LAJMI I FUNDIT:

Për partiturën e baletit të parë shqiptar, “Halili dhe Hajria”

Për partiturën e baletit të parë shqiptar, “Halili dhe Hajria”

Nga: Vasil Tole

Fjalimi i mbajtur me rastin e 95-vjetorit të lindjes se kompozitorit Tish Daija, që ka nxitur Akademinë e Shkencave të botojë partiturën e baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, vënë në skenë më 1963.

Mirë se kini ardhur në këtë veprimtari shkencore jubilare dhe përuruese që organizohet nga Akademia e Shkencave, Komisioni i Artit dhe Trashëgimisë në bashkëpunim me Fakultetin e Muzikës në Universitetin e Arteve, për të promovuar partiturën e baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria” me muzikë të kompozitorit Tish Daija dhe me libret dhe koreografi të Panajot Kanaçit. Kjo veprimtaria organizohet në 95 vjetorin e lindjes së akademikut Tish Daija!


Muzika përveçse shijohet përmes dëgjimit, studiohet dhe analizohet duke konsultuar partiturën muzikore, aty ku kompozitori lë gjurmët e artit të tij. Muzika profesioniste shqiptare është një fenomen i lidhur ngushtë me konceptin e shkollave kombëtare në muzikë, të cilat u krijuan kryesisht pas lindjes së shteteve kombe në shek. XIX-XX. Muzika jonë zë fill me kontributet e Palok Kurtit në vitet e Lidhjes së Prizrenit 1878, për të vazhduar në fillimin e shek. XX me të parin kompozitor profesionist Lec Kurtin, me Martin Gjokën, për të vijuar në vitet 1920-1930 me Thoma Nassin, Kristo Konon, e më pas Fan S. Nolin. Prej asaj kohe, muzika e kompozuar prej tyre, ka mbetur e shkruar me penë ose laps, dhe vetëm në disa raste si tek Thoma Nassi apo Fan S. Noli shohim edhe botimin e partiturave muzikore, kjo për shkak të veprimtarisë së tyre në ShBA.

Pas çlirimit të vendit, krijohet klasa e kompozitorëve profesionistë të muzikës, kryesisht të shkolluar në ish-Bashkimin Sovjetik, si Ҫesk Zadeja, Dhora Leka, Tish Daija, Albert Paparisto, Tonin Harapi, Kozma Lara etj. Si rezultat në vitin 1956 kemi të parën simfoni shqiptare të Zadejës, të parën opera të Jakovës “Mrika” më 1958 dhe të parin balet shqiptar “Halili dhe Hajria” të Tish Daisë. Edhe këto vepra madhore të muzikës sonë, janë shkruar përsëri me penë ose me laps, dhe vetëm pjesërisht para viteve 1990 patën mundësinë që përmes veprimtarisë së Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore e cila funksiononte edhe si shtëpi botuese, të shihnin dritën e botimit. Pas viteve 1990, interesi për botimet muzikore është shumë i paktë dhe nuk ka asnjë hapësirë për botime, me përjashtim të nismave private edhe këto për botime kryesisht komerciale. Këtë “fat”, pra që partitura të botohej, nuk e pati as baleti “Halili dhe Hajria”, për disa arsye.

Duhet të pohojmë se historia e këtij baleti është me plot gojën një histori suksesi. Premiera e baletit u bë me 13 janar 1963 ne Teatrin e Operas dhe Baletit (sot Akademia e Arteve). Ne vitin 1983 me rastin e 20 vjetorit te vënies në skenë, jane ri orkestruar disa numra nga baleti. Eshtë shfaqur afro 300 herë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë. Kjo trupë e ka shfaqur baletin jashtë vendit në turnete e Greqisë (1983), në Itali (1991) dhe në Festivalin “Vera e Ohrit, (2005). Në Francë ky balet është venë në skenë me artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit Clermond-Ferrand (1980), me koreograf Brice Leroux. Baleti është shfaqur vënë në skenë gjithashtu edhe në Kosovë nga Ansambli i Baletit të Teatrit Krahinor të Prishtinës në vitin 1979.

Dirigjentët dhe orkestrat që kanë interpretuar baletin, në Shqipëri dhe jashtë saj, kanë përdorur gjatë intepretimeve partiturën origjinale të kompozitorit, e cila me kalimin e viteve filloi të degradojë, si në pikëpamje të shikueshmërisë (karboni i notave fshihet për shkak të fërkimit), apo se faqe partiture humbasin ose ngatërrohen, kjo pasi muzika e baletit mund të jenë interpretuar pjesë të ndryshme të cilat shkëputeshin nga trupi i partiturës origjinale etj). Ka pasur raste kur numra të caktuara prej tij janë riorkestruar mbështetur regjistrimit muzikor integral të baletit, pasi pjesë të partiturave kanë humbur. Pra sot që po flasim nuk ka një botim të baletit, për më tepër një botim që ti referohet partiturës origjinale të krijuar nga kompozitori dhe akademiku ynë Tish Daija.

Sa më sipër, Akademia e Shkencave si enti botues më i madh i shkencës në Shqipëri vendosi që të përjetësojë përmes botimeve të saj të vitit 2020 edhe partiturën historike të baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria”. Për të ardhur deri në këtë moment, Gust Daija, djali i kompozitorit Tish Daija i cili është kompozitor gjithashtu, në bashkëpunim me kolegë të tij, shkencëtarë në fushën e muzikologjisë dhe kompozicionit, ndërmori nismën për sistemimin përfundimtar të partiturës së baletit përmes:

1. Notizimit të plotë të partiturës origjinale të Tish Daisë aty ku ajo është e plotë

2. Plotësimin e notave të fshira ose gjysmë të dukshme duke krahasuar klaviret e muzikës me partiturën orkestrale.

3. Përfshirjen e të gjithë numrave muzikorë të baletit në një partiturë të vetme, kjo referuar regjistrimit muzikor dhe atij me video të baletit, pra duke krahasuar premierën me variantet që dolën më pas.

4. Unifikimin e të gjithë partiturës mbështetur edhe kujtimeve dhe bisedave që akademiku Tish Daija ka shprehur për të, si vullnet i vetëm i autorit të tij.

Sot ky kalvar i gjatë përfundoi dhe kemi në duar partiturën e plotë të baletit “Halili dhe Hajrija”, vepër e cila këtë vit do të pasohet edhe me 4 veprat për orkestër simfonike të Fan S. Nolit dhe besoj që vitin tjetër do të kemi edhe botimin e të parës simfoni shqiptare, atë të Ҫesk Zadesë, në kuadrin e 95 vjetorit të lindjes së tij. Botimi i partiturës historike të baletit të parë shqiptar do ti shërbejë një larmie të madhe përdoruesish, nga dirigjentët brenda e jashtë vendit, kompozitorëve të rinj dhe muzikologëve, bibliotekave të specializuara ose jo, nxënësve dhe studentëve të muzikës, dashamirësve, koleksionistëve etj.

Ju faleminderit për vëmendjen.

/Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori