LAJMI I FUNDIT:

Përfundon seanca e Kuvendit, Gashi iu bën thirrje të gjitha partive që të japin propozime për projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

Përfundon seanca e Kuvendit, Gashi iu bën thirrje të gjitha partive që të japin propozime për projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike
Foto: Arkiv

Pas shumë orë diskutimesh, ka përfunduar seanca e Kuvendit të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që të kalojë në lexim të parë projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

Në seancë Gashi ka kërkuar nga deputetët që të propozojnë secila nga partitë për këtë projektligj dhe të gjitha ato propozime t’i bashkojnë në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

“Të ulemi bashkë dhe të harmonizojmë projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Meqenëse është e vërtetë që PDK e ka propozuar projektligjin për masat emergjente ekonomike qysh në muajin prill. Por, një pjesë e konsiderueshme janë të tejkalueshme se kanë të bëjnë me fazën emergjente. Me siguri edhe LVV ka çështje të rëndësishme që mund të përfshihen. Unë në emër të Grupit Parlamentar por edhe të Qeverisë së Kosovës, ju propozojë që të kalojmë bashkë projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike dhe gjitha këto propozime t’i inkorporojmë në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike”, ka deklaruar ai.

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se vazhdimi i seancës plenare vazhdon të hënën.

Vazhdimi i seancës plenare është paraparë të nisë në orën 10:30. /Telegrafi/