Bumi i IA-së është ndërtuar mbi të dhëna të cilat kompanitë kanë tepër frikë t’i përdorin

Nga: Jackie Peters, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Blind Insight (organizatë që përqendrohet te infrastruktura e IA-së e cila ruan privatësinë dhe te bashkëpunimi i sigurt mbi të dhënat e ndërmarrjeve), karriera e së cilës bazohet në punën fushat e kujdesit shëndetësor, shërbimeve financiare dhe teknologjive në zhvillim / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com
Kemi kaluar vitet e fundit duke shënuar bumin e IA-së [inteligjenca artificiale]. Pas viteve të tëra të investimeve rekorde, ka ardhur koha të shtrojmë pyetjen të cilën shumë salla të takimeve të bordeve ende e shmangin: Pse kaq shumë kompani po investojnë miliarda në inteligjencën artificiale pa parë rezultate domethënëse?
Kompanitë po derdhin shuma të paprecedenta në inteligjencën artificiale, megjithatë argumenti ekonomik për këtë po bëhet çuditërisht i vështirë për t’u mbrojtur. Ndonëse 70 përqind e bizneseve tani e përdorin në mënyrë aktive IA-në, më shumë se 80 përqind raportojnë se ajo nuk ka pasur asnjë ndikim të matshëm në produktivitet ose në punësim. Kjo duhet të shqetësojë çdo drejtues që beson se një investim tjetër në IA, një model tjetër ose një projekt tjetër pilot do ta sjellë më në fund përparimin që i është premtuar.
Teknologjia nuk është problemi. Por, unë gjithashtu nuk besoj se përgjigjja është thjesht ta zbatojmë IA-në më gjerësisht. Vetëm rritjet e produktivitetit nuk do të krijonin kurrë një përparësi konkurruese afatgjatë. Këto rritje kopjohen shpejt, marzhet ngushtohen dhe përfitimet zhduken përmes konkurrencës. Organizatat të cilat do të dalin vërtet përpara do të jenë ato që e rishqyrtojnë rrënjësisht mënyrën se si krijojnë vlerë duke përdorur asete të cilat konkurrentët e tyre nuk mund t’i kopjojnë lehtësisht.
Pikërisht këtu besoj se shumë kompani po bëjnë gabimin e tyre më të madh. Ato po investojnë në mënyrë agresive në inteligjencën artificiale, ndërsa e trajtojnë të vetmin aset që është në gjendje t’i bëjë këto investime transformuese sikur të ishte tepër e rrezikshme për t’u prekur: të dhënat e tyre më të vlefshme.
Nuk besoj se kjo ndodh sepse IA-ja ka arritur kufijtë e saj. Besoj se kemi ndërtuar një bum të IA-së mbi informacione të cilat kompanitë kanë tepër frikë t’i përdorin. Kjo deklaratë shpesh i befason njerëzit, meqë supozojnë se unë po pohoj se drejtuesit duhet të ndihen më rehat duke ekspozuar informacion të ndjeshëm ndaj sistemeve të IA-së. Po them pikërisht të kundërtën.
Ata duhet të jenë thellësisht të shqetësuar.
Organizatat sot zotërojnë sasi të mëdha të dhënash për klientët, transaksione financiare, informacione shëndetësore, pronë intelektuale, njohuri operacionale dhe përvojë institucionale të grumbulluar ndër dekada. Këto grupe të dhënash mund t’i përmirësonin ndjeshëm sistemet e IA-së dhe do t’i ndihmonin organizatat të mbeteshin konkurruese përballë startapeve që mbajnë një barrë më të vogël rregullatore. Por, ato mbartin gjithashtu rreziqe ligjore, rregullatore dhe reputacioni nëse trajtohen pa kujdes.
Drejtuesit e kuptojnë këtë realitet më mirë se kushdo.
Është gabim të supozohet se të vetmet mundësi janë ose të ekspozohen të dhënat e ndjeshme, ose të shmanget krejtësisht përdorimi i tyre. Deri vonë, kjo mund të ketë qenë e vërtetë. Por, drejtuesit nuk kanë pse të humbin shpresën. Teksa përparojnë teknologjitë që mbështeten në këto të dhëna, përparojnë edhe metodat për mbrojtjen e tyre.
Por, pa këtë ndërgjegjësim, drejtuesit e shohin veten të detyruar të zgjedhin njërin nga këto dy skaje.
Rreziku më i madh i IA-së nuk është se punonjësit po përdorin inteligjencën artificiale. Është se po e përdorin atë pa mekanizmat mbrojtës të cilët organizatat e tyre duhej të kishin ndërtuar më parë. Një raport për sigurinë e IA-së i vitit 2026 nga Zscaler, zbuloi një rritje prej 93 përqind, krahasuar me një vit më parë, të ndarjes së të dhënave të ndjeshme të ndërmarrjeve me aplikacionet e IA-së - përfshirë të dhënat financiare, të dhënat shëndetësore, kodin burimor dhe informacionet të cilat mundësojnë identifikimin e individëve. Ne e quajmë këtë IA në hije, por në të vërtetë është një problem drejtimi. Kur organizatat nuk ofrojnë mënyra të sigurta për përdorimin e IA-së, punonjësit në mënyrë të pashmangshme krijojnë mënyrat e veta.
Të tjerët reagojnë duke bllokuar gjithçka. Grupet kryesore të të dhënave mbeten të izoluara, nismat për IA-në mbështeten në të dhëna të pastruara me vlerë të kufizuar strategjike, dhe organizatat vazhdojnë të investojnë miliona në inteligjencën artificiale, ndërsa lënë të paprekura njohuritë e tyre më të vlefshme.
Asnjëra prej këtyre qasjeve nuk e nxit inovacionin. Njëra krijon rrezik të panevojshëm. Tjetra garanton rezultate zhgënjyese. Nga këndvështrimi im, të dyja këto dështime burojnë nga i njëjti keqkuptim: se privatësia dhe inovacioni në IA janë në thelb të papajtueshme.
Ajo që më shqetëson më shumë është se kjo zgjedhje e rreme tani po i jep formë strategjisë së ndërmarrjeve, pikërisht në një kohë kur IA-ja varet më shumë se kurrë nga të dhënat e besueshme. Brezi i ardhshëm i IA-së nuk do të përcaktohet nga kush licencon modelin më të madh ose vendos në përdorim numrin më të madh të agjentëve. Do të përcaktohet nga kush mund ta zbatojë në mënyrë të sigurt njohurinë pronësore që konkurrentët nuk mund ta kopjojnë.
Prandaj, rregullimi nuk duhet parë si armik i inovacionit. Në fakt, ai po i shtyn organizatat drejt një infrastrukture më të mirë. Institucionet financiare që veprojnë sipas Aktit të Bashkimit Evropian për Rezistencën Operacionale Digjitale (DORA), tashmë pritet të forcojnë mënyrën se si mbrohet informacioni i ndjeshëm gjatë gjithë ciklit të tij jetësor, përfshirë edhe kur është në përdorim, ndërsa Akti i BE-së për IA-në po vendos detyrime të reja për organizatat të cilat e zbatojnë IA-në me përdorim të përgjithshëm në mjedise të rregulluara. Këto zhvillime nuk janë krijuar për ta ngadalësuar përhapjen e IA-së. Ato pasqyrojnë një pranim gjithnjë e më të madh se besimi do të përcaktojë nëse IA-ja do të ketë sukses në shkallën e ndërmarrjeve.
Kam kaluar një pjesë të madhe të karrierës sime duke punuar me organizata përgjegjëse për të dhënat të cilat u nënshtrohen rregullimeve të rrepta. Qoftë në kujdesin shëndetësor apo në shërbimet financiare, kam parë të njëjtin model të përsëritet. Ekipeve nuk u mungon ambicia. Ato kufizohen nga bindja se zhbllokimi i njohurive kërkon komprometimin e privatësisë.
Ky supozim është bërë një nga keqkuptimet më të kushtueshme në biznesin modern.
Organizatat të cilat në fund do të udhëheqin ekonominë e IA-së nuk do të jenë ato që bëjnë njoftimet më të bujshme ose ngarendin pas çdo modeli të ri që del në treg. Do të jenë ato që nuk do ta shohin më privatësinë si pengesë dhe do të fillojnë ta trajtojnë atë si infrastrukturë. Ato do ta kuptojnë se mbrojtja e informacionit të ndjeshëm dhe nxjerrja e vlerës prej tij nuk janë më përparësi që bien ndesh me njëra-tjetrën.
Drejtuesit e biznesit kanë të drejtë ta hedhin poshtë eksperimentimin e pamend. Ata duhet të vënë në dyshim çdo furnizues i cili premton një transformim të lehtë përmes IA-së. Ata duhet të kërkojnë qeverisje më të fortë, transparencë më të madhe dhe teknologji që mund të përballojnë shqyrtimin rregullator, duke përmbushur njëkohësisht objektivat e organizatës së tyre.
Ajo që nuk duhet të bëjnë është të lejojnë që skepticizmi të shndërrohet në paralizë.
Çdo ditë që të dhënat e vlefshme të ndërmarrjeve mbeten të papërdorura, është një ditë më shumë gjatë së cilës konkurrentët i afrohen zgjidhjes së problemeve që dikur dukeshin të pamundura. Çdo nismë e shtyrë lë të pashfrytëzuara mundësitë për të përmirësuar rezultatet e pacientëve, për të forcuar zbulimin e mashtrimeve, për të optimizuar zinxhirët e furnizimit, për të përshpejtuar zbulimet shkencore ose për të ofruar përvoja më të mira për klientët.
Gara e IA-së nuk do të fitohet prej organizatave me buxhetet më të mëdha. Ajo do të fitohet nga ato të cilat më në fund mësojnë si ta përdorin informacionin që kanë kaluar dekada duke e mbledhur, pa sakrifikuar besimin që e bëri të mundur mbledhjen e tij qysh në fillim.
Inteligjenca artificiale nuk ishte menduar kurrë të zëvendësonte gjykimin njerëzor. Ajo ishte menduar ta fuqizonte atë.
Por, gjykimi është aq i mirë sa është njohuria mbi të cilën mbështetet. Nëse ndërmarrjet vazhdojnë t'i trajtojnë të dhënat e tyre më të vlefshme si diçka tepër të rrezikshme për t'u përdorur, ato jo vetëm që do ta kufizojnë potencialin e IA-së. Do ta kufizojnë edhe të ardhmen e tyre. /Telegrafi/


































