LAJMI I FUNDIT:

Përgjegjësia dhe intelektualët

Përgjegjësia dhe intelektualët
Ilustrim

Kemi prova të mjaftueshme historike se jemi popull i prirë me prodhu diktatorucë, mandej mundohemi t’i pompojmë e stolisim me lëvdata që as s’i kanë pasur, as i kanë hasur kurrë në jetën e tyre private as publike.

Nga ana tjetër mobilizojmë të gjitha përpjekjet tona t’i gjigantojmë për të trembur tjetrin që nuk mendon si ne, apo botën, duke i dhuruar atij të gjitha pushtetet dhe liritë tona që sipas Ligjit Themeltar të Shtetit, nuk i takojnë atij.


Së paku intelektualët me shpirt kombëtar e intuitë politike, të cilët kanë mundësi t’i shohin këto personazhe më në distancë, e kanë kuptuar evidenten. Se kemi prodhuar figura komike dhe tragjikomike që botës “armiqësore” i kanë shkaktuar vetëm të qeshura, ndërsa vendit dhe nënshtetasve shqiptarë vetëm tragjedi, regres e mjerim.

Do të ishte e udhës që të gjithë shqiptarët të reflektojmë dhe distancohemi nga ky kurs i mbrapshtë vetëshkatërrues, antidemokratik, pasojat e të cilit po i vuan i madh e i vogël.

Por, në radhe të parë janë intelektualët (jo ata të makaronave siç i karakterizon një mik i imi), skuadroni që nuk mund të rreshtohen në kuadratet “nën armë” të paradave e as sukseseve të asnjë lloj pushteti, qofshin suksese reale apo imagjinare.

Intelektuali që e do vendin e tij ka rreshtimin e vet, dyshimin, hulumtimin e të vërtetës, pajisjen e vet luftarake, kritiken.

Intelektualët, thotë Costanco Preve, që lëvizin si peshqit mbas rrymës e valëve të mendimit totalitar dominant, “politikisht korrekt”, në fakt janë automatikisht apologjetët ose “dorëzanët” e mos ndryshimit, ndonëse hedhin ndonjë kritikë hipokrite.

Ndërsa, György Lukács, intelektualët e kësaj trume peshqish i përshkruan: “…këta janë intelektualet e hotelit luksoz në majë të humnerës, qe shpesh nxjerrin kokën për të parë poshtë, po të trembur fusin kokën brenda duke zgjedhur më mirë dhomat e pushtetit… Aty flasin për gjithçka, duke përcjell kumtin se objekti apo subjekti i kritikuar, gjendja ekzistuese është sidomos keq, po e vetmja që kemi…”.

Intelektualët dhe Kultura që vihet në shërbim të pushtetit, mbërrin automatikisht të jetë kundër shoqërisë dhe vendit.

Më 1910, Max Weber pat hedhur në qarkullim atë që quhet “etika e tretë ose etika e përgjegjësisë”. Filozofi, duke kritikuar epokën e teknikës përgjithëson papërgjegjësinë e kërkimit shkencor, në efektin e tij derisa efekti është i parashikueshëm. Nëse e pyet një tornitor që prodhon shula armësh se përse e bën këtë kur e di se për çfarë ato përdoren, ai të përgjigjet se ka përgjegjësi për precizionin dhe bukën e fëmijëve të vet. Të njëjtën përgjigje mund të marrësh tani në epokën e ramokracisë, nga profesionisti i burokracisë së shtetit të të gjithë shqiptarëve, pra jo të rilindjes për “precizionin” e votës.

Të përmendin bukën e kalamanjëve si shkak për tu larguar me vetëdije nga të drejtat dhe liritë që janë të garantuara dhe të paprekshme, duke ia dorëzuar ato një të papërgjegjshmi që jo veç e ka manifestuar, po dhe ka vërtetuar të gjitha hipotezat e një të papërgjegjshmi klinik.