LAJMI I FUNDIT:

PayPal bën hyrje të bujshme në tregun kinez

PayPal bën hyrje të bujshme në tregun kinez

Ndërsa kompanitë perëndimore po përpiqen me shumë vështirësi të hyjnë në biznesin e madh të pagesave digjitale, PayPal ka siguruar një licencë të suksesshme për të ofruar shërbime të këtyre pagesave në Kinë, pas blerjes së një shumice aksionesh nga një kompani kineze.

Banka Popullore e Kinës ka aprovuar blerjen e PayPal, në një nivel prej plot 70 për qind të aksioneve nga firma vendase GoPay dhe njoftimi zyrtar është publikuar të hënën nga të dyja kompanitë. PayPal madje ka deklaruar se ky transaksion e bën atë firmën e parë të huaj të licencuar që do të sigurojë shërbime të pagesave dixhitale në Kinë, përcjell Telegrafi.


Kushtet e marrëveshjes, e cila pritet të mbyllet deri në fund të vitit 2019, nuk janë zbuluar ende. Ajo që dihet është se GoPay është një ofrues i vogël i pagesave që funksionon në tregjet kineze në mënyrë të ngjashme me PayPal. Ajo lejon të interesuarit të kryejnë pagesa me kartë direkt nga faqet e tyre në internet.

Kompanitë amerikane të pagesave dhe kartave të kreditit kanë vite që përpiqen të depërtojnë në tregjet e ekonomisë së dytë më të madhe në botë, ku klasa e mesme në rritje nënkupton edhe një treg në rritje të konsumatorëve që kërkojnë hua, karta krediti dhe shërbime online të transferimit të parave. Nga ana tjetër, vitet e fundit, qeveria kineze u ka hapur derën firmave të huaja që të aplikojnë për licenca për rrjetet e pagesës në vend, por procesi i miratimit ka qenë i ngadaltë. Kështu, vetëm duke marrë në pronësi shumicën e aksioneve të GoPay, PayPal fitoi qasje në licencën e firmës kineze për të ofruar shërbime pagesash online.

WSJ: Visa dhe MasterCard mund të tërhiqen nga projekti i kriptovalutës Libra
Lexo po ashtu WSJ: Visa dhe MasterCard mund të tërhiqen nga projekti i kriptovalutës Libra

“Ne presim me entuziazëm partneritetin me institucionet financiare të Kinës dhe platformat e teknologjisë, duke siguruar një numër më të lartë mundësish pagese për bizneset dhe konsumatorët, si në Kinë ashtu edhe në tregjet globale”, tha drejtori i përgjithshëm i PayPal, Dan Schulman në një deklaratë, përcjell Telegrafi.

Marrëveshja i hap derën PayPal të përpunojë transaksionet dixhitale në Kinë, të cilat vlerësohen të arrijnë në triliona. Por ky mund të mos jetë treg i lehtë për të depërtuar. Shërbimet e pagesave dixhitale kineze, ofruar nga Alibaba me AliPay dhe Tencent me WeChat Pay kanë mbizotëruar tregun, duke e bërë më të lehtë për tregtarët të përdorin shërbimet e tyre dhe të pranojnë pagesa nga telefonat celularë në vend që të përfshihen në procese komplekse pagesash me kartë krediti.

PayPal: Njerëzit preferojnë ende monedhat për pagesë
Lexo po ashtu PayPal: Njerëzit preferojnë ende monedhat për pagesë

Vetëm një kompani tjetër amerikane ka hyrë me sukses në tregun kinez. Vitin e kaluar, American Express mori miratimin paraprak nga Banka Popullore e Kinës për të filluar ndërtimin e një rrjeti të brendshëm të zhdoganimit dhe pagesave, përmes ndërmarrjes së përbashkët me partnerin kinez LianLian Group. Në çdo treg tjetër në botë, American Express përpunon transaksionet përmes rrjetit të vet, me bazë në Arizona. Por në Kinë, është kërkuar që procesi i përpunimit të transaksioneve të monitorohet nga gjiganti i pagesave i kontrolluar nga shteti China Union Pay.

Mastercard dhe Visa gjithashtu janë përpjekur të ofrojnë shërbime të tilla në Kinë. /Telegrafi/