Putini e ka poshtëruar Britaninë në Kanalin Anglez


Duhet të ketë pasoja për përgjegjësit dhe të jepen dorëheqje. Duhet të ketë më shumë fonde për mbrojtjen.
Nga: Lewis Page, ish-oficer i Marinës Mbretërore Britanike / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Britania tani ka pësuar poshtërimin përfundimtar. Një luftanije ruse në Kanalin Anglez është ndier e lirë të qëllojë me të shtëna paralajmëruese ndaj një jahti paqësor me flamur britanik, dhe jo vetëm që kemi zgjedhur të mos bëjmë asgjë për këtë, por në fakt nuk mund të bëjmë asgjë - falë dobësimit të vazhdueshëm, prej shumë vitesh, të mbrojtjes sonë. Sikur dorëheqja e fundit e ministrave të Mbrojtjes, John Healey dhe Al Carns, të mos kishte qenë tashmë provë e mjaftueshme, qeveria tani duhet ta kuptojë se më në fund ka ardhur koha për një rritje të madhe në financim të mbrojtjes.
Pra, çfarë ka ndodhur?
Një jaht me flamur britanik, ende i paidentifikuar, duket se kaloi pranë fregatës ruse Admiral Grigorovich. Për çfarëdo arsyeje, rusët qëlluan një të shtënë paralajmëruese ndaj jahtit. Ky incident ndodhi rreth 20 milje detare në jug të Ishullit të Uajtit: teknikisht jashtë kufirit prej 12 miljesh [19.3 kilometra] që përcakton ujërat territoriale britanike, por shumë pranë hapësirës sonë detare - ose më saktë, brenda vetë shtëpisë sonë detare.
Kur luftanijet e fuqive armike kalojnë nëpër Kanal, është praktikë normale që Marina Mbretërore t’i shoqërojë ose t’i mbajë nën vëzhgim. Fatkeqësisht, tani kemi kaq pak luftanije të gatshme për det, saqë është bërë rutinë të përdoren, për këtë detyrë, anije çminimi pothuajse të paarmatosura ose anije patrullimi - apo edhe anije po aq të pafuqishme të Flotës Ndihmëse Mbretërore, me ekuipazh nga marinarë civilë të flotës tregtare. Këtë mëngjes [të martën], Grigorovich-i po ndiqej nga HMS Mersey, një anije patrullimi e klasës River me zhvendosje prej 1 700 tonësh.
Anijet e klasës River, seria Batch 1, njëjtë si Mersey, janë të armatosura me vetëm një top të lehtë 20 milimetërsh dhe një palë mitraloza. Në termat detarë, kjo është pothuajse njësoj sikur të mos ishin fare të armatosura.
Fregatat e klasës Grigorovich (ajo është anija që i jep emrin klasës së saj) konsiderohen të vogla mes luftanijeve, me 4 000 tonelata zhvendosje, por ndryshe nga klasa River, ato janë luftanije të mirëfillta, të ndërtuara dhe të armatosura për luftim. Tubat raketorë të Grigorovich-it mund të lëshojnë raketa lundruese Kalibr, të cilat mund ta godisnin lehtësisht Londrën nga Kanali - ose edhe nga shumë më larg (dhe Londra nuk ka mbrojtje efektive ajrore). Përndryshe, ato mund të ngarkohen me raketat supersonike kundër anijeve Oniks. Grigorovich-i disponon gjithashtu një gamë raketash kundërajrore dhe është e pajisur me armë të tjera të shumta, përfshirë një kullë të fuqishme artilerie me top 100 milimetërsh.
Nëse HMS Mersey do të kishte guxuar të ndërhynte në mbrojtje të jahtit, ajo do të ishte shkatërruar pa pasur mundësi përgjigjeje. Nuk është aspak e qartë se cili është qëllimi i anijeve të tilla që ndjekin luftanije të fuqishme, por kjo është situata normale në Kanal dhe ka qenë e tillë për një kohë të gjatë.
Situata bëhet edhe më e keqe. Ne ende kemi disa (shumë pak) luftanije të vërteta, por edhe sikur të kishim mundur të gjenim një të tillë këtë mëngjes, ajo me shumë gjasë nuk do të kishte armë që do ta shqetësonin fregatën ruse. Marina Mbretërore tani ka vetëm shtatë fregata dhe gjashtë destrojerë, vetëm një pjesë e vogël e të cilave janë aktualisht të gatshme për lundrim, ndërsa të paktën njëra prej tyre ndoshta nuk do të jetë më kurrë. Nga këto 13 anije, vetëm tri janë aktualisht të armatosura me raketa që mund të përdoren kundër një anijeje tjetër. Dhe, nuk ka ngushëllim as te Forca Ajrore Mbretërore (RAF): ajo nuk zotëron fare raketa kundër anijeve dhe, për rrjedhojë, do të mund të mbahej lehtësisht në distancë nga armatimi i fuqishëm kundërajror i Grigorovich-it.
Ne kemi disa nëndetëse sulmuese me energji bërthamore, dhe këto do të përbënin një kërcënim serioz për çdo kundërshtar detar, por sigurisht që të gjitha janë të ankoruara në port dhe të papërshtatshme për dalje në det. Infrastruktura jonë e mbështetjes së nëndetëseve është po aq e degraduar sa pjesa tjetër e mbrojtjes.
Të dielën, marinsat mbretërorë, të transportuar me helikopter, morën nën kontroll një cisternë të flotës së fshehtë ruse, Smyrtos. Është mirë që ajo nuk shoqërohej nga një fregatë ruse, siç ndodh me shumë cisterna të kësaj flote kur kalojnë nëpër Kanal, sepse operacioni me shumë gjasë nuk do të kishte shkuar mirë. Smyrtos-i tani është e ankoruar pranë Uejmuthit dhe e vërteta është se, nëse Grigorovich-i do të përpiqej ta rimerrte, nuk do të kishim çfarë të bënim për ta penguar.
Ky është një pozicion i poshtërimit të plotë për Britaninë. Nuk erdhi papritur: kemi rënë në gjendjen aktuale gjatë shumë viteve. Ministrat e Mbrojtjes, komandantët e Marinës Mbretërore dhe shefat e Shtabit të Mbrojtjes duhej të kishin dhënë dorëheqjen prej dekadash, jo vetëm javën e kaluar. Tani duhet të ketë përgjegjësi reale dhe dorëheqje. Banorët e Numrit 10 [Kryeministria] dhe Numrit 11 [Thesari] duhen, më në fund, të detyrohen të kuptojnë se mbrojtja ka nevojë për shumë më tepër financim - menjëherë, pavarësisht kostos dhe pavarësisht se karrierës së kujt duhet t’i vijë fundi.
Kjo nuk është më çështje e veprimit “para se të jetë tepër vonë.” Tashmë është tepër vonë për të ruajtur besueshmërinë tonë kombëtare. Le të shpresojmë që të mos jetë tepër vonë për ta rifituar atë një ditë. /Telegrafi/


































