LAJMI I FUNDIT:

Përurohet laboratori i Mikrobiologjisë në Klinikën Infektive

Përurohet laboratori i Mikrobiologjisë në Klinikën Infektive

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës sot u përurua laboratori i modern mikrobiologjisë, i bërë me fondet e projektit “Mbështetje për Sistemin Shëndetësor të Kosovës”,  nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim.

Në këtë ceremoni morën pjesë drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ambasadori italian në Kosovë, Nicola Orlando.


Ministri Arben Vitia theksoi se përurimi i këtij laboratori është një tregues i qartë se ky projekt italian po jep rezultate të drejtpërdrejta në fuqizimin e kapaciteteve të institucioneve shëndetësore kosovare, për t’u ballafaquar me sfida serioze të shëndetit publik, siç janë edhe infeksionet spitalore dhe rezistenca antimikrobike.

“Ministria e Shëndetësisë ka aprovuar vitin që shkoi Planin Strategjik për Rezistencën Antimikrobike  2019-2021 si dhe ka nxjerrë vendimin për themelimin e Grupit Ndërsektorial për Kontrollin e Rezistencës Antimikrobike (GNKRA), i cili është përgjegjës për zbatimin e Planit të Veprimit. Në zbatim të këtij Plani të veprimit që  përfshin gjithsej 47 aktivitete të parapara për t’u realizuar për 3 vjet, 26 prej këtyre aktiviteteve mbështeten nga AICS, në mesin e të cilave edhe aktiviteti që po realizohet sot me përurimin e Laboratorit klinik të Mikrobiologjisë”, tha ai.

Vitia shprehu besimin se pajisjet e reja të përdoren, ruhen e mirëmbahen me kujdes.

Ndërsa, ambasadori italian, Nicola Orlando, tha se Italia do të jetë përkrahë partnerëve siç është Kosova.

“Gjendemi para sfidave që nuk kanë kufij, Italia është në linjën e parë që përballet me këto sfida. Italia do jetë afër partnerëve të saj, në këtë rast Kosovës. Ky projekt që pamë sot është punë 10 vjeçare e Agjencisë për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë”, theksoi Orlando.

Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, ka ndarë një mirënjohje për ambasadorin italian  dhe Agjencinë për Zhvillim dhe Bashkëpunim. /Telegrafi/