LAJMI I FUNDIT:

Përmbledhje e fillimit të manifestimit për Epopenë e UÇK-së: Himni kombëtar në kazermën “Adem Jashari” (Video)

Përmbledhje e fillimit të manifestimit për Epopenë e UÇK-së: Himni kombëtar në kazermën “Adem Jashari” (Video)

Në praninë e zyrtarëve më të lartë politikë dhe ushtarakë të vendit, kanë nisur manifestimet për shënimin e Epopesë së UÇK-së, përkatësisht të përvjetorit të 18-të të betejës së Prekazit.

Nën patronatin e Qeverisë së Kosovës, trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë kaluar në revistë para krerëve shtetërorë, në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, raporton KTV.


Para se të viheshin kurora pranë memorialit, gjeneral brigade, Gëzim Hazdrolli, raportoi para Komandantes Supreme, Presidentes në largim Atifete Jahjaga.

Në fjalimin e saj, Jahjaga tha se Kosova është amaneti dhe forca e atyre që kanë sakrifikuar për të. Ndërkaq komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, tha se duhet vepruar në nderim të gjakut të derdhur.

Kurse përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, bëri thirrje për veprime unitare dhe më të kujdesshme. Ndryshe nga viti i kaluar, kur mosintonimi i himnit kombëtar, kishte nxitur reagimin e Bekim Jasharit, kësaj radhe u intonua edhe himni kombëtar, madje para atij të Kosovës.

Ndërkohë që gjatë gjithë kohës, vërehej përpjekja e presidentit të zgjedhur Hashim Thaçi, për të biseduar me Bekim Jasharin dhe për t’u treguar i afërt me të.

Ndonëse në fillim ia kishin shtrënguar dorën njëri tjetrit, në fund të ceremonisë, Rifat Jashari e injoroi presidentin në ardhje Thaçi, transmeton Koha.net.

Marrëdhëniet e Thaçit me familjen Jashari, ishin ngrirë pas “aferës pronto”.

Manifestime të tjera për Epopenë e UÇK-së do të vazhdojnë edhe gjatë 6 dhe 7 marsit.

https://vimeo.com/157854022