LAJMI I FUNDIT:

Për tetë muaj mblidhen mbi 18 milionë euro nga tatimi në pronë

Për tetë muaj mblidhen mbi 18 milionë euro nga tatimi në pronë

Nga janari e deri në gusht janë arkëtuar 18 milionë e gjysmë euro në emër të Tatimit në Pronë.

Drejtori i Departamentit të Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave, Shkëlzen Morina, ka deklaruar se këtë vit i kanë tejkaluar planifikimet në mbledhjen e tatimit. Ai tha se këtë vit, afati i fundit për të paguar tatimin pa kamata është 30 shtatori.


Kurse, data e pagesës së tatimit në pronë për këstin e dytë për vitin 2019 është 30 shtator. Kështu, u drejtohet Departamenti i Tatimit në Pronë qytetarëve për t’i njoftuar se data e fundit e pagesës së tatimit për këtë vit ka ndryshuar. Drejtori i këtij departamenti, Shkëlzen Morina, tregon për Radio Kosovën, se pse ketë vit është ndryshuar data.

“Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Tatimin në Pronë, datat e pagesës janë ndryshuar. Arsyeja e ndryshimit të afatit të këstit të dytë, kanë qenë kërkesat e komunave që mjetet e grumbulluara gjatë vitit tatimor të shfrytëzohen deri në fund të dhjetorit”, u shpreh ai.

Morina thotë se pas datës 30 shtator, për ata që nuk e paguajnë këstin e dytë të tatimit në pronë, do të ketë kamata ndëshkuese konform ligjit. Ai shton se në tetë mujorin e parë të këtij viti është rritur arkëtimi i tatimit.

“Tatimi në pronë më shumë ka të bëjë me çështjen e ngarkesës tatimore. Kjo ngarkesë për vitin 2019 llogaritet të jetë rreth 29.5 milionë. Jemi shumë të kënaqur me mbledhjen e tatimit në pronë për tetë mujorin e parë, ku janë mbledhur 18.5 milionë euro”, tha Morina.

Ai duke iu bërë thirrje qytetarëve që të kryejnë obligimet ligjore, tregoi për Radio Kosovën se borxhi i papaguar për tatim në pronë, nga viti 2001 deri me tani është mbi 100 milionë euro. Ai tha se një pjesë e konsiderueshme nga ky borxh është për pronat që janë nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Drejtori i Departamentit të Tatimit në Pronë tha se një numër i madh i qytetarëve kishte shfrytëzuar ligjin për faljen e borxheve publike që kishte filluar së zbatuari në vitin 2015. /Telegrafi/