LAJMI I FUNDIT:

PBB duhet të korrektohet, jo të zëvendësohet

PBB duhet të korrektohet, jo të zëvendësohet

Urs Rohner

Ekonomistë të respektuar prej kohësh kanë treguar se prodhimi i brendshëm bruto është një matje e pasaktë e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies shoqërore dhe, për rrjedhojë, nuk duhet të jete fiksimi i vetëm i politikëbërësve. Megjithatë ne nuk jemi afruar fare me gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme për një alternativë ndaj PBB-së.

Një mangësi e njohur e PBB-së është që ajo nuk merr parasysh vlerën e punës në shtëpi, përfshirë kujdesin për fëmijët dhe për të moshuarit. Më e rëndësishmja, përcaktimi i një vlere monetare për aktivitete të tilla nuk do të zgjidhë defektet më të mëdha te PBB: paaftësinë e këtij treguesi për të reflektuar në mënyrë të përshtatshme eksperiencën e përjetuar nga anëtarë të caktuar të shoqërisë. Korrektimi për punën në shtëpi mund të inflacionojë PBB-në, ndërsa nuk sjell dallim real në standardet e jetesës. Dhe gratë që përbëjnë pjesën dominuese të njerëzve që kryejnë punë në shtëpi mund të vijojnë të trajtohen si vullnetare dhe jo si kontribuuese reale në ekonomi.

Një defekt tjetër i njohur i PBB-së është që ajo nuk merr parasysh shkatërrimin e vlerës, të tillë kur vendet keqmenaxhojnë kapitalin e tyre njerëzor duke penguar arsimimin e grupeve të caktuara demografike, apo kur shfrytëzojnë deri në fund burimet natyrore për përfitime ekonomike të atypëratyshme. Në fund të fundit, PBB ka tendencën që të masë asetet në mënyrë të pasaktë ndërsa nuk mat fare pasivet, ose detyrimet e akumuluara për krijimin e këtyre aseteve.

Megjithatë, nuk ka një konsensus ndërkombëtar për një PBB alternative ndonëse ka pasur progres frymëzues drejt një mënyre më të mirë të të menduarit mbi aktivitetin ekonomik. Më 1972, ekonomisti i universitetit të Jellit, William Nordhaus, si dhe James Tobin, propozuan një kuadër të ri, “matjen e mirëqenies ekonomike” (MEW sipas akronimit në anglisht), për të marrë parasysh aktivitetet e papaguara. Dhe, së fundmi, Kina ka zhvilluar një tregues të “zhvillimit të gjelbër”, e cila konsideron performancën ekonomike krahas faktorëve të ndryshëm mjedisorë.

Për më tepër, vendimmarrësit e sektorëve publikë apo privatë tashmë kanë shumë më tepër mjete në dispozicion për të bërë zgjedhje më të sofistikuara nga sa kishin në të shkuarën. Në anën e investitorëve, kërkesa për të dhëna mbi mjedisin, shoqërinë dhe qeverisjen po rritet me shpejtësi. Dhe, në sektorin publik, organizata të tilla si Banka Botërore kanë përshtatur metrika të tjera përveç PBB-së për të vlerësuar cilësinë e jetës, përfshirë jetëgjatësinë e pritshme në lindje dhe aksesin në arsim.

Në të njëjtën kohë, debati rreth prodhimit kombëtar bruto ka marrë peshë. Megjithëse ky tregues ndan elementët bazë me PBB-në, PKB është më i rëndësishëm në epokën e sotme të globalizuar, për shkak se ai merr parasysh të ardhurat e gjeneruara nga korporatat nën pronësi të huaja dhe banorët e huaj. Në këtë mënyrë, në një vend ku korporatat e huaja kanë një pjesë domethënëse të prodhimit dhe aseteve të tjera, PBB do të inflacionohet ndërsa PKB do të tregojë vetëm të ardhurat që vendi ka realisht. (shiko grafikun)

Irlanda është një shembull i njohur se si PKB është përdorur për të korrektuar paqartësitë e krijuara nga PBB. Më 2015, Irlanda raportoi se PBB e saj u rrit me një normë të pabesueshme prej 26.3 për qind. Siç vërejti një studim pune i OECD në tetor 2016, ky episod ngriti pyetje serioze mbi aftësinë e kuadrit konceptual të llogarive për të përkufizuar PBB-në në mënyrë të përshtatshme për të reflektuar realitetin ekonomik.”

Studimi i OECD-së del në konkluzionin se PBB nuk është një indikator i besueshëm për mirëqenien materiale të një vendi. Në rastin e Irlandës, rritja marramendëse brenda një viti e PBB-së së saj rezultoi nga “zhvendosja” prej korporatave shumëkombëshe të disa përfitimeve ekonomike të caktuara – konkretisht të ardhurave nga e drejta e pronësisë intelektuale – në llogaritë e tyre të përgjithshme. Për të trajtuar hendekun në rritje mes zhvillimit ekonomik real dhe PBB-së së raportuar, Zyra Qendrore e Statistikave të Irlandës propozoi një version të modifikuar të PKB-së, (njohur si GNI*) për vitin 2016.

Hendeku mes PBB-së dhe PKB-së me gjasa do të mbyllet shpejt në juridiksione të tjera gjithashtu. Në një studim të fundit pune, Urooj Khan nga Shkolla e Biznesit të Kolumbias, Suresh Nallareddy i Universitetit Duke dhe Ethan Rouen nga Shkolla e Biznesit të Harvardit vunë në dukje dallimin mes “rritjes së fitimeve të korporatave dhe rritjes së përgjithshme të ekonomisë së SHBA-së” mes viteve 1975 dhe 2013. Ata gjejnë se gjatë kësaj periudhe, rritja mesatare e fitimit në SHBA ishte më e lartë se sa rritja e PBB-së sa herë që norma vendëse e tatimit mbi fitimet korporative ishin më të larta se sa normat e tatimit në vende të tjera të OECD-së.

Në dhjetor, kjo mospërputhje u trajtua me miratimin e Ligjit për Uljen e Taksave dhe të Punës të vitit 2017. Duke ulur shkallën e taksimit të fitimeve të korporatave në një nivel konkurrues me botën dhe duke dhënë kushte më të mira për riatdhesimin e fitimeve, paketa e taksave pritet të zhvendosë fitimet e korporatave pas në Shtetet e Bashkuara. Për rrjedhojë, dallimi mes PBB-së dhe PKB-së ka gjasa do të zvogëlohet si në SHBA ashtu edhe në Irlandë, ku shumë korporata të mëdha të SHBA-së kanë mbajtur paratë e veta.

Duke parë përpara, unë mund të sugjeroj që politikëbërësit të përqendrohen më shumë në tre pika. E para, siç demonstrohet më sipër, vendimmarrësit përkatës sakaq po trajtojnë shumë defekte të PBB-së, gjë që është inkurajuese. E dyta, vendimmarrësit e sektorit publik dhe atij privat tashmë kanë instrumente të shumta në dispozicion për vlerësim më të mirë të pasojave mjedisore dhe shoqërore të veprimeve të tyre.

Dhe, e treta, në biznes nuk duhet që ajo që është e përsosur të bëhet armik i së mirës. Ne nuk kemi zgjidhur të gjitha problemet që lidhen me PBB-në, por ne kemi ecur goxha në reduktimin e shumë defekteve. Në vend që të kërkojmë një kuadër të ri çorientues treguesish për të zëvendësuar teknikat aktuale të statistikave dhe të analizave, ne duhet të përqendrohemi në bërjen e ndryshimeve të mirëmenduara në sistemin ekzistues. /Project Syndicate/reporter.al/

Në trend

Më shumë

"Unë thjeshtë dua të luaj futboll" - Vini Jr me një gjest të shëmtuar në miqësore, Laporte tallet me të pas ndeshjes

La Liga
I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

Bundesliga
'Mallkimi Kate Middleton': Princesha ishte shtrirë në spital edhe në vitin 2012, infermierja e saj bëri vetëvrasje pak kohë pasi zbuloi pa dashje gjendjen e saj

'Mallkimi Kate Middleton': Princesha ishte shtrirë në spital edhe në vitin 2012, infermierja e saj bëri vetëvrasje pak kohë pasi zbuloi pa dashje gjendjen e saj

Magazina
Arabia Saudite merr pjesë për herë të parë në

Arabia Saudite merr pjesë për herë të parë në "Miss Universe", bukuroshja Rumy Alqahtani do t'i përfaqësojë në garën e bukurisë

Magazina
Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Zbulohet se sa do të jetë

Zbulohet se sa do të jetë "kostoja ditore" nga shembja e urës në Baltimore

Amerika
Kalo në kategori