LAJMI I FUNDIT:

Për përdoruesit e drogës do të ndërtohet Instituti i Sëmundjeve të Varësisë

Për përdoruesit e drogës do të ndërtohet Instituti i Sëmundjeve të Varësisë

Në Ditën Botërore kundër abuzimit dhe trafikimit të drogave u tha se në Kosovë është duke u rritur numri i personave që abuzojnë me substanca narkotike, dhe kryesisht adoleshentët janë më të prekurit.

Shefja e repartit të Sëmundjeve të Varësisë, Samire Gashi – Braina tha se në Kosovë dita-ditës ka një trend të rritjes së përdoruesve të narkotikëve.


Ajo tha se në këtë repart trajtim mjekësor kanë marrë 101 persona kurse deri në këtë periudhë të vitit 2019, 49 persona kanë kërkuar trajtim dhe rehabilitim.

Sipas Brainës, i rëndësishëm është ndërtimi i institutit të sëmundjeve të varësisë më qëllim të një trajtimi më serioz të gjendjes.

Pashk Buzhala nga Ministria e Shëndetësisë tha se si ministri janë për të ngritur vetëdijen dhe edukimin në parandalimin e përdorimit të drogave.

Sipas tij, MSH ka rregulluar terapinë zëvendësuese Metadon i cili jepet në disa qendra të Kosovës.

Edhe ai theksoi se së shpejti do të ndërtohet instituti për sëmundjet e varësisë pasi që mjetet janë ndarë por kanë pasur problem me gjetjen e hapësirës dhe që tani në bazë të disa ekspertëve është rekomanduar të ndërtohet brenda hapësirave të QKUK-së.

Drita Zajmi nga Instituti i Shëndetit Publik tha se në Kosovë nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i përdoruesve të drogave.

Sipas saj, IKSHP do të filloj regjistrimin populativ me qëllim të dihen të dhënat.

Zajmi tha se numri i abuzuesve me substanca narkotike është më i madh në vendet urbane sesa ato rurale./Telegrafi/