Për Prizrenin...

Qyteti i historisë së lashtë e i “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, i “Zambakut” dhe i “Dokufestit”, i Lumëbardhit e i trashëgimisë shumë të vlefshme dhe të bukur kulturore. Sigurisht se bëhet fjalë për qytetin e dytë më të madh në Kosovës, Prizrenin, qytetin i cili duhet patjetër të vizitohet së paku nga çdo shqiptar; qytet në të cilin mund të përjetohet njëkohësisht ritmi mahnitës i rrjedhës së “Lumëbardhit” me ndjenjën e bukur të ecjes nëpër kalldrëmin më të bukur në Kosovë, në Shatërvanin historik.
Ndërkohë që pamja që të ofron Kalaja antike dhe shtigjet e ecjes përreth saj janë “zijafet” në vete. Kur flasim për Prizrenin normalisht që nuk duhet harruar as koloritin etnik, fetar dhe linguistik të saj që për shekuj me radhë kanë bashkëjetuar dhe vazhdojnë të bashkëjetojnë në një harmoni të rrallë e cila shpesh është marrë si shembull i bashkëjetesës për shumë popuj dhe civilizime tjerë.
Të gjitha këto janë nuanca të vogla por pjesë të një tërësie e cila vlen të shihet, të shijohet dhe me një vullnet të lartë të mbrohet fillimisht nga secili qytetar i Prizrenit dhe më pas me një mençuri dhe kujdes të veçantë edhe nga institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.
Them edhe të institucioneve qendrore, duke përfshirë Kuvendin dhe Qeverinë, sepse (mos)veprimet e tyre shpesh po rezultojnë me dëme kolosale për këtë qytet dhe në qoftë se veriun e Kosovës, përkatësisht Mitrovicën, e cilësojmë si çerdhe të krimit ekonomik, jugun e Kosovës, përkatësisht Prizrenin, lirisht mund ta cilësojmë si çerdhe të krimit ambiental. Prevalla, Drini, Lumëbardhi janë vetëm disa nga dëshmitë e këtij krimi por gjithsesi jo të vetmit.
Kur jemi tek Prevalla e ndjej për obligim të potencoj se prizrenasit janë tej mase të irrituar me veprimet e individëve të caktuar në Prevallë duke përfshirë edhe krerët e institucioneve shtetërore, të partive opozitare apo edhe bizneseve të dyshimta, që në kurriz të banorëve të fshatrave përreth dhe më gjerë, e shfrytëzojnë atë perlë në mënyrën më të egër të mundshme.
Kur gjithë këtyre ua shtojmë edhe tendencën e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për miratimin e Ligjit për Zonën Historike të Prizrenit, e cila praktikisht këtij qyteti ia “dhuron” një kryetar të dytë, kreun e Kishës Ortodokse Serbe, prizrenasit me mundësi të madhe do të fillojnë të pyeten se për çka u nevojiten institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, për ruajtjen zhvillimin e vlerave Prizrenit apo për shkatërrimin e tyre?
Në këtë rast institucionet qendrore mund të cilësohen me fat sepse prizrenasit këtë pyetje tashmë kanë filluar ta shtrojnë për institucionet lokale. Kanë filluar të pyeten sepse pushteti lokal në Prizren ka marrë iniciativë për shkatërrimin e Prevallës dhe po ato ende insistojnë të vazhdohet me këtë proces dhe nuk e ndalojnë këtë krim;
Kanë filluar të pyeten sepse pushteti lokal në Prizren lejon shkatërrimin e mëtejmë të shtratit të Drinit;
Kanë filluar të pyeten sepse pushteti lokal në Prizren lejon që shtrati i Lumëbardhit të shndërrohet “mal” dhe kontejner të mbeturinave;
Kanë filluar të pyeten sepse pushteti lokal në Prizren tenton të shkatërrojë e djegë objekte historike, kulturore por edhe të administratës komunale dhe në shumë raste ia del por arsyetim se ato janë relikte të ish pushtetit, duke harruar që vetë ata veprojnë dhe punojnë pikërisht në objektet në të cilat janë marrë vendimet më të rënda për qytetarët e Prizrenit dhe më gjerë;
Kanë filluar të pyeten sepse pushteti lokal në Prizren ka bërë që Komuna e Prizrenit të shndërrohet në shkelësin më të madh të ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Kosovës si Ligji për Arsim, Ligji për Qasje në Dokumente Zyrtare, Ligji për Gjuhët e të tjera;
Kanë filluar të pyeten sepse pushteti lokal në Prizren në vend që t`i mbështesë në çdo formë zejet që janë në zhdukje e sipër në këtë qytet, ajo përkundrazi mbledh taksa nga to;
Kanë filluar të pyeten sepse pushteti lokal në Prizren...
Sigurisht që secili nga Ju do të ketë shumë për të shkruar në vend të këtyre tre pikave. Por ajo çka është me rëndësi në këtë moment është nevoja e rritjes së guximit të veprimit qytetar dhe vetëbesimit të qytetarëve për t`i dalë në mbrojtje qytetit tonë, gjuhës sonë, kulturës dhe vlerave tona, trashëgimisë tonë dhe shumë e shumë elementeve tjera që na bëjnë të ndihemi krenar me Prizrenin tonë.
Shpresoj që Prizreni sa më parë të ç`lirohet nga retë e zeza që ia kanë zënë dritën...
(Autori është bachelor i Shkencave Politike)




































