Për shkak të thirrjes kundër Gazës, kongresisti amerikan humbi edhe mbështetjen e grupeve lobuese izraelite

Kongresisti republikan, Randy Fine ka humbur mbështetjen e AIPAC-ut, grupit më të fuqishëm lobist pro-izraelit në SHBA, pas komenteve të turpshme ku bëri thirrje për urinë e banorëve të Gazës.
Më 22 korrik, Fine shkroi në rrjetin social X se banorët e Gazës "duhet të vazhdojnë të vdesin nga uria derisa të lirojnë pengjet."
Ai shtoi gjithashtu se përhapja e urisë në Gaza është një gënjeshtër dhe se "nuk pushon së habituri që mediat përhapin propagandë myslimane".
Për shkak të këtyre komenteve, duket se Fine ka humbur mbështetjen e AIPAC-ut, i cili më parë e kishte përkrahur si verbalisht ashtu edhe financiarisht – me një shumë prej 400 mijë dollarësh.
AIPAC mban një listë të politikanëve "pro-izraelitë" në faqen e tij, dhe emri i Fine nuk figuron më aty. Edhe pse nuk ka një shpjegim zyrtar, besohet se mbështetja është tërhequr për shkak të këtyre deklaratave skandaloze.
Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe Komiteti Amerikan Hebraik, i cili kritikoi Fine-in “situata serioze humanitare në Gaza nuk duhet të merret lehtë, sidomos nga ata në nivelet më të larta të qeverisë. Të sugjerosh se uria është një taktikë e pranueshme është e papranueshme. Të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë humanitare duhet ta marrin atë shpejt dhe në mënyrë të sigurt. Liderët tanë duhet të merren më pak me pikë politike dhe më shumë me detyrat e tyre”.
Pavarësisht këtyre pasojave, Fine ka vazhduar me retorikën e tij të turpshme, duke deklaruar se "uria masive në Gaza është një gënjeshtër."
Kujtojmë se në Gaza kanë vdekur dhjetëra persona nga uria, përfshirë edhe fëmijë. Presioni ndërkombëtar për këtë situatë ka bërë që qeveria izraelite të lejojë “pauza humanitare” gjatë ofensivës së saj në Gaza, për të mundësuar hyrjen e ushqimeve të nevojshme në këtë enklavë. /Telegrafi/

















































