një prej elementeve që e bën administratën tonë punëdhënës atraktiv janë edhe hapësirat. Përmes ndërtimit të këtyre objekteve po ofrojmë kushte adekuate për punë dhe për institucionet tona shtetërore”, tha ai.
Ai tha se kompleksi qeveritar “Prishtina e Re” është një hapësirë prej prej 4.5 hektarëve, ku parashihen të ndërtohen gjithsej 11 ndërtesa.
“Kur të përfundojë i tërë kompleksi, do të akomodohen rreth 1,800 zyrtarë të shtetit. Prej 11 ndërtesave, tri ndërtesa janë përfunduar dhe funksionale. Kjo është ndërtesa e tretë që po bëhet funksionale, ndërsa plani është që gjatë këtij viti, deri në fund të muajit gusht, të përfundojnë edhe tri ndërtesa të tjera”, tha ai.
Për këtë objekt, drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, Emin Hoxha tha se është shumë e rëndësishme hapësira ku ruhet informacioni i klasifikuar në mënyrë të sigurt.
“Është shumë e rëndësishme që zyrtarët e AMIK-ut të jenë në hapësira të sigurta, ku ruhet informacioni i klasifikuar në mënyrë të sigurt dhe t’u përgjigjet kërkesave ligjore për mbrojtjen, qarkullimin dhe administrimin e informacionit të klasifikuar, si dhe në raport me partnerët tanë ndërkombëtarë, me të cilët tashmë kemi filluar disa iniciativa për arritjen e marrëveshjeve të përgjithshme të sigurisë”, tha ai. /kp/











































