LAJMI I FUNDIT:

Përfundoi takimi i 14-të i Komitetit të Përzier Parlamentar – Maqedonia dhe BE

Përfundoi takimi i 14-të i Komitetit të Përzier Parlamentar – Maqedonia dhe BE

Në ditën e dytë të takimit të 14-të të Komitetit të Përzier Parlamentar – Republika e Maqedonisë dhe BE-së – Komitetit Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim është debatuar për marrëdhëniet ndëretnike, fqinjësisë dhe bashkëpunimit rajonal, implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, ligji për përdorimin e gjuhëve dhe për aktivitetet pas Samitit në Trieste, në suaza të Procesit të Berlinit.

Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë dhe deputetët e Parlamentit Evropian me shumicë votash miratuan Rekomandime përfundimtare deri te institucionet e Republikës së Maqedonisë dhe të Bashkimit Evropian. Nga ana e Maqedonisë në takim morën pjesë deputetët Goran Milevski, Antojnio Milloshoski, Zhaklina Llazarevska, Rexhep Memedi, Betian Kitev dhe Ejup Alimi.


Siç theksohet në kumtesë të publikuar në faqen e internetit të Parlamentit të Maqedonisë, në takim është theksuar se elemente të rëndësishme në procesin e zgjerimit të BE-së janë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal dhe janë përshëndetur më shumë nisma dhe procese rajonale të cilat i japin dinamikë dhe impuls shtesë procesit të zgjerimit.

Lidhur me marrëdhëniet ndëretnike në Republikën e Maqedonisë, siç qëndron, ishte theksuar se implementimi i Marrëveshjes së Ohrit në mënyrë të pandashme është i lidhur me procesin e integrimit evropian të vendit.

Implementimi i plotë i Marrëveshjes ishte vlerësuar si gurthemel për ndërtim të mëtejshëm të shoqërisë demokratike me karakter multietnik, si kornizë për sigurimin e ardhmërisë së demokracisë në Maqedoni dhe mundësim të zhvillimit të marrëdhënieve më të afërta dhe më të integruara midis Republikës së Maqedonisë dhe bashkësisë ndërkombëtare.