Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafir ishte ish-sulmuesi i njohur kosovar, Sheremet Isufi. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis.

Gjatë bisedës, Isufi ndau me publikun disa nga rrëfimet më interesante të karrierës së tij, duke u kthyer te fillimet dhe hapat e parë në futbollin e organizuar. Ai kujtoi se si një turne me Trepça ’89 u bë pikënisje e rëndësishme për të, kur si 17-vjeçar u gjend papritur në një ekip me yje dhe e kuptoi se ishte gati për nivel më të lartë.


Një nga temat kryesore të episodit ishte transferimi i tij te Prishtina, i cili, siç tregoi Isufi, u mundësua falë Ajet Shoshollit. “Shera” kujtoi se si në sezonin e parë arriti të shpërthejë menjëherë, duke u bërë golashënuesi më i mirë dhe duke fituar disa trofe, periudhë që e përshkroi si ndër më të bukurat dhe më vendimtaret në formimin e tij si sulmues.

Isufi foli edhe për lidhjen e veçantë me Prishtinën, duke e quajtur “krenari dhe privilegj” faktin që la gjurmë me golat e tij dhe u bë pjesë e historisë së klubit.

Në një tjetër pjesë të bisedës, Isufi solli një histori interesante nga bashkëpunimi me trajnerin legjendar Emin Ajvazi.

Po ashtu, ish-sulmuesi zbuloi se cili ishte qendërmbrojtësi kundërshtar më i vështirë që kishte përballë gjatë karrierës, duke shpjeguar se çfarë e bënte atë duel kaq të fortë dhe pse disa mbrojtës të asaj kohe i konsideron “të klasit të lartë”.

Në fund, Isufi foli edhe për emocionet me fanellën e Kombëtares së Kosovës para pranimit në UEFA dhe FIFA, duke kujtuar përjetimet e një periudhe kur përfaqësimi kishte peshë të dyfishtë, sportivisht dhe kombëtarisht.

Episodin e plotë me Sheremet Isufin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

telegrafi sport app