LAJMI I FUNDIT:

PDK: Ministria e Infrastrukturës keqpërdori mbi 9 milionë euro, nënshkroi 42 kontrata një burimore 

PDK: Ministria e Infrastrukturës keqpërdori mbi 9 milionë euro, nënshkroi 42 kontrata një burimore 

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demoktratike të Kosovës, Abelard Tahiri në një konferencë për media, tha se nga 22 marsi 2021, pra nga dita e parë e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti e deri me 7 prill të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës ka keqpërdorur paratë e taksapaguesve përmes procedurës së shpërblimit e marrëveshjeve nën tavolinë.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar 42 kontrata një burimore.


“Ministria e udhëhequr nga Liburn Aliu dhe bashkë hisedari i tij Hysen Durmishi, për një vit, kanë lidhur gjithsej 42 kontrata për punë shtesë në vlerë mbi 9 milionë euro, të cilat nuk janë zhvilluar përmes procedurave të rregullta të prokurimit. Në këtë sipërmarrje korruptive, ekipet tona të juristëve dhe ekonomistëve kanë evidentuar një numër të konsiderueshëm të shkeljeve, të cilat jo vetëm që shkelin dispozitat e ligjit, por përbëjnë aktivitet të hapur korruptiv dhe vepër të pastër penale, dhe të cilat do të duhej e do të duhet të trajtohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.”, tha ai.

Tahiri shtoi se ky është një rast i paprecedent.

“Të shpenzohen 9 milionë euro në mënyrë të negocime në punë të paparashikuara është një dëm jashtëzakonisht i madh”, ka thënë Tahiri.

Ai ka potencuar se në Ministrinë e Infrastrukturës nuk ka pasur procese prokurimi, por tenderomani pa procedura tenderësh.

“Shkeljet e evidentuara dhe abuzimi me paranë publike në këtë rast, përbëjnë vepër të pastër penale, dhe mbi këtë bazë, ne do të përgatisim kallëzim penal për secilin akter të përfshirë”, potencoi ai.

Kurse, deputetja Eliza Hoxha ka argumentuar shkeljet e Ligjit për Prokurimin Publik, të bëra nga Ministria e Infrastrukturës, ku sipas saj 90 për qind e kontratave të lidhura e kanë tejkaluar vlerën e kontratës, duke i shkaktuar dëme buxhetit shtetëror prej 10 për qind të vlerës së kontratave bazë.

“Ligji në fuqi për Prokurimin Publik shprehimisht kërkon që autoritetet kontraktuese duhet të marrin të gjitha veprimet e nevojshme për të ulur procedurën e negociuar, në mënyrë që prokurimi të siguroj konkurrencë. MI-ja gjatë përdorimit të këtyre procedurave ka shkelur nenin 35 të këtij Ligji, sepse nuk janë përmbushur kushtet ligjore. Neni i 18-të që fletë për vlerën e parashikuar shprehimisht përcakton se, vlera e parashikuar e kontratës është e barabartë me çmimin që duhet paguar nga autoriteti kontraktues”, tha Hoxha.

“Mbi 90 për qind e këtyre kontratave e kanë kaluar vlerën, gjë që dëshmon për procese të montuara, keq planifikim, tejkalim të kufirit buxhetor, duke i shkaktuar kështu buxhetit dëme prej 10 për qind të kontratave bazë, e kjo vlerë nënkupton mbi 9 milionë euro. Në shtatë kontrata të kësaj ministrie janë të plotësuar paraprakisht çmimet, madje në njërën prej tyre, përveç çmimit është e shënuar edhe emri i kompanisë që duhet t’i jepet kontrata”, ka shtuar ajo.

Hoxha theksoi se shumica e këtyre kontratave janë nënshkruar nga zëvendësministri Hysen Durmishi, derisa legjislacioni në fuqi nuk e parasheh këtë.

“Shkelje tjetër ligjore, që karakterizon katër kontrata është mospublikimi i tyre së bashku me kushtet e kontratës. Si shkelje tjetër është edhe nënshkrimi i shumicës së kontratave nga zëvendësministri Hysen Durmishi”, theksoi Hoxha.

Ndërsa, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Bernard Nikaj tha se kjo është një super aferë e Qeverisë Kurti, në të cilën pushtetarët kanë ndarë nën tavolinë, rreth 9 milionë euro nga taksat e qytetarëve.

“E gjithë kjo ndërmarrësi korruptive, e bën shumë të qartë se nuk kemi të bëjmë me procese prokurimi. Kemi të bëjmë me fenomenin e pastër të tenderomanisë. Dhe për më keq, tenderomanisë pa procese e procedura tenderësh të hapur. Shkeljet e evidentuara dhe abuzimi me paranë publike në këtë rast, përbëjnë vepër të pastër penale, dhe mbi këtë bazë, ne do të përgatisim kallzim penal për secilin akter të përfshirë”, theksoi Nikaj. /Telegrafi/