LAJMI I FUNDIT:

Perëndimi dhe ISIS: Kush po e fiton betejën politike?

Perëndimi dhe ISIS: Kush po e fiton betejën politike?

Klementin Mile

Menjëherë pas sulmit terrorist të kësaj jave në Berlin, ku mbetën të vdekur 12 persona dhe 56 të tjerë u plagosën, mediat perëndimore shkruan se përgjegjësinë e këtij sulmi e mori përsipër ISIS. Po të pyesësh dikë se ku qëndron lajmi këtu, me siguri do të thotë që lajm është numri i madh i viktimave, ose lajm është fakti që sulmi ndodhi në një vend me forca rendi të nivelit të lartë, ose lajm është mënyra e sulmit, që të kujton sulmin terrorist në Nisë. Me siguri askush nuk do ndalej te fakti që përgjegjësinë për sulmin e mori përsipër ISIS. Kjo pasi ky nuk është lajm; tashmë jemi mësuar me marrjen e përgjegjësisë së sulmeve nga ana e organizatave terroriste dhe nuk na bën aspak përshtypje.


Për mua lajmi është pikërisht ky i fundit: fakti që me një lehtësi të papërballueshme shprehet fjala ‘përgjegjësi’ dhe pastaj vijohet me lajmet e tjera. Duhet kuptuar që politika, para së gjithash, është aktivitet njerëzor që realizohet përmes gjuhës. Beteja politike fitohet ose humbet gjuhësisht. Deri tani shohim që Perëndimi po e humbet betejën ushtarake me ISIS-in, përderisa nuk po arrin të ruajë dhe mbajë sigurinë për qytetarët e vet. Por, para kësaj, Perëndimi është duke humbur edhe betejën politike.

Të thuash, ashtu si bëjnë mediat perëndimore, që ISIS mori përgjegjësinë për sulmin terrorist të Berlinit, do të thotë t’i japësh kësaj organizate terroriste të drejtën për të pretenduar një koncept politik të rëndësishëm si ‘përgjegjësia’. Duket se gjuha politike e Perëndimit është varfëruar deri në atë pikë sa nuk arrin dot më të dallojë një organizatë terroriste nga një parti politike ose një qeveri e zgjedhur lirisht me votën e popullit. Siç shprehemi shpesh, përgjegjësia i takon partisë, ose qeverisë. Por a jemi të justifikuar t’ia atribuojmë përgjegjësinë edhe një organizate terroriste? Çfarë jemi duke bërë kur e bëjmë këtë? Dhe çfarë tregon kjo gjë për filozofinë politike perëndimore?

Si shumë koncepte të tjera, edhe koncepti i përgjegjësisë ka ardhur në gjuhët europiane nga latinishtja. Fjala latine responsabilis në fundin e shekullit XIII i dha jetë fjalës franceze responsable, që pastaj në fundin e shekullit XVI prodhoi ekuivalentin anglez përmes fjalës responsible. Kjo fjalë mori kuptimin e të qenit i përgjegjshëm ndaj dikujt për diçka. Pra, sipas traditës së filozofisë politike që u zhvillua më pas, përgjegjshmëria nuk është gjë tjetër veçse aftësia për të dhënë përgjigje për diçka, kur kjo përgjigje të kërkohet (aftësia për llogaridhënie). Në këtë mënyrë koncepti i ‘përgjegjshmërisë’ filloi karrierën e vet në mendimin politik dhe ndihmoi të flitet për ‘qeveri të përgjegjshme’, për ‘sundimtar të përgjegjshëm’, për ‘shoqëri civile të përgjegjshme’ etj. Lidhur pazgjidhshmërisht me të u zhvillua koncepti i ‘përgjegjësisë’, i cili ka kuptimin e ‘autorësisë’. Por autori, si përgjegjës, duhet të jetë i përgjegjshëm. Pra, kushdo që merr përsipër autorësinë e një veprimi (ose mosveprimi), duhet të ketë aftësinë për të dhënë përgjigje për të, nëse kjo i kërkohet. Në regjimet demokratike të Perëndimit përgjegjësinë për veprimet dhe mosveprimet e marrin qeveritë dhe partitë, të cilat janë të përgjegjshme ndaj elektoratit. Po në rastin e ISIS-it, i cili pretendon të jetë përgjegjës për aktet terroriste që kryen dhe kjo përgjegjësi i njihet nga mediat perëndimore, ndaj kujt është e përgjegjshme kjo organizatë?

Nëse është e përgjegjshme ndaj elektoratit të vendeve demokratike perëndimore, problemi është se ky elektorat nuk e ka mandatuar për të qenë përgjegjës. Nëse, nga ana tjetër, ISIS është i përgjegjshëm ndaj ndonjë pjese tjetër të popullsisë së botës (bie fjala ndaj një numri individësh në vendet arabe), atëherë elektorati perëndimor thjesht ka mbetur pa zë, pa zgjedhje, pa mundësi për të kërkuar llogari dhe, në këtë mënyrë, nuk ekziston më fare si elektorat. Pra, media perëndimore, duke e cilësuar ISIS-in përgjegjës në sytë e elektoratit perëndimor, i ka dhënë kësaj organizate terroriste mundësinë të shfaqet politikisht në Perëndim, por, nga ana tjetër, Perëndimi e ka të pamundur t’i kërkojë ISIS-it përgjegjshmëri. Ky divorc i përgjegjësisë me përgjegjshmërinë e ka ndihmuar ISIS-in të përfitojë politikisht prej së parës (duke ia njohur autoritetin politik) dhe të jetë i paprekshëm prej së dytës (llogaridhënies).

ISIS nuk i jep llogari elektoratit perëndimor për sulmet e veta. Mbase nuk i jep llogari as ndonjë elektorati tjetër në vendet arabe. Mbase, kjo organizatë terroriste i jep llogari vetëm Zotit. Por, për sa kohë perëndimorët do e përjetojnë ISIS-in vetëm si autor (përgjegjës) të akteve terroriste, ata do i japin të drejtën për të pretenduar ekzistencë politike sikundër çdo organizatë tjetër. Sa i përket përgjegjshmërisë, llogaridhënies, perëndimorët mbetet ta imagjinojnë ISIS-in si një organizatë tiranike, pasi, sipas traditës së filozofisë politike perëndimore, tiranët nuk i japin llogari popullit mbi të cilin veprojnë. Por imagjinata vetëm e konfirmon, nuk e zgjidh problemin.

Në trend

Më shumë
Qeveria e Kosovës me draft-statut për Asociacionin frymëzuar nga FES, do ta dorëzojë në Kushtetuese

Qeveria e Kosovës me draft-statut për Asociacionin frymëzuar nga FES, do ta dorëzojë në Kushtetuese

Lajme
Flet i dyshuari që plagosi kryeministrin sllovak - tregon motivin pse e kreu atentatin ndaj Ficos

Flet i dyshuari që plagosi kryeministrin sllovak - tregon motivin pse e kreu atentatin ndaj Ficos

Evropa
Vrasja e policit në Fier, momenti kur Azgan Mërnica vetëdorëzohet duke qeshur

Vrasja e policit në Fier, momenti kur Azgan Mërnica vetëdorëzohet duke qeshur

Lajme
Është më i vogël se një fushë futbolli dhe ka 1000 banorë: Shikoni si duket ishulli më i populluar në botë

Është më i vogël se një fushë futbolli dhe ka 1000 banorë: Shikoni si duket ishulli më i populluar në botë

Afrika

"SHBA të çojë dronë në Kosovë", Serwer: Vuçiq do "Serbinë e madhe", Asociacioni pas njohjes së Kosovës nga Serbia

Lajme
Bruno Fernandes zbulonte të ardhmen, por intervista e tij ndërpritet nga Ten Hag

Bruno Fernandes zbulonte të ardhmen, por intervista e tij ndërpritet nga Ten Hag

Premier League
Kalo në kategori