LAJMI I FUNDIT:

PDK kërkon nga pozita të mos e bllokojë formimin e Komisionit Hetimor për energjinë

PDK kërkon nga pozita të mos e bllokojë formimin e Komisionit Hetimor për energjinë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu -Kodra, ka kërkuar nga deputetët e pozitës që ta përkrahin në seancën e nesërme të Kuvendit themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë.

Në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën, deputetja Deliu-Kodra ka thënë se bllokada që shumica parlamentare po ia bën formimit të këtij komisioni dëshmon se “diçka po fshihet në këtë proces”.


“Në kohën kur çmimi i energjisë elektrike është rritur për 100 për qind, natyrisht ka pasur një rritje që ka afektuar qytetarët e Republikës së Kosovës dhe në të njëjtën kohë shihet se qeveria ka subvencionuar me 125 milionë euro energjinë elektrike në kohë të krizës. Ndërkohë që ne kemi ngritur dilemat tona, sepse nuk kemi asnjë informatë se ku kanë shkuar mjetet e subvencionimit të energjisë elektrike”, është shprehur deputetja e opozitës, raporton Telegrafi.

Opozita lëshon mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, shkak Komisioni Hetimor
Lexo po ashtu Opozita lëshon mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, shkak Komisioni Hetimor

Ajo ka ngrehur shqetësimin që televizioni publik nuk e ka publikuar konferencën e së martës ku ka folur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

“Dje në një konferencë Abelard Tahiri me shifra të sakta konkrete ka mbajtur konferencë. Kronika e djeshme në edicionin qendror të lajmeve në RTK ka munguar. Sot nga selia e PDK-së them që ky është një sulm ndaj fjalës së lirë dhe censurë që po e bën qeveria. Pres nga RTK-ja të sqarohet për këtë shkarje”, ka thënë Deliu-Kodra.

LDK është pro themelimit të dy Komisioneve Hetimore për Energji
Lexo po ashtu LDK është pro themelimit të dy Komisioneve Hetimore për Energji

Ndërkaq, Bernard Nikaj nga kjo parti ka thënë se PDK-ja e përkrah çdo iniciativë për hetim të çështjeve që prej shpalljes së pavarësisë.

“Është shumë e rëndësishme që çështja e Komisionit Hetimor të inicuar nga opozita dhe çështja e Komisionit Hetimor të iniciuar sot nga GP i Lëvizjes Vetëvendosje janë dy çështje të ndara. Aq sa është e rëndësishme që të hetohet e kaluara, edhe më e rëndësishme është të hetohet menaxhimi i krizës energjetike, koston e të cilit po e mbajnë qytetarët e Kosovës në faturat e tyre të rrymës”, ka deklaruar ai./Telegrafi/

Blerta Deliu-Kodra dhe Bernard Nikaj në konferencë për media