LAJMI I FUNDIT:

Personat me aftësi të kufizuar kërkojnë vëmendje më të madhe institucionale

Personat me aftësi të kufizuar kërkojnë vëmendje më të madhe institucionale

Përveç  gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale që mbizotëron në shoqërinë kosovare, kujdesi  për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar lë shumë për të dëshiruar.

Edhe pse institucionet e vendit janë shprehur në vazhdimësi në përkrahje  ndaj këtyre personave gjendja reale është ndryshe në praktikë, duke filluar nga punësimi i këtyre personave, e drejta në edukim si dhe pamundësia që u bëhet për qasje në institucione publike, arsimore etj.


Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, shihen më qartë problemet dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen ata në përditshmërinë e tyre.

Kjo ditë ka për qëllim ndërgjegjësimin e shoqërisë, institucioneve e të gjithë akterëve tjerë që të bëjnë më shumë në integrimin e kësaj kategorie shoqërore në jetën politike, sociale dhe kulturore.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se duhet bërë ende punë, nga ana e institucioneve të Kosovës, për avancimin e të drejtëve të personave me aftësi të kufizuara në Kosovë.

Ai ndër të tjera, ka thënë se si “Qeveria, në emër të popullit të Kosovës, që është populli më solidar dhe më human në botë, me ndjenja të jashtëzakonshme, falënderoj të gjithë partnerët, vendet dhe qeveritë mike, si dhe donatorët, që ndihmojnë në transformimin drejt një shoqërie të qëndrueshme për të gjithë”.

“Së bashku do ta përshpejtojmë procesin drejt zhvillimit gjithëpërfshirës”, ka shtuar Haradinaj.

Por, lobimi për të drejtat dhe përcjelljen e kërkesave të këtij grupi shoqëror, deri më tani në masën më të madhe e ka bërë organizata HANDIKOS, e cila është e degëzuar në shumë qendra të Kosovës.

Por, si, në të shumtën e rasteve në Kosovë edhe kjo organizatë ka probleme edhe me aspektin financiar edhe me atë se si të punësojë ma shumë njerëz nga kjo kategori.

Për shkak se organizatat joqeveritare, punën dhe buxhetin e tyre e bazojnë në zbatimin e projekteve të ndryshme, shpesh herë ato nga mungesa financiare, detyrohen që të ndërpresin marrëdhënien e punës me persona me nevoja të veçanta, që janë të angazhuar me pagesë në këto projekte.

HANDIKOS, zyra në Pejë, në mungesë të buxhetit, është detyruar që të mos e vazhdojë kontratën me dy punonjëse të saj, të cilat për disa vite kanë qenë pjesë e organizatës.

Drejtoresha e HANDIKOS në Pejë, Sabrije Zeqaj, ka treguar për Telegrafin se kanë vështirësi të mëdha për sigurimin e pagave të punonjësve, kështu që në disa raste rrezikojnë të mbesin edhe pa paga.

Sipas saj, ata varen tërësisht nga projektet që arrinë t’i fitojnë nga organizata të ndryshme, dhe se nuk kanë paga fikse.

“Kjo gjë është shqetësuese, sidomos për njerëzit që kanë nevoja të veçanta”, ka shtuar Zeqaj.

Ajo më tutje ka theksuar se ka raste kur në projekte dhe pagesa, janë mbështetur edhe nga individë të caktuar, të cilët për shkak të vullnetit të mirë të tyre, u kanë qëndruar pranë.

Zeqaj, ka treguar se komuna e Pejës është njëri nga institucionet që ndihmon kohë pas kohe këtë qendër me subvencione, përmes të cilave kryhen disa prej shpenzimeve operative që i ka organizata.

Në anën tjetër, Durim Sheremeti, shef i Kabinetit të Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxherri, ka thënë se ata si institucion, kanë një mori veprimesh të cilat kanë për qëllim që t’u ndihmojnë personave të kësaj kategorie në Komunën e Pejës.

Ai ka thënë për Telegrafin se janë angazhuar që infrastruktura publike, të jetë në shërbim të tyre, ku tashmë Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe administrata, në këtë komunë i  kanë vendlëshimet e veçanta për këtë kategori, duke mos harruar edhe investimet që janë bërë në parkingje të qytetit.

“Ne si komunë kemi punësuar katër persona me nevoja të veçanta. Në kohën e ministrit Abrashi kemi nënshkruar një marrëveshje trepalëshe: Komuna, Handikosi dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS). Ne kemi qëndruar pranë Handikosit edhe më mbështetje me subvencion të planifikuar”, ka shtuar Sheremeti.

Sipas tij, mbështetja nuk do të mungoj edhe në të ardhmen dhe se do të tentohet se të shihen se cilat janë nevojat më të mëdha të këtij grupi, në mënyrë që të përkrahjen në ato pika./Telegrafi/