Rreziku nga dronët kufizon furnizimin e tre terminaleve ruse të grurit në Detin e Zi

Tre terminale të mëdha të grurit në bregdetin rus të Detit të Zi kanë kufizuar dërgesat me kamionë për shkak të rritjes së rrezikut për transportin detar dhe masave të reja të sigurisë.
Sipas burimeve të industrisë, të cituara nga Reuters, kufizimet prekin terminalet NZT dhe KSK në Novorossiysk, si dhe ZTKT në Taman.
Së bashku, këto terminale kanë kapacitet për të eksportuar mbi 20 milionë tonë grurë në vit dhe përbëjnë një pjesë të rëndësishme të eksporteve ruse me anije, shkruan reuters.
Rusia ka kufizuar gjithashtu lëvizjen e anijeve gjatë natës në Novorossiysk, ndërsa incidentet me dronë në Detin e Zi dhe në Detin Azov kanë rritur rrezikun për transportin detar. Një pjesë e grurit po ridrejtohet drejt hekurudhës ose porteve baltike, por kjo kërkon kapacitete shtesë dhe rrit kostot.
Terminali ZTKT varet plotësisht nga transporti rrugor, ndërsa rreth një e treta e ngarkesave që mbërrijnë në Novorossiysk transportohen me kamionë. Për këtë arsye, edhe një kufizim i përkohshëm mund të shkaktojë grumbullime dhe vonesa gjatë sezonit të eksporteve.
Rusia është një nga eksportuesit më të mëdhenj të grurit në botë. Çdo pengesë e zgjatur në portet e saj mund të ndikojë në çmimet ndërkombëtare të grurit dhe në vendet që varen nga furnizimet përmes Detit të Zi. /Telegrafi/









































