ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka njoftuar se, duke filluar nga e marta, mërgimtarët që vijnë në qytet me automjete me targa ndërkombëtare do të kenë në dispozicion parkingje pa pagesë në disa hapësira publike të komunës.

Në një postim në Facebook, Peci ka bërë të ditur se vendimi është marrë për shkak të fluksit të shtuar të mërgatës gjatë sezonit veror dhe nevojës për krijimin e hapësirave shtesë për parkim.


“Nga nesër, Komuna e Mitrovicës, bazuar në prezencën e madhe të mërgatës në Mitrovicë dhe nevojën për parkingje shtesë, ka vendosur që të vërë në dispozicion për parkim pa pagesë për veturat me targa ndërkombëtare hapësirat e institucioneve të komunës”, ka shkruar Peci.

Sipas njoftimit, parking falas do të ofrohet në këto lokacione:

  • Parkingu para dhe prapa objektit të Komunës së Mitrovicës;
  • Parkingu i Palestrës Sportive “Minatori”;
  • Parkingu i Bibliotekës së Qytetit;
  • Parkingu i Muzeut të Qytetit.

Kryetari i Mitrovicës u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që t’i shfrytëzojnë këto hapësira me përgjegjësi.

“Lutem mërgimtarët që parkingjet t’i shfrytëzojnë në mënyrë racionale”, ka apeluar Peci. /Telegrafi/