Intervistë me shkrimtaren dhe studiuesen Lea Ypi
Bisedoi: Andreas Dushi

E dashur Lea, ju vini në gjuhën shqipe me librin tuaj të fundit “Free” shqipëruar “Të lirë”. Është botuar me shumë pak kohë ndërmjet në Angli nga “Penguin Books” e mandej në Shqipëri nga “Dudaj”. Ju, aq sa autore e tekstit në anglisht jeni edhe përkthyese e tij në shqip. Në kontekstin e bashkëjetesës ndërmjet dy kulturave e dy gjuhëve, si e keni krijuar raportin tuaj me tekstin? Ai i përket më tepër Anglisë apo Shqipërisë, jo si subjekt, por si tërësi objektive e asaj çka ofron? 

Si tërësi objektive mendoj se librat nuk kanë përkatësi kombëtare. Kur janë të arrirë, i përkasin njerëzimit në përgjithësi dhe besoj se pikërisht këtë komunikim universal me lexuesin synon çdo autor. Në rastin e librit “Të lirë” çështja kryesore që trajtohet është ajo e lirisë. Në thelb të tij është mënyra se si ajo konceptohet nga individë të ndryshëm, si premtohet në rrethana të veçanta historike e si individët zhgënjehen për arsye të ndryshme, në sisteme të ndryshme politike. Në përgjithësi libri trajton tema me të cilat shpresoj të njehsohet çdo lexues, jo vetëm shqiptar apo britanik por edhe ata që nuk janë as britanikë e as shqiptarë. Natyrisht që konteksti i rrëfimit është Shqipëria, hapësira e krijuar për reflektim është ajo e tranzicionit nga socializmi në liberalizëm, përvojat janë të dikujt që është rritur në Shqipëri dhe disa nga materialet kërkimore mbi të cilat jam mbështetur për të rrëfyer ngjarjet apo për të përshkruar personazhet kanë të bëjnë me historinë dhe politikën shqiptare. Në këtë pikëpamje – le të themi më teknike sesa filozofike – mendoj se libri i ka një detyrim shpirtëror Shqipërisë më shumë se çdo vendi tjetër.

Reklama
Reklama

Për komunizmin jemi mësuar kryesisht të lexojmë nga pika prej ku shihnin disidentët, me bindjen se ajo çka po jetonin nuk ishte ashtu sikurse propagandohej. Qasja që sjell “Të lirë” është e re, më natyrale, më njerëzore. Pse keni zgjedhur pikërisht këtë mënyrë trajtimi?

Në libër ka një përpjekje për të mos e treguar historinë e Shqipërisë në tridhjetë vitet e fundit në këndvështrimin e një autori të pjekur. Duke qenë se bëhej fjalë për një libër mbi temën e lirisë doja që lexuesit të ishin sa më të lirë nga ndërhyrja e autorit në interpretimin e ngjarjeve dhe kontekstit. Për këtë arsye zgjedhja stilistike e librit është e ngjashme me atë të shumë librave të tjerë letrarë ku nëpërmjet rrëfimit të një personazhi naiv autori vë më mirë në pah botëkuptimin e personazheve të tjerë dhe është në gjendje t’i japë më shumë nuanca një konteksti historik dhe politik veçanërisht problematik. Pikërisht për këtë arsye, historia është ajo e një vajze që bën kapërcimin nga fëmijëria në moshën madhore në rrethana ku evolucioni i saj personal përkon me evolucionin, ose më saktë revolucionin, e një populli nga një sistem politik në tjetrin. Pra është një histori formimi, si në nivel individual ashtu edhe në atë kolektiv dhe në të dyja rastet zbulimi i vetvetes ndodh në mënyrë traumatike. Në rastin personal kapërcimi është traumatik pasi dy burimet kryesore të formimit të identitetit, shteti dhe familja, bien në kundërshti me njëra tjetrën ndërsa në rastin e popullit është traumatike pasi liria e vërtetë në fakt shpaloset gjithnjë si zhgënjim. Por libri nuk i jep zgjidhje këtyre konflikteve, thjesht i vë ato në pah duke iu shmangur një një interpretimi të vetëm.

Reklama
Reklama

Personazhet janë njerëz realë e, jam i prirur të besoj se edhe ngjarjet po ashtu: vishen nga një shtresë e hollë trillimi por në vetvete janë jetuar apo dëgjuar ashtu sikurse ruhet në thelbin e të treguarit. Sipas jush, në ç’kategori duhet përfshirë ky libër? Letërsi, kujtime, esse, filozofi…? 

Besoj se mund të përfshihet në disa kategori. Ka pjesë filozofike, pjesë letrare, pjesë historike dhe pjesë nga ditaret e mia të shumë viteve më parë që kanë hyrë në libër në formën në të cilën janë shkruar në atë kohë. Në përkufizimin e katalogut të agjencisë që merret me të drejtat e librit zhanri quhet “auto-theory”– pra një vepër letrare që merr shkas nga jeta e autorit për të sjellë tek lexuesi reflektime mbi tema të ndryshme filozofike dhe politike që shpalosen në kapitujt e ndryshëm të librit përmes përvojave jetësore të autorit. Në secilin nga kapitujt trajtohet një teme e veçantë, si censura politike, marrëdhëniet me botën e jashtme, çështjet e emigracionit, të barazisë gjinore etj. Por edhe kjo ndarje nuk është e përpiktë dhe unë personalisht nuk besoj se etiketimet kanë edhe aq tepër rëndësi. Për mua mjafton që libri të lexohet e të nxisë mendimet e atyre që e marri në dorë, pavarësisht nga përkufizimi i formës letrare.

Reklama
Reklama

Forca e mendimit përmbledhur në personazhin e Ninit dhe naiviteti fëminor përmbledhur në personazhin e Leas… Përveç dashurisë gjyshe-mbesë, këto dy personazhe çfarë i përafron e përbashkon?

Personazhi i Ninit është boshti moral i librit – ajo e koncepton lirinë si ndërgjegjësim i domosdoshmërisë dhe njëkohësisht edhe si përgjegjësi për t’u qëndruar vështirësive të jetës duke mbrojtur vlera morale që nuk reduktohen dot në parulla ideologjike. Nëse mund të flitet për një ide kryesore në libër, ajo është që asnjë sistem sado shtypës që të jetë nuk mund ta nëpërkëmbë dinjitetin e njeriut deri në pikën kur ai humbet aftësinë morale për të bërë dallimin midis të mirës dhe të keqes. Kur humbet këtë aftësi morale, njeriu humbet vullnetin për të luftuar, besimin tek vetja dhe shpresën se gjërat mund të ndryshojnë. Nini mishëron pikërisht këtë ide: ajo është udhëzuesja morale e Leas së vogël, që duke patur përvojën e ndryshimit të sistemeve mund të udhëzoje mbesën e ta ndihmojë të përshtatet me risitë e jetës së saj. Ajo gjithashtu e ndihmon personazhin fëmijë të dallojë të vërtetën nga mashtrimi dhe të gjejë besimin tek vetja edhe në rrethana kërcënuese. Mbi të gjitha ajo i ushqen shpirtin kritik dhe kërkesën për t’u udhëhequr gjithnjë nga arsyeja, përtej konformizmit dhe nihilizmit.

Reklama
Reklama

Vetëdijësimi për lirinë, çfarë ajo në të vërtetë është, duket të ketë qenë një proces gati traumatik. Si mendoni, gjithmonë kështu jetohen thyerjet e besimeve të ngulitura thellë e zëvendësimet e tyre me besime të tjera?

Kjo është një pyetje e vështirë, përgjigjja ndaj të cilës me siguri ndryshon nga individi në individ. Mendoj se pasojat e çarjeve të tilla në jetën e dikujt ndjehen gjatë gjithë jetës dhe vendimet tona i pasqyrojnë ato në mënyra të ndryshme në periudha të ndryshme kohore. Për mua vetë shkrimi i librit ka qenë një mënyrë për të kuptuar pasojat e kësaj vetëdijeje por me siguri ky proces nuk ka marrë fund aty. Them se pasojat e vërteta të identiteteve që formohen mënyrë traumatike njihen thellë vetëm në fund të jetës. Deri tani, besoj se ajo që ka mbetur e ngulitur tek unë është një lloj dyshimi rreth shumë të vërtetave që të tjerët mund t’i marrin si të mirëqena si edhe dëshira për t’i zhveshur ato nga guacka ideologjike brenda të cilës shpesh paraqiten. Mbase pikërisht ky interes ndaj ndryshimit midis thelbit dhe dukjes ka ushqyer edhe pasionin tim të mëvonshëm për disa rryma specifike filozofike.

Reklama
Reklama

Në një kontekst më të gjerë, atë britanik e evropian, a shihet me paragjykim letërsia ku ndihet ndikimi i filozofisë majtiste? 

Nuk e besoj. Por ajo që duhet kuptuar është se në kushte prodhimi dhe shpërndarjeje të burimeve materiale që karakterizohet nga monopoli ekonomik i firmave më të mëdha dhe ai politik e kulturor i shteteve më të forta, letërsia e vendeve të vogla dhe e pakicave të shtypura nga ana etnike, gjinore apo klasore gjen pak hapësira për t’u lexuar dhe është në një betejë të vazhdueshme për përfaqësim.

Si vazhdim i pyetjes pararendëse, a mund të shihet “Të lirë” si një manifest i ndryshimit të konceptit të së majtës?

Do të ishte manifest për ndryshimin e konceptit të së majtës sikur të kishim vetëm një përkufizim dogmatik të së majtës të cilit ky libër i kundërvihet. Por unë besoj se ne kemi shumë teori dhe qasje të ndryshme ndaj përkufizimit të së majtës, të cilat duhen diskutuar dhe krahasuar me njëra tjetrën në një dialog që nuk mund të udhëhiqet nga një libër i vetëm por në të cilin ai natyrisht ai libër merr pjesë. Mbi të gjitha, ky dialog duhet zhvilluar nëpërmjet institucioneve demokratike që përfshijnë të gjithë qytetarët apo subjektet politike dhe jo vetëm intelektualët ose artistët.

Reklama
Reklama

Dy tema që kaluan jo pa debat ishte prania e politikanëve në promovimin e librit dhe vendi i përzgjedhur për promovimin, ish vila e diktatorit Enver Hoxha. Kishte nga ata që e kundërshtuan me forcë këtë. Mendoni se kjo ndërthurje e këtyre dy fakteve është një mënyrë për ta grishur më mirë lexuesin drejt librit dhe për ta orientuar atë, pak a shumë, në mënyrën e duhur për ta gjetur rrugën e dekriptimit të tekstit?

Mendoj që dhuna më e madhe që mund t’i bëjë autori tekstit që ka prodhuar është ta deshifrojë atë për lexuesin. Çdo libër ka tensionet, paqartësitë dhe pikëpyetjet e tij por unë besoj se lexuesi çlirohet jo kur ai orientohet nga autori por kur çorientohet nga vepra dhe angazhohet në vetë të parë me çështjet që ajo ngre. Në këtë aspekt, i vetmi element për të cilin më vjen disi keq është që ndonjëherë duke u përpjekur për të dhënë sqarime për mediat në mënyrë që t’u përgjigjesha kritikave rreth librit kam dhënë me tepër çelësa leximi apo interpretimi për simbolikën e përurimit se sa duhej të kisha dhënë.

Reklama
Reklama

Për “Të lirë” kanë shkruar disa nga mediat kryesore të Britanisë së Madhe. Ndoshta është një pyetje pak e vështirë, por a mendoni se ky libër është i duhuri për të paraqitur panoramën e diktaturës që Shqipëria ka kaluar?

Kërkesa për të përfaqësuar një epokë të tërë më duket një barrë e tepërt dhe tepër e vështirë për t’u mbartur nga një autor i vetëm dhe nga një libër i vetëm sado i arrirë apo i vlerësuar të jetë ai. Librat janë pjesë e një debati që shtrihet në kohë dhe në hapësirë ku autorët flasin me zëra të ndryshëm dhe përfaqësohen nga pikëpamje të ndryshme. Secili autor reflekton mbi përvojat, kujtimet dhe mbështetur në një orientim filozofik të patjetërsueshëm por sidoqoftë të pjesshëm. E vërteta besoj se është një tërësi organike që mund të shfaqet vetëm nëpërmjet përpjekjeve intelektuale të përbashkëta.

Reklama
Reklama

Përtej librit, ju jeni profesoreshë e teorisë politike në London School of Economics. Në një botë, gjithnjë e më të orientuar drejt globalizmit, besoni se të pavarura njëra prej tjetrës, disiplinat e humbasin peshën e tyre? Pra, vetëm kur krijohet një sintezë mes politikës, ekonomisë, letërsisë, filozofisë e të tjera fushave, secilës prej tyre i vihet re identiteti e për rrjedhojë, ai që kërkon t’i njohë i kupton më thjeshtë?

Besoj se disiplinat duhen zhvilluar si të ndara nga njëra tjetra, në shërbim të thellimit të mëtejshëm në secilën prej tyre, ashtu edhe në dialog me njëra tjetrën në mënyrë që të përftohet nga sinteza mes tyre. Nuk besoj se gjërat e kuptuara thjesht janë kuptuar më mirë por ajo për të cilën jam shumë e sigurt është që nuk ka temë, sado e vështirë, që të mos shpjegohet dot edhe thjesht. /Gazeta “ExLibris/Titulli origjinal: “Lea Ypi: Libri im i ka një detyrim shpirtëror Shqipërisë më shumë se çdo vendi tjetër”/