LAJMI I FUNDIT:

​PDK kërkon heqjen e TVSH-së në faturat e energjisë

​PDK kërkon heqjen e TVSH-së në faturat e energjisë

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që të hiqet TVSH-ja nga faturat e energjisë elektrike.

Këtë kërkesë së bashku me 6 të tjera i paraqiti deputeti Ferat Shala në seancën e Kuvendit të Kosovës e për të cilën tha se do të mundësojë që dimri të tejkalohet më lehtë.

Shala tha se sektori energjetik në vend është duke u përballur me mungesë të likuiditetit financiar dhe kjo sipas tij po ndodhë ndër të tjera edhe për fajin e Qeverisë së Kosovës.

“E para është moszbatimi i qeverisë për ndarjen e subvencionit në vlerë prej 100 milionë euro e cila ka bërë që furnizuesi për shërbim publik të kërkojë nga ZRRE hapjen e shqyrtimit të jashtëzakonshëm (të tarifave) pra qeveria ka mashtruar sektorin tash e 6 muaj dhe po hyjmë në një fazë krejt të re. E dyta, është rritja enorme në bursën ndërkombëtare. Faktori i tretë është keqmenaxhimi i KEK-ut si prodhues kryesor energjetik në vend i cili aktualisht është para kolapsit. Pa mirëmbajtje, pa përgatitje të punës në miniera, pa furnizim me lëndë të parë e shumëçka tjetër”, deklaroi Shala.

Shala tha se si parti janë të brengosur dhe të shqetësuar që në mungesë të reagimit të qeverisë qytetarët mund të përballen me një rritje tjetër të çmimeve e cila sipas tij do të jetë e papërballueshme dhe do te këtë mungesë të energjisë.

Sipas tij, qeveria duhet të marrë masa të shpejta dhe të duhura për të menaxhuar situatën në muajt e ardhshëm pasi nuk do të jetë e lehtë.

Ai ka dhënë edhe 7 rekomandime të PDK-së për qeverinë.

“Të largojë TVSH-në nga faturat e energjisë elektrike. Çmimi për tarifën e linjitit të zvogëlohet nga 3 euro për ton sa është sot, në 0.26 cent për ton. Të vendosë obligime për gjeneratorët publike KEK dhe hidrocentrali Ujmani duke vendosur një çmim fiks për shitje të energjisë elektrike tek furnizuesi publik. E ky çmim nuk duhet të kalojë vlerën 29 euro për megavat orë. Çdo kosto shtesë për gjeneratorët vendorë të mbulohet nga Qeveria e Kosovës për sa të shihet e nevojshme. Të përjashtojë çdo procedurë dhe udhëzim burokratik dhe të përshpejtojë çdo udhëzim administrativ të nevojshëm dhe legjislativ duke filluar për ndërtimin e kapaciteteve të reja në fushën e burimeve të ripërtërishme të energjisë. Të krijojë një fond të posaçëm për subvencionim direkt të konsumatorëve duke zëvendësuar kaldajat për ngrohje me pajisjet e tjera efiçencë të cilat do të mundësonin ngrohje me konsum më të vogël dhe kosto më të ulët për qytetarët. Të krijojë mekanizma nxitës për qytetarët për kursim të energjisë dhe të krijojë një plan veprimi për komunikim me qytetarët e Republikës”, tha Shala.