LAJMI I FUNDIT:

Për kriptovalutat dhe bankat: Pse ta rishpikim rrotën monetare?

Për kriptovalutat dhe bankat: Pse ta rishpikim rrotën monetare?

Krizat ekonomike kanë qenë kohë bumi për eksperimente monetare dhe kolapsi ekonomik i vitit 2008-2009 nuk qe ndryshe. Kjo gjë lidhet me ndjesinë instiktive se problemet ekonomike duhet të kenë shkaqe monetare dhe për këtë arsye zgjidhje monetare. Ose ka shumë para që shkakton inflacion, ose shumë pak, që çon në depresion. Ndaj, qëllimi i reformuesve monetarë – mes të cilëve ka gjithnjë kokëfortë e sharlatanë – ka qenë “të mbahet paraja në rregull” dhe të parandalohen ulje-ngritjet e saj nga shqetësimi i ekonomisë “së vërtetë” të prodhimit dhe tregtisë.

Një motiv tjetër për reformë monetare ka qenë të ndërhyhet më thellë në rendin aktual. Nëse luhatjet monetare janë shkaku kryesor i luhatjeve ekonomike dhe nëse dikush mund të sigurojë sasinë e duhur të parave për të mbështetur aktivitetit normal të biznesit, nuk do të ketë nevojë për ndërhyrje qeveritare. Ky ka qenë mësimi kryesor i ekonomistëve lidhur me tregjet e lira.

Pak e kujtojnë lehtësimin sasior (QE) që shënoi fillimin e Marrëveshjes së Re të presidentit amerikan Franklin D. Roosevelt. Me SHBA-të në standardin e arit, Thesari bleu ar për të ngritur çmimin e tij dhe kështu rriti fuqinë blerëse të fermerëve të zhytur në borxhe. Pazari me arin e FDR-së, përshkruar në atë kohë nga John Maynard Keynes si “standardi i dehur i arit”, është hedhur poshtë si joefektiv. Por, për të kundërshtuar kolapsin e vitit 2008, kryetari monetar i Rezervës Federale Amerikane, Ben Bernanke dhe bankierë të tjerë kryesorë e rigjallëruan atë në formën e blerjeve masive të obligacioneve qeveritare. “Politika jotradicionale monetare” – Keynes me siguri do ta quante “sistemi bankar qendror i dehur” – ishte mekanizmi standard i rikuperimit. Megjithëse shumica e parasë së re u la mënjanë ose u përdor për spekulim, lehtësimi sasior ia doli të ndalojë thirrjet për një politikë fiskale ekspansioniste.

Reforma bankare u promovua gjithashtu përpara të dyja krizave ekonomike. Në vitin 1933, Neni amerikan Glass-Steagall ndaloi pronarët e bankave tregtare nga spekulimi i depozitave të klientëve të tyre. Pas vitit 2009, legjislacioni amerikan Dodd-Frank, Raporti Vickers në Mbretërinë e Bashkuar dhe raporti Liikanen në Bashkimin Evropian synonin të bënin sistemin bankar më “të qëndrueshëm” përballë “tronditjeve”. Megjithëse tronditjet e bankave ishin pasoja, jo shkaku, i tronditjeve në ekonomi, kjo u shpërfill: rikthe paratë dhe bankat në rend, argumentohej, dhe tronditjet do të ndalojnë.

Ky është konteksti në të cilin duhet kuptuar ngritja e kriptovalutës – shpërthimi më i fundit monetar. Këto “sisteme ekonomike elektronike mes dy njerëzve” synojnë të kurojnë sëmundjet ekonomike me mjete monetare, por këtë herë duke anashkaluar bankat. Përse na duhen këta ndërmjetësues të sëmurë, pyesin shpikësit e kriptovalutës, kur mund të krijojmë ruajtje elektronike dhe sisteme transaksioni, të siguruara për përdoruesit dhe të padukshëm për kontrolluesit e ardhshëm?

Detajet teknike të sistemeve të brezit të parasë së re janë të vështira për t’u kapur; frymëzimi i tyre jo dhe aq. Lansimi i Bitcoin-it në janar 2009 rastisi njëkohësisht me krizën bankare. Bankat falimentuan ose u shpëtuan nga falimenti prej taksapaguesve. Është e kuptueshme që njerëzit donin të gjenin një mënyrë për të mbajtur paratë dhe transkasionet e tyre financiare larg bankave në dështim dhe autoriteteve taksuese të pangopura. Kriptovaluta e re ofronte një zgjidhje.

Shumë motive ndodhen pas shfaqjes së Bitcoin-it, jo më pak mundësi për spekulim, trafikim droge dhe pastrim parash. Por, pas motiveve të pista fshihet ëndrra e Friedrich Hayek për një treg të lirë të parasë. Hayek e prezantoi propozimin e tij për valuta konkurruese të krijuara privatisht gjatë krizës inflatore të mesit të viteve 1970, që ai ia atribuoi kreditit tepricë të krijuar nga bankat qendrore. “Nëse duam që të mbijetojë sipërmarrja e lirë”, argumentoi ai, “nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të zëvendësojmë monopolin qeveritar të valutës dhe sistemet valutore kombëtare me konkurrencën e lirë. Qeveria nuk mund të ndalohet nga keqpërdorimi i parasë, shkroi Hayek. “Qeveria ka dështuar, duhet të dështojë dhe do të vazhdojë të dështojë të furnizojë me para për mirë”.

Bitcoin-i mund të shihet si një përpjekje për të përdorur teknologjinë e re të ndalojë paranë nga keqpërdorimi. Për shembull, furnizimi total i Bitcoin-ëve është fiks, siç do të ishte – pak a shumë – për një valutë të mbështetur nga ari. Paradoksalisht, megjithëse është krijuar nga hiçi, nuk do të ofrojë mundësi për “krijim” parash. Bitcoin do të “shfrytëzohet” në sasi të vogla derisa të sterrojë në vitin 2040, pasi të ketë shpërndarë 21 milionë monedha digjitale. Me fjalë të tjera, nuk ka elasticitet në valutë. Kjo do të thotë se përpara se të shterojë miniera, valuta do të kalojë në të njëjtat probleme si ari standard: duke mos ofruar mjaftueshëm para për të mbështetur një ekonomi dhe popullatë në rritje. Kjo do të përkeqësohet nga çdo tendencë për të mbledhur Bitcoin.

Në të njëjtë kohë, kriptovalutat nuk ofrojnë siguri kundrejt inflacionit. Hayek mendoi se një sistem konkurrues valute do të çojë me kalimin e kohës në një monopol që do ta mbante më mirë vlerën e tij. Por, ne kemi kaluar nëpër të njëjtin proces të dëbimit të valutave inflatore përgjatë historisë dhe përfunduam me bankat qendrore. Është e çuditshme që dikush ta shohë të nevojshme rishikimin e këtyre hapave, për të përfunduar në të njëjtin vend.

Fakti është se shoqëritë njerëzore nuk kanë zbuluar mënyrë më të mirë për ta mbajtur vlerën e parasë konstante veçse duke u mbështetur te bankat qendrore për të ushtruar kontroll mbi këtë çështje dhe për të vepruar direkt ose indirekt në vëllimin e kreditit të krijuar nga sistemi bankar komercial. Diagnoza Hayekiane e krizës së fundit – krijimi me tepricë i kreditit nga bankat – është korrekte për aq sa mund të gjykohet. Por duhet pyetur pse ndodhi kjo për të kuptuar se nuk ka përgjigje mekanike ndaj pyetjes apo zgjidhjeve të problemit. Nuk është e vërtetë të themi “kujdesu për ekonominë dhe paraja do të kujdeset për veten”. Por është më pranë të vërtetës sesa besimi se reforma monetare në vetvete do të kurojë problemet e një ekonomie të sëmurë. /Project Syndicate/BIRN/